Konferenca në Vatikan, trashëgimia kulturore fetare dhe kodi i paqes
R.SH. / Vatikan
Ne ndërtojmë ura ndërmjet së shkuarës dhe së ardhmes, jo vetëm si rojtarë të kujtesës, por si lojtarë aktivë, që e venë në lëvizje trashëgiminë kulturore fetare. Muzetë në mbarë botën po e mirëpresin sfidën e nisur gjatë takimit ndërkombëtar Sharing Hope - Horizons for Cultural Heritage (Ndarja e Shpresës - Horizonte për Trashëgiminë Kulturore) organizuar të shtunën e kaluar, më 15 shkurt, nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Kulturën, Arsimin dhe Muzetë e Vatikanit në Sallën e konferencave të Koleksioneve Papnore. “Përvoja fetare e ka pasuruar realitetin kulturor të botës, duke na kërkuar ta rikrijojmë dhe ta rimësojmë kuptimin e tij”: kjo, thirrja e kardinalit José Tolentino de Mendonça, Prefekt i Dikasterit.
Komunikim i ri i trashëgimisë fetare
Në takimin, zhvilluar në kuadrin e kremtimeve për Jubileun e Artistëve dhe të Botës së Kulturës, morën pjesë rreth 130 vetë: përfaqësues të muzeve, profesionistë të industrisë, studiues dhe institucione kulturore. Qëllimi është të gjinden gjuhë dhe strategji të reja për vlerësimin dhe transmetimin e trashëgimisë fetare dhe artistike.
Përshëndetje Papës
Mendimi i parë i pjesëmarrësve ishte për Françeskun: “Ai është në zemrat tona” - kujtoi Kardinali, duke shpresuar përmirësimin e shpejtë të shëndetit “të Atij, që është me ne, na shikon dhe e mbështet projektin për të cilin u mblodhëm sot ”.
Të rinjtë dhe përvoja fetare, sfidë
Sipas Kardinalit De Mendonça, takimi ndërkombëtar propozohet si "i nevojshëm dhe urgjent" edhe në dritën e distancimit progresiv të brezave të rinj nga praktika fetare. “Të rinjtë janë trashëgimtarë të trashëgimisë kulturore”- shpjegoi - e “përvoja fetare ka pasuruar realitetin kulturor, muzikën, poezinë dhe artet pamore në mbarë botën”.
Nuk ka kulturë pa përmasa fetare
T’i rilidhësh marrëdhëniet e shoqërisë, të kulturës dhe të fesë është shqetësim i përbashkët: bashkon Kishën me institucionet kulturore. Punimet e konferencës ndërkombëtare përmblidhen në “Manifestin” edukativ të bashkëpërgjegjësisë për transmetimin e kodit kulturor të feve, publikuar pasdite.
Kardinali Tolentino de Mendonça shpreson për takime kuptimplota, dialogë dhe aleanca ndërmjet aktorëve të aftë për të dëgjuar njëri-tjetrin, sepse pa njohjen e kodit kulturor fetar, njeriu bëhet i huaj për veten e tij. Trashëgimia fetare është trashëgimi e njerëzimit. Nuk ka kulturë nëse nuk integrohet edhe përmasa fetare.
E kaluara, e tashmja, e ardhmja
Ndryshimet e papritura sociale stimulojnë zgjidhje krijuese. “Mos e përjashtoni kurrë përdorimin e teknologjive të reja”, fton drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta: “Shoqëria, muzetë, arti kanë ndryshuar rrënjësisht që nga jubileu i fundit: ne duam të përdorim mjetet dixhitale, inteligjencën artificiale, rrjetet sociale, format e komunikimit, madje edhe ato bashkëkohore, për të pasur një pamje me dy faqe, domethënë, duke parë të tashmen dhe të ardhmen për të jetuar”. Rëndësia e formave të reja të komunikimit dixhital për të kundërshtuar injorancën gjithnjë e më të përhapur të ikonografisë fetare, u nënvizua edhe nga Miguel Falomir Faus, drejtor i Museo Nacional del Prado.
Kultura për të mirën e përbashkët
“Përparësia është që muzetë të ndiqen, të jenë për të gjithë. Krahasuar me vitin 2000, sot hapësirat tona të ekspozitës janë më pak elitiste” - vëren Massimo Osanna, drejtor i përgjithshëm i Muzeve të Ministrisë së Trashëgimisë Kulturore dhe Veprimtarive, duke përmendur shembuj për t’u vlerësuar, si përfshirja e shkollave në krijimin e hapësirave të reja ekspozuese ose dialogu i frytshëm i Muzeut të Qytetërimeve në Romën e sotme me bashkësitë e sotme në Romë.
“Vepra e artit është mjet i vlerave njerëzore dhe i fesë universale”- pohon Gabriele Finaldi, drejtor i Galerisë Kombëtare në Londër, duke kujtuar kohën e bombardimeve të Londrës gjatë Luftës II Botërore. Veprat e artit u ruajtën dhe nga viti 1942 e tutje çdo muaj nisi të ekspozohej një kryevepër: ekspozimi i Noli me tangere (Mos më prek) të Ticianit për publikun, do të thoshte "shprehje e dëshirës për bashkim me të dashurit e vdekur, e shpresës për t’u takuar përsëri pas jetës tokësore - në jetën e pasosur".
Për të "ripërcaktuar kuptimin e shenjtërisë sot", drejtori i Muzeut Egjiptian të Torinos, Christian Greco, në vend të kësaj ftese, na nxit të rizbulojmë kuptimin e së shenjtës në epokat e kaluara: "hyjnorja ka qenë gjithnjë e pranishme në Egjiptin e lashtë” - pohon.
Simbolet fetare flasin sërish
Nga ky këndvështrim, për të parandaluar që feja të bëhet objekt manipulimi dhe shfrytëzimi ideologjik në kohërat e trazuara nga konfliktet në pjesë të ndryshme të botës, sipas kardinalit Tolentino de Mendonça, "është e nevojshme që njohuritë e botës fetare të jenë të pranishme në kulturën e të rinjve tanë". Kardinali de Mendonça kujton, kështu, procesin e avancuar e "ndonjëherë edhe agresiv të laicizimit" që e ndërpret marrëdhënien e natyrshme me fenë: "është e nevojshme të propozohet rruga e njohjes së anasjelltë, në mënyrë që të njihet vlera e fesë si "burim kulturor". Peizazhi urban është i pasur me simbole fetare”, por - vëren prefekti i Dikasterit të Kulturës dhe Arsimit - shpesh nuk e kuptojmë domethënien e tyre, “janë bërë memece: nëse nuk dimë t’i lexojmë, simbolet nuk e tregojnë historinë e tyre”. Prej këndej, nevoja për një “mistagogë kulturore, një fillim kulturor” që përfshin besimtarë dhe jobesimtarë, të gjithë trashëgimtarë të traditës fetare dhe të krishterë.