Jubileu i Vullnetarizmit, në Romë mbi 25 mijë besimtarë nga njëqind vende të botës
Rreth 25 mijë shtegtarë, ardhur nga mbi 100 vende të botës, do të mblidhen në Romë të shtunën më 8 dhe të dielën më 9 mars për të marrë pjesë në të pestën nga ngjarjet e mëdha jubilare: atë kushtuar botës së vullnetarizmit. Ndërmjet pjesëmarrësve, po përmendim vetëm më të përfaqësuarit: gati 15 mijë vullnetarë vijnë nga Italia, me 5 mijë prani nga grupet Misericordie, 4 mijë nga Mbrojtja Civile dhe 800 nga Caritas-i Italian. 124 do të mbërrijnë nga Spanja, 123 nga SHBA, 85 nga Brazili, më pas grupe të mëdha do të jenë të pranishme edhe nga Polonia, Argjentina, Meksika, Kolumbia…do të ketë përfaqësues edhe nga vende si Australia, Kili, Ekuadori, India.
Dialogë, takime, nisma
Të shtunën, më 8 mars, shtegtarët të cilët do të përfaqësojnë në Romë shumë shoqata, grupe, organizata jofitimprurëse dhe organizata vullnetare nga e gjithë bota, do të kenë mundësinë ta jetojnë, ndërmjet orës 08:00 dhe 17:00, shtegtimin e tyre tek Porta e Shenjtë e Bazilikës së Shën Pjetrit. Do të kenë edhe mundësinë për marrjen e Sakramentit në Kisha jubilare. Nga ora 15-18 do të zhvillohen “Dialoget me qytetin”, takime kulturore, artistike dhe shpirtërore, në sheshe të ndryshme të Romës.
Në Piazza Risorgimento, fondacioni Focsiv do të propozojë aktivitete ndërgjegjësuese mbi vullnetarizmin dhe do ta gjallërojë sheshin me vullnetarët e tij, duke përfshirë të rritur e fëmijë. Movimento per la Vita, në Piazza dell'Oro, në zonën jashtë Bazilikës së San Giovanni Battista dei Fiorentini, do të bëjë të njohura nismat e veta, do të propozojë aktivitete argëtuese për fëmijët dhe do t’i njohë të pranishmit me dëshmitë e disa nënave.
Brenda bazilikës së San Salvatore në Lauro, Mbrojtja Civile do të t’i njohë të pranishmit me shërbimin që kryen në qytetet italiane dhe në Misericordie, jashtë së njëjtës Bazilikë. Do të ofrojë edhe shërbime shëndetësore parandaluese. Në Piazza della Chiesa Nuova do të jenë të pranishëm Shelterbox Italia Onlus, të cilët do të ngrenë në zonë një tendë, simbol i aktiviteteve të tyre në mbarë botën, brenda së cilës do të ofrojnë materiale informuese. Në Piazza Sant'Ignazio, vullnetarë nga Aps Il Sorriso do t’i njohin vizitorët me projektet që kryen shoqata, duke përfshirë edhe fëmijët në argëtim. Së fundi, vullnetarët e IAD Bambini Ancora do të argëtojnë të vegjlit me punëtori artistike dhe balona dhe do të flasin mbi temat e tyre me prindërit, në tryeza të rrumbullakëta.
Meshë me kardinalin Czerny
Të dielën, më 9 mars, në orën 10:30, Kardinali Michael Czerny S.I., Prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, do të kryesojë kremtimin eukaristik në Sheshin e Shën Pjetrit dhe do të lexojë predikimin, që Papa e kishte konceptuar për këtë ngjarje.