MAP

Sheshi i Shën Pjetrit Sheshi i Shën Pjetrit

Në Sheshin e Shën Pjetrit, rruzarja për shëndetin e Papës

Salla e Shtypit e Vatikanit njofton se “për t’iu përgjigjur ndjenjave të  popullit të Zotit”, duke filluar nga ora 21:00, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, do të kremtohen disa çaste lutjeje me kardinajtë banues në në Romë dhe bashkëpunëtorët e Kuries Romake. Takimin e sontëm e kryeson Kardinali Parolin

R.SH. - VATIKAN

Nga mbrëmja e sontme, kardinajtë rezidentë në Romë, me të gjithë bashkëpunëtorët e Kuries Romake dhe të Dioqezës së Romës, "duke iu gjegjur ndjenjave të popullit të Zotit", do të takohen në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në orën 21:00, për të thënë Rruzaren Shenjte kushtuar shëndetit të Papës, kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin. Lajmi bëhet i ditur sot nga Zyra e Shtypit.

 Takimi do të mund të ndiqet në transmetim në portalin Vatican News, në kanalet sociale dhe drejtpërdrejt në Radio Vatikan.

Një popull në lutje

Besimtarët kudo në botë vazhdojnë t'i luten Zotit për shëndetin e Papës. Kështu mblodhën edhe mbrëmë për të thënë Rruzaren, kushtuar Papës, kryesuar nga Kardinali Matteo Zuppi, kryetar i CEI, në Kishën e Shën Domenikut në Bolonjë. Konferenca Ipeshkvnore Italiane njoftoi se kjo është e para nga një seri ngjarjesh që do t’i përfshijë "të gjitha Kishat në Italinë e bashkuar”. E, duke iu përgjigjur kësaj ftese nga Kisha në Itali për të shpeshuar lutjen, bashkësia e Poliklinikës Universitare Gemelli - ku Papa është shtruar që nga 14 shkurti – si dhe selia romake Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit", për të “shprehur edhe më fort afërsinë dhe mbështetjen ndaj Atit të Shenjtë Françesku në këtë çast prove dhe vuajtjeje”, filloi që sot një sërë nismash shpirtërore “për të gjithë kohën e shtrimit të Atit të Shenjtë në këtë Poliklinikë”.  

Sot paradite në Kapelën e Shën Gjon Palit II, që ndodhet në sallën e Spitalit të Gemellit, u mbajt një orë adhurimi të të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë e, më pas, kremtimi i Meshës, në orën 13:05. Në të dyja çastet, të pranishmit u luten në mënyrë “të veçantë” për Papën Françesku.

Në orën 16.30, me të njëjtin ndjet, u tha Rruzarja pranë shtatores së Shën Gjon Palit II, në sheshin përballë Poliklinikës Gemelli. Pasoi një Meshë tjetër në Kapelën e Sallës. Këshilli i Administratës i Fondacionit Universitar Gemelli IRCCS i mbledhur sot për një takim të zakonshëm me Kryetarin Daniele Franco dhe Rektoren e Universitetit, Elena Beccalli, morën pjesë në Meshë, në orën 13:05, kryesuar nga Imzot Claudio Giuliodori, asistent i përgjithshëm kishtar i Universitetit Katolik Italian dhe i Veprimit Katolik Italian.

24 shkurt 2025, 15:18