MAP

2025.02.24  Recita del Rosario

Në Shën Pjetër, Rruzarja për Papën. Sot, e kryeson kard. Tagle

R.SH. – Vatikan

Në të njëjtin shesh ku në ditën e tij të parë si Papë bekoi njerëzit dhe kërkoi bekimin e tyre, besimtarët mblidhen në mbrëmje, që nga dita e djeshme, për t’u lutur për Atin e Shenjtë Françeskun, shtruar në spitalin Gemelli të Romës. Të rinj, familje, meshtarë, murgesha, kardinaj rezidentë në Romë, krerët e dikastereve dhe anëtarët e Kuries Romake u mblodhën mbrëmë në sheshin e Shën Pjetrit, në orën 21.00 e mblidhen edhe sot, për të thënë së bashku Rruzaren e për t’i kërkuar Zotit shërimin e shpejtë të Papës. Sot, lutja kryesohet nga pro-prefekti i Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin, kardinali Luis Antonio Gokim Tagle, ndërsa mbrëmë, u kryesua nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Rruzare dhe meshë nga e gjithë bota

Qindra njerëz – pavarësisht shiut të pasdites së djeshme dhe grevës së transportit në Romë – iu përgjigjën thirrjes për këtë nismë në Vatikan, e cila iu shtua maratonës së lutjeve, që filloi të shtunën në dioqeza të ndryshme në mbarë botën. Mbrëmë, ora 21.00, mblodhi në meshë në Villas Miserias, edhe kryedioqezën e Buenos Ajresit, vendlindja e Jorge Mario Bergoglio-s. Lajmet për shëndetin e Atit të Shenjtë, shtruar në Poliklinikën Gemelli që nga data 14 shkurt, kanë shkaktuar një valë dashurie dhe afërsie për Papën 88-vjeçar, materializuar në Rruzare dhe meshë.

  (ANSA)

Parolin: lutje intensive për Atin e Shenjtë

“Në Veprat e Apostujve thuhet se Kisha lutej intensivisht ndërsa Pjetri ishte në burg. Për dy mijë vjet, populli i krishterë është lutur për Papën kur është në rrezik, ose i sëmurë”, vuri në dukje mbrëmë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, para fugures së Zojës – Shëndeti i të Sëmurëve. “Edhe në këto ditë, në të cilat Ati i Shenjtë Françesku është shtruar në Poliklinikën Gemelli, një lutje intensive i lartohet Zotit për të nga besimtarë individualë dhe bashkësi të krishtera në mbarë botën”.

"Duke filluar nga kjo mbrëmje", njoftoi kardinali Parolin, "duam të bashkohemi publikisht, këtu në shtëpinë e tij, për Rruzaren Shenjte. Ia besojmë ndërmjetësimit të fuqishëm të së Lumes Virgjër Mari, së cilës i lutemi me titullin Salus infirmorum. Ajo, që është Nëna jonë e dashur, ta mbështesë në këtë çast sëmundjeje e sprove dhe ta ndihmojë të shërohet sa më shpejt". Është urimi e lutja, që i vijnë Papës nga e gjithë bota. Ajo lutje që, kurdoherë, në fund të çdo fjalimi apo katekeze, ai vetë ua kërkon besimtarëve, sepse – siç ka thënë shpesh – lutja “është si armaturë për çdo bari” të Kishës.

  (ANSA)
25 shkurt 2025, 13:20