ÐÓMAPµ¼º½

Ushtrime shpirtërore në Sallën Paul VI  (VATICAN MEDIA Divisione Foto) Ushtrime shpirtërore në Sallën Paul VI (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Atë Pasolini: Pagëzimi, nuk është rit kulturor, por jetë që rilind në Zotin

Në meditimin e gjashtë të ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve, mbajtur nga Kuria Romake, në bashkësi me Papën, në Sallën Pali VI, predikatari papnor reflektoi mbi sakramentin që të hap jetën e krishterë: nënkupton besimin tek Zoti dhe lejimin e vetvetes për t'u udhëhequr drejt horizonteve të pashkelura.

R.SH. / Vatikan

Rruga e shëlbimit shfaqet si rilindje shpirtërore, e shpjeguar në Ungjillin e Gjonit (Gjn 3,1-21) përmes dialogut ndërmjet Jezusit dhe Nikodemit. Jezusi thotë se për të parë Mbretërinë e Zotit duhet "të lindësh nga lart", një koncept që e shqetëson Nikodemin dhe që kërkon nevojën për një ndryshim të thellë e rrënjësor. Ky shndërrim nuk është i thjeshtë dhe shpesh ngjall frikë, pasi kërkon t’i braktisësh siguritë dhe modelet e ngurrtësuara.

Jezusi shpjegon se rilindja ndodh nëpërmjet ujit dhe Shpirtit, jo si rikthim biologjik në fëmijëri, por si hapje e re për veprimin e Shpirtit. Shumë kanë frikë nga ndryshimi dhe përpiqen të kapen pas përvojave të së kaluarës, por rilindja e vërtetë përfshin besimin te Zoti dhe lejimin e Tij për t'ju udhëhequr drejt horizonteve të pashkelura. Ky pasazh kujton heksodin e Izraelit në shkretëtirë, ku populli kishte frikë nga vdekja, por gjeti shpëtimin duke parë një shenjë të dërguar nga Hyji. Sot, shenja e shpëtimit është Krishti i lartuar në kryq.

Pagëzimi përfaqëson simbolin e kësaj jete të re: jo një ndryshim të menjëhershëm dhe të dukshëm, por fillimin e një shtegtimi transformimi. Megjithatë, gjatë historisë, forca e pagëzimit është ligështuar, duke u bërë shpesh rit kulturor dhe jo zgjedhje e vetëdijshme e fesë. Kjo ka shkaktuar   krizë në Kishë ku, për shumë njerëz, jeta e krishterë duket e largët dhe abstrakte.

Jezusi na fton të bëjmë zgjedhje rrënjësore: ta vendosim marrëdhënien tonë me Të përpara çdo lidhjeje tjetër, jo si mohim i dashurisë, por si pohim që na kujton se jeta e vërtetë mund të gjendet vetëm te Zoti. Pa harruar se për këtë duhet guxim edhe për ta "humbur jetën", në kuptimin biologjik dhe psikik, e për ta rigjetur gjetur pastaj në përmasën e përjetshme.

Së fundi, Jezusi përdor metaforën e lindjes, për të shpjeguar se rilindja shpirtërore është hap i dhimbshëm, por i domosdoshëm. Çdo njeri është i thirrur të dalë nga "mitra" e tij e origjinës, për të mirëpritur përkryerjen e jetës së amshuar. Shën Françesku i Asizit është shembull i njeriut që braktisi çdo siguri, për të përqafuar plotësisht jetën e re në Krishtin. Së fundi, rilindja e vërtetë nuk është iluzion, por realitet i arritshëm për ata që pranojnë të shndërrohen plotësisht nga Shpirti, duke jetuar tashmë premtimin e amshimit.

12 mars 2025, 12:59