Kard. Grech: një rrugë për të ndihmuar Kishat të ecin me stil sinodal, duke i përfshirë të gjitha
R.SH. / Vatikan
Intervistë e Andrea Torniellit me Sekretarin e Përgjithshëm të Sinodit, Kardinalin Grech: "Asambleja Kishtare e vitit 2028 do të jetë rast për të mbledhur në nivelin e Kishës të gjitha frutat e pjekura".
Andrea Tornielli
“Kuptimi i rrugëtimit që Sekretaria e Sinodit u propozon kishave vendase nuk është t'i shtohet puna-punës, por të ndihmohen kishat të ecin në stilin sinodal”. Me këto fjalë, Kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit, u paraqet mediave të Vatikanit shoqërimin e fazës zbatuese, miratuar nga Papa Françesku.
Hirësi, Sinodi mbi sinodalitetit dukej si i përfunduar... e tani rifillon sërish, me vullnetin e Papës Françesku i cili, nga Gemelli, miratoi kalendarin e punës për tre vitet e ardhshme.
Është e vërtetë! Shumë menduan se Sinodi kishte përfunduar me kremtimin e seancës së dytë të Kuvendit, tetorin e kaluar. Në të vërtetë, kushtetuta apostolike Episcopalis Communio e ka “shndërruar” Sinodin nga një ngjarje - në një proces të ndarë në tri faza: përgatitore, kremtuese dhe zbatuese (CE, neni 4). Ky hap kërkon "kthesë" të vërtetë, ndryshim mentaliteti që do kohë për të zënë rrënjë në praktikën e Kishës. Por gjithsesi është themelor: botimi i një “dokumenti” nuk mjafton që të zbatohet në jetën e Kishës çka doli në dy fazat e procesit sinodal. Ai "dokument" duhet "të merret" si fryt i aftësisë dalluese kishtare dhe si horizont kthimi në fe. E kështu edhe ndodhi: Ati i Shenjtë, i cili është fillesë e unitetit të Kishës dhe garantues i procesit sinodal, me Dokumentin Përfundimtar u beson Kishave të veçanta dhe grupeve të tyre detyrën për të zbatuar rekomandimet e Asamblesë, në kontekstin e tyre lokal, siç rekomandon ai vetë në "Shënimin shoqërues" të Dokumentit Përfundimtar. Shumë Kisha tashmë u përgjigjën bujarisht dhe nisën të punojnë: në realitet, puna nuk është ndalur kurrë pas përfundimit të Kuvendit.
Çfarë do të ndodhë tani e deri në vitin 2028?
Çka po shpallet tani është më tepër proces shoqërimi dhe vlerësimi i fazës së zbatimit, tashmë në vijim: një vendim që Ati i Shenjtë e ka pjekur edhe me kontributin e Këshillit të Zakonshëm të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, i përbërë kryesisht nga anëtarët e zgjedhur gjatë Kuvendit. E ky proces nuk cenon rolin shtytës të secilës Kishë në pritjen dhe zbatimin origjinal të fryteve të Sinodit: me të Papa nxit gjithë Kishën në ushtrimin e përgjegjësisë: në të vërtetë, të një bashkëpërgjegjësie të madhe sepse, pikërisht duke vlerësuar Kishat lokale, njëkohësisht lidh ushtrimin e shërbesës ipeshkvnore të kolegjit të tij.
Cili është atëherë qëllimi më i saktë i këtij udhëtimi?
Ky është një proces që synon të inkurajojë diskutimin ndërmjet Kishave mbi idetë e zhvilluara gjatë fazës së kandidaturës. Pas një periudhe kushtuar punës së çdo realiteti lokal (deri në vitin 2026), dëshirojmë që në stilin sinodal të krijohen hapësira për dialog dhe shkëmbim dhuratash ndërmjet Kishave. Ky është një nga aspektet më të çmuara që ka dalë nga rrugëtimi sinodal i ndërmarrë deri tani. Qëllimi është që zbatimi të mos bëhet i izoluar, sikur secila dioqezë apo heparki të ishte një ent i veçantë, por që lidhjet ndërmjet Kishave të forcohen në nivel kombëtar, rajonal dhe kontinental. Në të njëjtën kohë, këto çaste diskutimi do të mundësojnë një “ecje të mirëfilltë së bashku”, duke ofruar mundësinë për të vlerësuar, në frymën e bashkëpërgjegjësisë, zgjedhjet e bëra. Takimet e planifikuara për vitin 2027 dhe fillimin e vitit 2028 do të shoqërojnë natyrshëm udhëtimin drejt Asamblesë Kishtare të tetorit 2028. Kjo Asamble përfundimtare do të jetë, më pas, në gjendje t'i ofrojë Atit të Shenjtë elemente të çmuara, fryt i një përvoje të vërtetë kishtare, për aftësinë e tij dalluese si Pasardhës i Pjetrit, me perspektiva për t'ia propozuar mbarë Kishës. Zbatimi dhe vlerësimi duhet të ecin krah për krah, duke u ndërthurur në një proces dinamik të përbashkët: kjo është pikërisht kultura e raportimit e dëshiruar nga Dokumenti Përfundimtar.
A mund të shpjegoni çfarë është Asambleja kishtare e 2028? Në letër shkruhet shprehimisht se nuk do të ketë Sinod të ri…
Do të thosha se Sinodi 2021-2024 ishte, në shumë mënyra, “hera e parë”. Ishte hera e parë që u zbatua e tëra normativa Episcopalis Communio; hera e parë që e gjithë Kisha dhe të gjithë anëtarët e Kishës patën mundësinë të merrnin pjesë në procesin sinodal. Ishte hera e parë që në Kuvend merrnin pjesë anëtarë, të cilët që nuk ishin ipeshkvij. Kjo është hera e parë që një Dokument Përfundimtar miratohet menjëherë nga Ati i Shenjtë, duke marrë pjesë në Magjisterin e tij të zakonshëm. Tani - në fazën e tretë të procesit sinodal – është hera e parë që mbahet një Kuvend kishtar. E meqenëse kjo është hera e parë që mbahet një Asamble kishtare në nivelin e të gjithë Kishës, shumë gjëra duhet ende të sqarohen, edhe nëse mund të mbështetemi në përvojën e Asambleve të Etapës Kontinentale, të cilat ishin të gjitha kishtare.