MAP

Forumi i OSBE-së për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Forumi i OSBE-së për Sigurinë dhe Bashkëpunimin

Selia e Shenjtë: Inteligjenca Artificiale burim "paqeje", por edhe kërcënim potencial "ekzistencial"

Në Forumin e OSBE-së për Sigurinë dhe Bashkëpunimin, vëzhgues i përhershëm i Vatikanit, imzot Richard Gyhra, paralajmëroi për rreziqet, që lidhen me përdorimin e teknologjive të reja në fushën ushtarake, duke filluar nga Inteligjenca Artificiale, pasi është e pamundur të mbahen ato nën kontroll vetëm përmes algoritmeve

R.SH. – Vatikan

Të mbahet nën kontroll zhvillimi i "teknologjive të reja" që ato t’i shërbejnë së mirës së përbashkët dhe dinjitetit njerëzor, duke refuzuar një botë ku konfliktet dhe vendimet dominohen nga algoritmet. Ky është vizioni i Selisë së Shenjtë, i shprehur dje, më 26 shkurt, në Forumin e OSBE-së për Sigurinë dhe Bashkëpunimin, mbajtur në Vjenë, nga Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë, imzot Richard Gyhra.

Përgjegjësitë e njeriut

“Nuk mund t’u shpëtojmë pyetjeve serioze etike, që lidhen me sektorin e armatimeve”: me këto fjalë të Papës Françesku, e hapi imzot Gyhra fjalimin e tij me temë “Përdorimi i përgjegjshëm ushtarak i teknologjive të reja dhe emergjente”. Në qendër të reflektimit të tij, nevoja për të mbrojtur "parimet etike", bazë e vlerave të çdo njeriu, të aftësisë së tij për shoshitje e "për të marrë përsipër përgjegjësitë".

Dëmet e luftës perceptohen më pak

Duke folur për teknologjitë e reja, imzot Gyhra u përqendrua në Inteligjencën Artificiale, e cila mund të jetë mjet "paqeje" dhe "sigurie", por edhe kërcënim potencial "ekzistencial" për njerëzimin. Përdorimi i sistemeve të telekomanduara për operacionet ushtarake, theksoi ai, mund ta zvogëlojë "perceptimin e shkatërrimit" të shkaktuar nga lufta, siç është theksuar edhe në notën e fundit vatikanase “Antiqua et Nova”, kushtuar marrëdhënieve ndërmjet Inteligjencës Artificiale dhe Inteligjencës Njerëzore.

Paqartësi ligjore dhe çështje etike

Një rrezik i mëtejshëm përfaqësohet nga përdorimi në rritje i "teknologjive autonome", të cilat ka rrezik t'ua delegojnë vendimet ushtarake makinave, duke i lënë pa mbikëqyrje njerëzore. Kjo sjell "paqartësi ligjore" dhe çështje serioze etike. Në këtë kuadër, imzot Gyhra përmendi Sistemet e Armëve Autonome Vdekjeprurëse, që mund të identifikojnë dhe të godasin objektiva pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë njerëzore. "Asnjë makinë nuk duhet të zgjedhë kurrë t'i marrë jetën një qenieje njerëzore", përsëriti ai një nga shprehjet më të njohura të Papës Françesku.

Në qendër, zhvillimi i gjithanshëm njerëzor

Shqetësimet e shprehura nga Selia e Shenjtë, sqaroi prelati, nuk synojnë pengimin e progresit, por duan të inkurajojnë punën kërkimore dhe zhvillimin etik të teknologjive të reja. Qëllimi është integrimi i tyre në një “kornizë më të gjerë”, që nuk kufizohet në dobinë dhe efikasitetin e tyre, por mendon të vendosë në qendër promovimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor.

27 shkurt 2025, 15:40