Në Bejrut, ku ndryshimi fillon me të rinjtë e krishterë. Kard. Czerny: bëhuni dritë në errësirë
R.SH. – Vatikan
Nëse nuk do të ishin ndërtesat e nxira, ose ato të shkatërruara nga shpërthimi i portit i vitit 2020, Bejruti do të dukej një qytet me rutinë normale dhe jo një nga më të vuajturit e gjithë Lindjes së Mesme. Në këtë skenar jeton një popullsi e shtypur nga kriza e rëndë ekonomike, që ka shtyrë mijëra të rinj të emigrojnë. Nuk mungojnë edhe pasojat e luftës së fundit izraelito-palestineze, që ka shkatërruar zonën jugore, me dëme në kryeqytet e me krizën e refugjatëve.
Libani ka afërsisht shtatë milionë banorë, tre milionë e gjysmë prej të cilëve janë refugjatë: sirianë, palestinezë, madje edhe afrikanë dhe aziatikë, që shërbejnë si punëtorë. Këtu ndodhet që nga dita e djeshme (19 shkurt), Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Michael Czerny, i dërguar nga Papa për t’u shprehur afërsinë besimtarëve dhe gjithë Kishës lokale të Libanit. Kardinali, që do të qëndrojë në vend deri më 23 shkurt, u lut për shëndetin e Atit të Shenjtë para shtatores së Zojës së Libanit, e cila ndodhet në një kodër 600 metra të lartë, me pamje nga qyteti dhe deti.
Luftëra pa fund
Lutja për Papën karakterizoi edhe fillimin e takimeve të kardinalit në kryqytetin libanez, i cili, që nga viti 1975, ka përjetuar një luftë pas tjetrës. Konflikti i fundit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut ka ndryshuar ekuilibrin delikat ekzistues, duke e rritur masën e refugjatëve, që lëvizin nga Jugu drejt qendrës dhe veriut. Janë pritur sidomos nga Kisha Katolike, e cila në Liban ka një strukturë të fuqishme, i dëgjohet zëri dhe është e lirë, rast i rrallë ky e, ndoshta, unik në Lindjen e Mesme.
Problemet e sjella nga kriza
Njerëzit marrin frymë më lirisht pas zgjedhjes së presidentit të ri Joseph Aoun, që i dha fund amullisë, në të cilën ishte zhytur vendi, por problemet nuk mungojnë. Duhet punuar për të forcuar shtetin dhe pozitën e Kishës, për të fituar besimin e kombit dhe të bashkësisë ndërkombëtare, nënvizojnë ipeshkvijtë. Aktualisht, ende nuk ka investime, njerëzit nuk kanë fonde në dispozicion, asnjë i ri nuk mund të planifikojë të martohet apo të blejë një shtëpi. Shumë janë kthyer për të punuar tokën e është hapur sërish ndonjë dyqan, por njerëzit arrijnë me vështirësi në fund të muajit. Gjithsesi, libanezët e diasporës dërgojnë çdo vit 7-8 miliardë dollarë. Akt solidariteti, që i tregon popullsisë se nuk është braktisur.
Afërsia me njerëzit
Afërsia me njerëzit është objektivi i misionit të kardinalit Czerny, i cili në ditët në vijim do të vizitojë Tripolin dhe fshatrat e tjera në jug. Dje dhe sot, pati një sërë takimesh institucionale: sot paradite, fjalimi në Asamblenë e Patriarkëve dhe Ipeshkvijve Katolikë të Libanit (APECL), arsyeja kryesore e udhëtimit; mbrëmë, vizita te kardinali Béchara Boutros Raï, Patriarku i Maronitëve, në selinë e Patriarkanës në Bkerké, si edhe dialogu me të rinjtë e Akademisë së Lidershipit për Paqe, nismë e mbështetur nga Dikasteri, që synon formimin e të rinjve katolikë nën 35 vjeç në Lindjen e Mesme e Afrikën e Veriut, duke u dhënë mendësinë e nevojshme për t’u bërë udhëheqës politikë, me parimet dhe vlerat e Doktrinës Shoqërore Katolike.
Në varrin e atë Kolvenbach
Kardinali shkoi për t’u lutur edhe në varrin e atë Peter Hans Kolvenbach, jezuitit holandez, epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit nga viti 1983 deri në vitin 2008, i cili dha mësim në Liban dhe aty e "la zemrën", duke kërkuar që të varrosej në atë tokë. “Në dritën e Koncilit II të Vatikanit – deklaroi kardinali Czerny për mediat vatikanase – atë Kolvenbach rinovoi dhe sistemoi pa u lodhur të gjitha aspektet e përshpirtërisë, të bashkësisë, të formimit e sidomos, të misionit të Shoqërisë së Jezusit. Punë, që arriti kulmin, me rishikimin e Rregullave themeltare në vitin 1995”. Trashëgimia e atë Kolvenbach vijon tani në Kolegjin e frekuentuar nga 3300 studentë, kryesisht të krishterë. 2% e studentëve janë myslimanë.
Shpresë për vendet, që përjetojnë të njëjtat probleme
Në takimin me të rinjtë, në nunciaturën apostolike, kardinali Czerny, dëgjoi dëshmitë e tyre, i falënderoi, duke u thënë se mund të jenë shpresë edhe për vendet e tjera, që përjetojnë të njëjtat probleme si Libani. “Bëhuni dritë në errësirë”, u kërkoi ai. E duke huazuar mësimet e themeluesit të jezuitëve, shën Injacit të Lojolës, u la këtë këshillë: "Lutuni sikur gjithçka të varej nga Zoti; punoni sikur gjithçka të varej nga ne”. Në fund të takimit, të pranishmit thanë së bashku lutjen "Ati ynë" për "shërimin e shpejtë" të Papës.