MAP

Një shkollë afgane ku nxënësit meshkuj dhe femra studiojnë së bashku Një shkollë afgane ku nxënësit meshkuj dhe femra studiojnë së bashku

Selia e Shenjtë: dinjiteti dhe mundësitë, çelësat për barazinë e vërtetë gjinore

Duke folur në sesionin e 69-të vjetor të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave, profesoresha Gabriella Gambino, nënsekretare e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, theksoi se ndjehet fort nevoja për një ndryshim kulturor, që t’i mbështesë nënat në përpjekjen për të pajtuar "jetën familjare" me "përgjegjësitë e punës".

R.SH. / Vatikan

Nuk mjafton të njohësh "dinjitetin" e çdo gruaje: është e nevojshme të krijohen kushtet, që i lejojnë gratë të gëzojnë "të drejta të barabarta", si  burrat. Shpresë, kjo, që e ka themelin në nevojën e ndryshimit kulturor, duke nisur nga amësia, që çdo nënë të mbështetet në përpjekjen për ta pajtuar “jetën familjare”, me “përgjegjësitë e punës”. Kjo ishte tema e fjalimit, mbajtur dje, më 13 mars, nga profesoresha Gabriella Gambino, nënsekretare e Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, në Sesionin e 69-të Vjetor të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Statusin e Gruas. Delegacioni i Selisë së Shenjtë, i kryesuar nga profesoresha, do të marrë pjesë në veprimtarinë që zhvillohet nga data 10 e deri më 21 mars, kushtuar rishikimit të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim, tridhjetë vjet pas miratimit të tyre. Mundësi, kjo, për të riafirmuar synimin për të drejta të barabarta për gratë dhe vajzat në mbarë botën.

Hapat drejt barazisë gjinore

Hapi i parë që duhet bërë drejt barazisë gjinore, sipas Gambino-s, është ai i njohjes së dinjitetit vetjak të çdo burri e çdo gruaje, "përtej çdo rrethane", siç pohon Papa Françesku në enciklikën Fratelli tutti. Parim i cili, siç shkruhet në Deklaratën e Dikasterit për Doktrinën e Fesë Dignitas Infinita, “plotësisht i njohur edhe vetëm nga arsyeja, është në themel të përparësisë së njeriut dhe të mbrojtjes së të drejtave të tij”. Hapi i dytë - nënvizoi Gambino - është krijimi i "kushteve" konkrete, në mënyrë që çdo grua të mund të "gëzojë të drejta të barabarta" me burrat. Në këtë kuptim, “gur themeli” është “zhdukja e varfërisë”, e cila ndikon në mënyrë të shpërpjestuar mbi gjininë femërore - këtë kujtoi Profesoresha - e shtoi:

“Nuk mund të ketë zhvillim, e as paqe, nëse dinjiteti i gruas cenohet nga varfëria”.

Vlerat e arsimit dhe të familjes

Njëkohësisht me këtë, Selia e Shenjtë ripohoi vlerën e arsimit, përcaktuar nga Deklarata e Pekinit si "mjet themelor për arritjen e qëllimeve të barazisë, të zhvillimit e të paqes". Arsimi krijon kushtet që çdo individ të vërë në jetë "aftësitë e veta të plotë", për të favorizuar, kështu, një model "pushteti dhe përgjegjësie të përbashkët". Duke kujtuar, më pas, të njëjtën Deklaratë, Gambino theksoi rolin "vendimtar" të gruas në familje, të quajtur "njësia bazë e shoqërisë". Megjithatë, krahasuar me tridhjetë vjet më parë, Selia e Shenjtë ka zbuluar një prirje për ta neglizhuar vlerën e saj të amësisë, që shpesh perceptohet si "pengesë" për realizimin e femrës. Nënave nuk u sigurohet "mbështetja që u nevojitet", për ta pajtuar "jetën familjare - me përgjegjësitë e punës, duke injoruar faktin që të dyja kontribuojnë në shoqëri", vuri në dukje profesoresha. Kësaj i shtohet edhe mbrojtja e pamjaftueshme e asaj që përkufizohet si “e drejta më themelore e njeriut”: e drejta për jetë. Sipas Gambinos, këto probleme mund të trajtohen vetëm përmes politikave konkrete, e sidomos, përmes një ndryshimi të thellë kulturor, që duhet ta njohë vlerën e amësisë dhe të familjes në shoqërinë bashkëkohore.

Ndihmesa e grave për një botë me paqe

Në përfundim të fjalës së saj, nënsekretarja  e Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën kujtoi fjalët e Papës në parathënien e vëllimit “Më shumë lidership femëror, për një botë më të mirë: kujdesi, si forcë lëvizëse për shtëpinë tonë të përbashkët”, redaktuar nga Anna Maria Tarantola. Françesku nënvizon: "Nëse gratë do të mund të gëzojnë barazinë e plotë të mundësive, do të mund edhe të kontribuojnë  plotësisht në ndryshimin e nevojshëm drejt një bote me paqe, përfshirje, solidaritet dhe qëndrueshmëri të përgjithshme".

14 mars 2025, 13:24