MAP

Klubi i natës në Koçan, Maqedonia e Veriut, ku shpërtheu zjarri (ANSA) Klubi i natës në Koçan, Maqedonia e Veriut, ku shpërtheu zjarri (ANSA)

Ngushëllimet e Papës për viktimat e klubit të natës, në Maqedoninë e Veriut

Në një telegram nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, Françesku shpreh afërsinë e tij me familjet që humbën të dashurit e tyre, kryesisht të rinj, në zjarrin shpërthyer në qytetin e Koçanit.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku shpreh “ngushëllimet e tij të thella” dhe siguron “afërsinë e tij shpirtërore me të lënduarit” në zjarrin dramatik që shpërtheu mbrëmë në një lokal nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut, me pasojë, 59 viktima dhe 155 të plagosur. Kështu shkruhet në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar ipeshkvit të Shkupit, imzot Kiro Stojanov. Në tekst, Papa Françesku siguron "kujtimin e tij në lutje për njerëzit që humbën jetën" dhe "ngushëllimin qiellor për ata që po vuajnë pasojat" e një prove kaq të hidhur.

Zjarri ra rreth orës 03:00 gjatë një koncerti, ku merrnin pjesë 1500 vetë në një lokal nate, në Koçan. Ka mundësi të jetë shkaktuar nga fishekzjarret e nisura në skenë. Organizatorët e ngjarjes dhe pronarët e lokalit u arrestuan. Viktimat ishin kryesisht nga mosha 14 deri në 27 vjeç. Qeveria maqedonase po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të zbuluar shkaqet e tragjedisë.

“Sot është ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë” - shkruan kryeministri Hristijan Mickoski, “humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pariparueshme dhe dhimbja e familjeve, të afërmve dhe miqve, e pamasë”. Mesazhe ngushëllimi vijojnë të arrijnë edhe nga institucionet evropiane, ndërsa qeveria serbe e shpalli 18 marsin ditë zije kombëtare, në kujtim të viktimave.

16 mars 2025, 16:20