Riarmatim dhe ombrellë bërthamore, fjala për Françeskun
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Erërat e luftës, riarmatosja me përdorimin e investimeve të mëdha, propozimet për rinisjen e armëve atomike... Mënyra se si paraqitet gara e armatimeve në Evropë dhe në botë është vërtet tronditëse, sikur të ishte perspektivë e domosdoshme, e pashmangshme, e vetmja e zbatueshme. Pas viteve të diplomacisë së heshtur dhe mungesës së kapacitetit bisedues, me sa duket e vetmja rrugë e mundshme është riarmatimi.
Etërit themelues, si Alcide De Gasperi, i cili mbështeti krijimin e një ushtrie të përbashkët evropiane, kujtohen për të përligjur nisma shumë të ndryshme, të cilat nuk e shohin si protagonist Bashkimin Evropian, por më tepër shtetet individuale. Po flasim përsëri për "ombrellën bërthamore" dhe "parandalimin", e cila risjell skenarët më të këqij të Luftës së Ftohtë, por në një klimë paqëndrueshmërie dhe pasigurie më të madhe se në shekullin e kaluar, me humnerën e një Lufte të Tretë Botërore që duket gjithnjë e më shumë në horizont. Vitet e fundit, me qartësi profetike, Papa Françesku e pa rrezikun, që po afrohet. Fjalët e tij janë ndriçuese për të kuptuar çastin, që po jetojmë. T'i japim, prandaj zë atij i cili, i shtruar në Poliklinikën Gemelli, ofron vuajtjet dhe lutjet për paqen në botë.
"Është fakt" - kujtoi Françesku në nëntor 2017 - që spiralja e garës së armatimeve nuk njeh fund dhe se kostot e modernizimit dhe zhvillimit të armëve, jo vetëm armëve bërthamore, përfaqësojnë shpenzime të konsiderueshme për kombet, deri në atë pikë, sa të lihen fare mënjanë prioritetet reale të njerëzimit të vuajtur: lufta kundër varfërisë, përpjekjet për paqen, nxitja e projekteve edukative, ekologjike e shëndetësore dhe zhvillimi i të drejtave njerëzore…“Deri armatimet pa pikën e logjikës, me pasojë shkatërrimin e gjinisë njerëzore, janë në planet ushtarake”.
Në nëntor 2019, nga Nagasaki, qytet i martirizuar nga bomba atomike, Ipeshkvi i Romës pati deklaruar: “Një nga dëshirat më të thella të zemrës së njeriut është dëshira për paqe dhe stabilitet. Pasja e armëve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë, nuk është përgjigja më e mirë për këtë dëshirë; madje, duket se e vë vazhdimisht në provë. Bota jonë përjeton dikotominë perverse të dëshirës për të mbrojtur dhe për të garantuar stabilitetin dhe paqen mbi bazën e një sigurie të rreme, të mbështetur nga një mendësi frike dhe mosbesimi, që përfundon duke helmuar marrëdhëniet ndërmjet popujve dhe duke parandaluar çdo dialog të mundshëm”.
E shtonte: “Paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar nuk mund të pajtohen me çdo përpjekje për të ndërtuar mbi frikën e shkatërrimit të ndërsjellë ose mbi kërcënimin e asgjësimit total; janë të mundshme vetëm në bazë të një etike globale solidariteti dhe bashkëpunimi në shërbim të një të ardhmeje të modeluar nga ndërvarësia dhe bashkëpërgjegjësia në të gjithë familjen njerëzore të së sotmes dhe të së nesërmes”.
Përsëri, në nëntor 2019, nga Hiroshima, Papa Françesku, duke bërë të vetat fjalët e Papës Montini, kujtoi se paqja e mirëfilltë mund të jetë e çarmatosur: “Nëse duam vërtet të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të sigurt, duhet t'i lëmë armët të na bien nga duart: nuk mund të dashurosh me armë sulmuese në dorë” (Shën Pali VI, Fjala e mbajtur në SHBA, më 4 tetor 1965, 5).
Kur i dorëzohemi logjikës së armëve dhe distancohemi nga ushtrimi i dialogut, harrojmë tragjikisht se armët, edhe para se të shkaktojnë viktima e shkatërrime, kanë aftësi të krijojnë ëndrra të këqija, kërkojnë shpenzime të mëdha, bllokojnë projekte solidariteti dhe punë të dobishme, shtrembërojnë psikologjinë e popujve" (po aty, 5). Si mund të propozojmë paqe, nëse përdorim vazhdimisht frikësimin e luftës bërthamore si mjet legjitim për zgjidhjen e konfliktit? Kjo humnerë dhimbjeje ju kujtoftë kufijtë që nuk duhen kapërcyer kurrë. Paqja e vërtetë mund të jetë vetëm paqe e paarmatosur”.
Zëri i Pasardhësit të Pjetrit, vazhdoi ai, është "zëri i atyre, që nuk u dëgjohet zëri dhe që shikojnë me shqetësim e ankth tensionet në rritje që përshkojnë kohën tonë, pabarazitë dhe padrejtësitë e papranueshme që kërcënojnë bashkëjetesën njerëzore, paaftësia e rëndë për t'u kujdesur për shtëpinë tonë të përbashkët, përdorimi i vazhdueshëm dhe spazmatik i armëve, sikur këto të mund të garantonin një të ardhme paqeje".
Më pas, dënimi jo vetëm i përdorimit, por edhe i pasjes së armëve bërthamore që ende mbushin arsenalet e botës me një fuqi të tillë, që mund të shkatërrojë mbarë njerëzimin, e dhjetëra herë më shumë: “Me bindje dëshiroj të ritheksoj se përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është, sot më shumë se kurrë, krim, jo vetëm kundër njeriut, por dhe kundër çdo dinjiteti të shtëpisë së tij. Përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është imoral, ashtu siç është imoral pasja e armëve atomike, siç e thashë dy vjet më parë. Ne do të gjykohemi për këtë”.
Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, cituar nga gazeta “Domani”, në Evropë ka 290 koka bërthamore nën kontrollin francez dhe 225 koka bërthamore në Britaninë e Madhe. Pothuajse të gjitha kokat bërthamore - 88% - janë në arsenalet e Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë, më shumë se 5000 koka secila. Në total, janë 9 vende që kanë bomba bërthamore. Përveç të përmendurave, tashmë janë Kina, India, Koreja e Veriut, Pakistani dhe Izraeli. Tani ka raketa balistike të afta për të lëshuar fuqi shkatërruese një mijë herë më të madhe se ajo e bombave të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945. Shtrohet pyetja: a kemi vërtet nevojë për më shumë armë? A është vërtet kjo mënyra e vetme për të mbrojtur veten?
"Kisha Katolike" - pati thënë Papa Françesku në Nagasaki gjashtë vjet më parë - është e pakthyeshme ndaj vendimit për të promovuar paqen ndërmjet popujve dhe kombeve: është detyrë, për të cilën ndjehemi të detyruar përpara Zotit dhe përpara gjithë burrave e grave të kësaj bote... Me besimin se një botë pa armë bërthamore është e mundur dhe e nevojshme, u kërkoj udhëheqësve politikë të mos harrojnë se këto kërcënime të kohës sonë nuk na mbrojnë nga siguria kombëtare dhe ndërkombëtare".