Atë Pasolini: hyrja në jetën e pasosur varet nga dashuria e jetuar pa llogaritje
R.SH. / Vatikan
Shëmbëlltyra e gjyqit të mbram, e treguar në Ungjillin e Mateut dhe e pikturuar në afreskun e famshëm të Mikelanxhelos, zakonisht interpretohet si thirrje për bamirësi. Gjithsesi, analiza më e vëmendshme zbulon një perspektivë mahnitëse: nuk është gjykim në kuptimin tradicional, por në kuptimin e një deklarate që zbulon realitetin, tashmë të jetuar nga çdo njeri. Kriteri për të hyrë në Mbretëri të Zotit nuk është përkatësia fetare, por dashuria konkrete ndaj vëllezërve më të vegjël të cilët, në këndvështrimin ungjillor, përfaqësojnë dishepujt e Krishtit. Prandaj, përgjegjësia e të krishterëve nuk është kryesisht dhe vetëm të bëjnë mirë, por t'u mundësojnë edhe të tjerëve ta bëjnë këtë.
Për më tepër, shëmbëlltyra ungjillore përmbys sensin e përbashkët të gjykimit: të drejtët dhe të mbrapshtët tregojnë habi nga fjalët e Mbretit, shenjë që tregon se e mira e arritur në to ishte jetuar natyrshëm dhe pa vetëdije. Kjo tregon se besimi në jetën e amshuar nuk varet nga shërbimi moral, por nga aftësia për të jetuar në dashuri, pa bërë llogari.
Katekizmi pohon se, në mbarimin e kohëve, Mbretëria e Zotit do të duket plotësisht, duke e shndërruar njerëzimin dhe gjithësinë në "qiej të rinj e tokë të re" (CCC 1042-1044). Kjo shpresë rrënjoset në premtimin e Krishtit, i cili na fton ta jetojmë që tani këtë perspektivë, pa ankth, por me besimin se është vetë Zoti që e shndërron natyrën tonë njerëzore në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e tij, sipas atij plani dashurie, që ishte që në fillim të fillimit.
Jezusi nuk e shpalli jetën e pasosur si realitet të ardhshëm dhe të largët, por si kusht tashmë të arritshëm për ata që e dëgjojnë fjalën e Tij dhe që besojnë në Atin (Gjn 5,24). Ungjilli na fton të pranojmë se jeta e amshuar tashmë ka nisur: ajo duket në mënyrën se si jetojmë dhe si duam, duke na hapur rrugën drejt pranisë shndërruese të Zotit. E papritura e vërtetë e gjyqit të mbram do të jetë zbulimi se Hyji nuk priste asgjë nga ne, përveçse të na njohë plotësisht si bij, tashmë të përjetshëm në amshimin e tij.