Jubileu i Gemelli-t: rrugëtim për të ndarë shpresën me njeriun, që vuan
R.SH. / Vatikan
Binte shi në Via della Conciliazione, ndaj nën qiellin gri, përgjatë shtegut që të çon në Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, u hapën një mori çadrash shumëngjyrëshe. Ndërmjet shtegtarëve të shumtë rrugës për të festuar Jubileun, pardje, 3 mars, kishte edhe mjekë, infermierë, punonjës shëndetësorë, staf teknik dhe administrativ të Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCCS - spitali ku Papa Françesku u shtrua që nga 14 shkurti - si dhe stafi i "Gemelli Isola".
Duhej të takoheshin me Papën Françesku në audiencën e sotme jubilare, e cila më pas u anulua - si ngjarjet e tjera të planifikuara në planet papnore të këtyre ditëve - për shkak të shtrimit të vazhdueshëm të Ipeshkvit të Romës. Dita e zymtë nuk i trembi punonjësit e dy spitaleve romake të lidhur me Università Cattolica del Sacro Cuore: të mbledhur në lutje dhe me zemra plot shpresë - së bashku me presidentin e Fondacionit Gemelli, Daniele Franco dhe drejtorin e përgjithshëm të "Gemelli Isola" Daniele Piacentini, dhe të udhëhequr nga asistenti shpirtëror i Poliklinikës don Nunzio Currao, u nisën në shtegtim nga Piazza Pia.
Në rrugën drejt Krishtit
“Për mua, ky jubile do të thotë të ecësh drejt Zotit dhe të kem mundësinë ta takoj” - pohoi për mediat e Vatikanit gjinekologia Brigida Carducci. Mendimi i Papës që “po kalon çaste të vështira” është i pashmangshëm. E kështu, në këtë ditë kur Fondacioni Gemelli u gjend në Shën Pjetër, ndërsa Papa, i shtruar në një nga ambientet e tij, ka “shumë keqardhje”, por shpresa është se “Zoti do ta ruajë për ne dhe do ta lërë mes nesh për një kohë të gjatë, sepse kemi vërtet nevojë për të dhe se figura e tij na siguron shumë”. “Ne vijmë këtu pikërisht për t'u lutur për të - shtoi doktoresha - sepse ta kemi në spitalin tonë, na bën ta ndjejmë më afër, njëri nga ne, i cili mund të na çojë tek Ati, por edhe të na japë mundësinë ta trajtojmë, ashtu si i trajtojmë të gjithë njerëzit e tjerë.
Nga ana e tij, Cesare Mancuso, farmakolog, vuri në dukje se "jubileu është ngjarje shpirtërisht e fortë, që na ndihmon ta jetojmë më mirë konceptin e krishterë të ekzistencës e, në këtë çast, është edhe më i fortë për fenë e për shpresën" se Papa do të shërohet së shpejti; e sot, ditën e shtegtimit të Fondacionit Gemelli, lutja është veçanërisht "për të dhe për të gjithë ata që vuajnë". I bëri jehonë edhe Valeria Giosa, nga seksioni tekniko-administrativ i Policlinico Gemelli, duke e parë shtegtimin në Portën Shenjte si “mundësi të mrekullueshme e të gjithë stafit për ta shoqëruar Papën këto ditë “nën kujdesin dhe vëmendjen” e shumë kolegëve të saj”. Shpresa, shtoi, është “vështrim në zemrën tonë, në qenien tonë më të brendshme, por edhe në gjithçka që ndodh rreth nesh”, “ngjarje politike dhe mjedisore”, duke u përpjekur të kemi “këndvështrim pozitiv për veten, për fëmijët tanë dhe për ata që do të vijnë pas nesh”.
Lutje për paqen në botë
Carmen Nuzzo, drejtuese e profesioneve shëndetësore, shpjegoi se u ndal disa çaste për të reflektuar, sepse çka po përjetohet "është çast i vështirë, për Italinë dhe për botën" dhe duhet "të lutemi për paqen". “Pastaj jemi edhe në një çast lutjeje të ndjerë fort për Atin e Shenjtë, i cili është i ftuari ynë, - saktësoi - dhe shpresojmë se së shpejti do t'i themi lamtumirë, kur të kthehet në shërbimin e tij”. Për lutjen foli edhe Gianni Vento, neonatolog. Theksoi se "për të gjithë pacientët është diçka që na lidh çdo ditë"; ndërsa profesori Antonio Lanzone, profesor i rregullt i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, kujtoi se Papa Françesku, në spital, po transmeton shpresë dhe besim.
Të ringjallësh shpresën
Pas kalimit nga Porta Shenjte, në orën 12 të mesditës, në altarin e Katedrës së Bazilikës së Vatikanit, Imzot Claudio Giuliodori, asistent i përgjithshëm kishtar i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, kremtoi Meshën për të gjithë pjesëmarrësit në shtegtim. Në predikimin e tij, prelati fillimisht i drejtoi një mendim Papës:
“Lutja jonë naltohet edhe më shumë nga selia e pasuesit të Pjetrit, në mënyrë që Papa Françesku të shërohet plotësisht dhe shpejt”- nënvizoi – për të theksuar më pas, tre elemente themelore, që tregojnë rrugën drejt realizimit të plotë – theksoi imzot Giuliadori. E para është vetëdija për fundin, pa e humbur nga sytë dinjitetin e madh dhe vlerën e çdo jete njerëzore! Në këtë perceptim të fundësisë, megjithatë, vetëdija për madhështinë e qenies njerëzore nuk zvogëlohet sepse Zoti "i mbushi ata me dituri dhe kuptim dhe u tregoi të mirën dhe të keqen". Ky është aspekti i dytë. Aspekti i tretë na fton të jemi samaritanë të vërtetë dhe burim shprese.
Rizbulimi i qendrës së gravitetit të gjithçkaje, që është Krishti
Më në fund, Imzot Giuliodori nënvizoi se jubileu është "kohë hiri për të rizbuluar 'masën e duhur' të jetës sonë dhe qendrën e vërtetë të gravitetit të gjithçkaje që është Jezu Krishti, duke shmangur, nga njëra anë, delirin e plotfuqishmërisë dhe, nga ana tjetër, përbuzjen për njerëzimin". Viti i Shenjtë na kërkon të jemi "dëshmitarë të besueshëm dhe edukatorë efektivë për brezat e rinj", përfundoi prelati, duke na ftuar të "rizbulojmë dhe të rifillojmë arsyet e thella" të angazhimit arsimor të Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë dhe të "ripërtërijmë" angazhimin "për t'u shërbyer njerëzve të sëmurë, që shpesh janë më të brishtët dhe më nevojtarët".