Lëmosha “Për Tokën Shenjte”, Kard. Gugerotti: Kisha ta ndihmojë jetën të rilindë
R.SH. / Vatikan
Kisha, “në përgjigje të thirrjes së atyre që janë në vuajtje të rënda”, ka për detyrë të “vrapojë për të ndihmuar, sa më shpejt të jetë e mundur e konkretisht, që jeta të rilindë”. Me këto fjalë, Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore, në një letër të publikuar sot, 17 mars, u bën thirrje besimtarëve në mbarë botën të marrin pjesë në Lëmoshën tradicionale për Tokën Shenjte, që mblidhet çdo vit, të Premten e Madhe të Pashkëve. Ndërsa këto vise po përjetojnë një çast tensioni dhe brishtësie, Kardinali ripohon se "të gjithë, duke filluar nga fëmijët, kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe të kenë shtëpi e shkolla, të luajnë së bashku pa frikë se mos e shohin rishtas buzëqeshjen satanike të vdekjes". Prandaj kanë nevojë për “dhuratën bujare” të besimtarëve nga e gjithë bota, për të mbështetur Fretërit e vegjël të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë dhe bashkësitë e krishtera të pranishme, të cilat janë marrë me ruajtjen e Vendeve Shenjte, që nga “koha e Jezusit” - shkruan Kardinali Gugerotti.
Një armëpushim i brishtë dhe një çast i vështirë
Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore kujton "vajet", "dëshpërimin" dhe "shkatërrimet" që ndodhën në Tokën Shenjte këto vitet e fundit të dhunës dhe të konfliktit. Edhe pse "zemrat tona gufuan nga gëzimi i armëpushimit në vend", e dimë se "ai është i brishtë dhe, nga vetë natyra e tij, nuk do të mjaftojë për të zgjidhur problemet dhe për të shuar urrejtjen në atë zonë"- shkruan ai. Për më tepër, "pas pandemisë" dhe "ndërprerjes pothuajse të plotë të shtegtimeve", shumë të krishterë janë detyruar të mërgojnë. Në këtë kontekst të vështirë, "në të cilin të ardhurat ekonomike që vinin nga vetë rajoni janë reduktuar në minimum", lëmoshët përbëjnë “burimin themelor" sepse "mbijetesa" e "pranisë së çmuar të krishterë" në Tokën Shenjte, e cila daton drejtpërdrejt në kohën e Jezusit, është në rrezik.
“Nëse duam të forcojmë Tokën Shenjte dhe të sigurojmë kontakte të gjalla me Vendet e Shenjta, duhet t’i mbështesim bashkësitë e krishtera që, në shumëllojshmërinë e tyre, ofrojnë lavdërimin e përhershëm të Zotit me ne, edhe në emrin tonë”, thekson më tej kardnali Gugerotti. “Kujtimi i pamjeve të shkatërrimit dhe të vdekjes, që kaluan vazhdimisht para syve tuaj në këto kohë të Kalvarit të ri” e bëjnë Lëmoshën “një nga detyrat tuaja baritore”.
Të krishterët në Tokën e Shenjtë ju presin
Duke kujtuar fjalët e Papa Françeskut në letrën drejtuar katolikëve të Lindjes së Mesme më 7 tetor 2024, në të cilën të krishterët e Tokës Shenjte quhen "grigjë e vogël, e pambrojtur, e etur për paqe" dhe "farë e dashur nga Zoti" që gjen gjithmonë "rrugën drejt lartësive", kardinali Gugerotti, në emër të Papës, i nxit ipeshkvijtë dhe besimtarët të mos i harrojnë këta vëllezër “të cilët janë mishërim i Mishërimit" dhe "trashëgimi e të gjithëve".
Me gjithë vështirësitë, në këtë kohë kreshmësh “është kthyer shpresa për ta parë të Ngjallurin, Jezu Krishtin, Zotin tonë, i cili pikërisht në atë vend tregoi i gjallë plagët e mundimeve të tij”, nënvizon Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore. “Zoti nuk do t’i harrojë, veçanërisht në këtë Vit Jubilar të Shpresës, ata që u bënë dëshmitarë të Provanisë dhe mjete të Paqes së Tij. Të krishterët tanë të këtyre vendeve ju presin!”.