MAP

Një debat mbi diplomacinë dhe bashkëpunimin në Universitetin Katolik në Milano Një debat mbi diplomacinë dhe bashkëpunimin në Universitetin Katolik në Milano

Diplomacia dhe bashkëpunimi: duhet hapësirë për shpresë, në botën e copëzuar

R.SH. / Vatikan

Bota vijon të jetë gjithnjë e më e “fragmentuar”: multilateralizmi dhe institucionet e mëdha ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, duket se janë në krizë të thellë, të pafuqishme përballë luftërave”. Pra, brenda vendeve të veçanta, shoqëritë polarizohen gjithnjë e më shumë dhe përshkohen nga tensionet në rritje. Si mund të gjejmë, atëherë, shenja shprese në këtë realitet të vështirë? Dekani i Shkencave Politike dhe Sociale në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, Andrea Santini, preku menjëherë thelbin e çështjes, kur paraqiti konferencën e organizuar nga Fakulteti më 12 mars, si pjesë e Nismës Universitare për Shpresën, në Vitin Jubilar, organizuar pikërisht për t'iu përgjigjur thirrjes “Spes non confundit” ("Shpresa nuk të gënjen). “Ndër objektet klasike të studimit të disiplinave politike dhe sociale janë disa shenja konkrete shprese, theksuar nga Papa Françesku në të Jubileut, duke përfshirë angazhimin për paqen dhe krijimin e modeleve të reja shoqërore”, shtoi Dekani Santini.  

Shpresa dhe diplomacia

Prej këndej, ideja për t'u ofruar studentëve një "reflektim ndërdisiplinor", duke u përpjekur për të identifikuar hapat e nevojshëm që duhen ndërmarrë për të vënë në praktikë projektet konkrete. E gjithë kjo, brenda një skenari gjeopolitik gjithnjë e më të ndërlikuar, ku diplomacia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillim sigurisht që vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. E theksoi mirë Piero Benassi, ambasador dhe ish-përfaqësues i përhershëm i Italisë në Bashkimin Evropian. "Situata e sotme kërkon diplomaci, siç ka ndodhur rrallë në shekullin e kaluar" - kujtoi Benassi, i cili pikërisht në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Sociale jep mësimin "Diplomacia Bashkëkohore në Marrëdhëniet Ndërkombëtare".

“Nëse shpresa, pra, shprehet në vizionin e diplomacisë, që synon të ndjekë paqen dhe mirëqenien ekonomike, kjo u përvijua në mënyrë të përsosur në fjalimin e mbajtur janarin e kaluar nga Papa Françesku drejtuar trupit diplomatik kur, duke folur për diplomacinë e së vërtetës, tërhoqi vëmendjen për polarizimin jo vetëm të botës, por edhe të vetë shoqërive, të cilat, duke vënë në rrezik ndërgjegjen e qytetarëve për sigurinë, minojnë stabilitetin e proceseve demokratike”.

Bashkëpunimi është krijimtari

Konteksti delikat dhe i paqëndrueshëm gjeopolitik reflektohet edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar. “Një shembull është vendimi i Shteteve të Bashkuara për të anuluar afërsisht 80% të ndihmës humanitare dhe ndihmës së zhvillimit, ofruar për dekada në dhjetëra vende, në mbarë botën. Një zgjedhje që mund të përsëritet edhe nga shtete të tjera”, kujtoi Fabio Melloni, këshilltar teknik për bashkëpunimin e zhvillimit e kryetar i Fondacionit Imagine Esg, me një përvojë të gjatë në këtë fushë.

Përballë vendimeve të tilla politike, bëhet e vështirë të flitet për shpresë. Megjithatë, bashkëpunimi për zhvillim është shembull i vazhdueshëm që tregon se si faktori njerëzor nxit ndryshimin. “Gjatë karrierës sime takova njerëz që më bënë të kuptoj se bashkëpunimi është shpikje, krijimtari, eksperimentim i ideve”, është rezultat i transformimeve që nisin nga fundi, duke nxitur një “proces të virtytshëm” të aftë për t’i ndryshuar gjërat. Kështu lind shpresa, edhe në rrethana të vështira. E universitetet janë vendi ideal për të përgatitur "ndërtuesit e paqes" dhe "përftuesit e zhvillimit".

Paqja objektive

Por për të "ringjallur shpresën", duhet së pari të refuzojmë "logjikën hobbesiane" sipas së cilës ka një armik jashtë, për t'u mbrojtur. Riccardo Redaelli, profesor i Historisë dhe Institucioneve Aziatike, është i bindur për këtë së bashku me profesorët Simona Beretta, Laura Zanfrini, Mauro Magatti, të gjithë nga Fakulteti i Shkencave Politike dhe Sociale, me të cilët vijoi pjesën e dytë të takimit. Për Redaellin, paqja nuk është thjesht "mungesa e konfliktit" dhe as "kërkimi për armëpushim me çdo kusht". Është mbi të gjitha "shkulja e rrënjëve të konfliktit", sepse, vërejti ai, duke u mbështetur në fjalët e Fratelli tutti të Papës Françesku, "secili prej nesh dëshiron paqen" dhe secili duhet të punojë për ta bërë të mundur.

Duke dëgjuar emigrantët

Në këtë këndvështrim, Simona Beretta, profesoreshë e Politikës Ekonomike, ka të drejtë kur thotë se “shpresa që na nevojitet dhe që është e mirë për botën” duhet të ketë në vetvete doza të mira “racionalizmi dhe realizmi”. Të shikosh të ardhmen me arsye do të thotë të ndryshosh kushtet e borxhit të vendeve më të varfra (në vitin 2023 ishte 97 trilion dollarë). Paqja ka të bëjë edhe me kushtet dinjitoze të jetesës. Prandaj – saktësoi Beretta, është e nevojshme të "rimendohet arkitektura financiare globale". Një rimendim që nuk mund të mos dëgjojë zërin e atyre të cilët, “plot shpresë”, lëvizin në kërkim të një jete më të mirë. Këta janë emigrantët të cilëve Laura Zanfrini, profesoreshë e Sociologjisë së Përgjithshme, u përpoq t'u jepte zë në fjalën e saj, duke lexuar disa nga dëshmitë e tyre prekëse. “T’i lëmë emigrantët të flasin, do të thotë t’i humanizosh ata, të interpretosh saktë diversitetin dhe të rizbulosh vlerat e shoqërisë sonë, përtej përfaqësimit homogjen mbi të cilin janë ndërtuar këto, duke kujtuar, kështu, potencialin gjenerues të pluralizmit”.

Mendimi dhe veprimi

Prandaj, rëndësia e shpresës, e cila në “krizën entropike” që po përjetojmë, mund të na ndihmojë ta kthejmë veten atje ku nuk jemi më, pra në atë që sociologu Mauro Magatti e përcaktoi si “struktura relacionale e të gjallëve”. "Shpresa ndihmon jo vetëm për të menduar, por edhe për të vepruar ndryshe, për t’u rikthyer tek ideja e veprimit". Për Magatti-n të gjithë jemi të lidhur pas prodhimit,  e kundërta është aktrimi - që na nxit të zbulojmë shpresën e vërtetë, atë që vë në pikëpyetje mendimin dhe veprimin. A ka mënyrë më të mirë për ta përshkruar atë, se fjalët e Havelit, që kujtoi sociologu nga Cattolica: “Shpresa nuk është optimizëm. Shpresa nuk është besimi se ajo që po bëjmë, do të jetë e suksesshme. Shpresa është siguria se ajo që po bëjmë ka një kuptim”.

16 mars 2025, 14:43