MAP

Nënë Tereza Nënë Tereza

Kard. Roche: Nënë Tereza dëshmitare e jashtëzakonshme e shpresës për të përjashtuarit

Prefekti i Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve shpjegon vendimin e Papës për ta përfshirë shenjten shqiptare në Kalendarin e Ritit Romak më 5 shtator, si përkujtim liturgjik fakultativ: "Përfshirja e këtij kremtimi na ndihmoftë ta kundrojmë këtë grua, fener shprese, me shtat të vogël, por të madhe në dashuri, dëshmitare e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur në mbrojtje të çdo jete njerëzore dhe të gjithë të braktisurve”

R.SH. – Vatikan

“Më 24 dhjetor 2024, ditën në të cilën Papa Françesku hapi Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, duke shënuar fillimin e Vitit Jubilar të Shpresës, Dikasteri për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve nxorri një Dekret në emër të Atit të Shenjtë (Prot. N. 703/24), me të cilin kremtimi i Shën Terezës së Kalkutës, virgjër, u përfshi në Kalendarin e Ritit Romak më 5 shtator, si përkujtim liturgjik fakultativ”. Fillon kështu nota e sotme (11 shkurt) e Prefektit të Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, kardinalit Arthur Roche, ku pasi shpjegohet dekreti në fjalë e arsyet e Atit të Shenjtë, që dëshiron ta propozojë shenjten shqiptare të bamirësisë, si “dëshmitare të jashtëzakonshme të shpresës për ata, që janë përjashtuar në jetë”, bëhen disa komente për liturgjinë e 5 shtatorit.

“Në tekstet liturgjike të këtij kremtimi - shkruan kardinali Roche – Lutja nxjerr në pah thelbin e përshpirtërisë së saj: thirrjen për t’ia shuar etjen Jezu Krishtit në Kryq, duke iu përgjigjur me dashuri nevojave të më të vuajturve. Për këtë arsye, i lutemi Hyjit Atë që, duke imituar shembullin e saj, t'i shërbejmë Krishtit të pranishëm në vëllezërit dhe motrat tona që vuajnë.

Përsa u përket Leximeve, i pari është një tekst nga Isaia profet mbi agjërimin e pëlqyeshëm për Hyjin (shih Is 58,6-11), i ndjekur nga Psalmi 33: "Do ta bekoj Zotin në çdo kohë".

Ungjilli - vijon më tej kardinali Roche - i paraprirë nga Aleluia, e cila nxjerr në dukje zbulesën e mistereve të Mbretërisë së Zotit për të vegjlit (shih Mt 11,25), paraqet tekstin e bukur të Ungjillit sipas Mateut, i cili, pasi rendit veprat e mëshirës, ​​përmban fjalët, që Nënë Tereza i bëri të jetohen në një mënyrë të mrekullueshme: “çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40).

Përsa i përket Liturgjisë së Orëve, pas notës hagjiografike, Leximi i dytë liturgjik është tekst nga letra, që shenjtja i shkroi Atë Joseph Neuner-it në vitin 1960, në të cilën, duke ia hapur zemrën, i tregon për terrin e mungesës së Zotit, me të cilin jetoi për shumë vite, por që ia ofroi me gëzim Hyjit, me qëllim që, përmes durimit plot besim të kësaj sprove, shumë shpirtra të mund të shndriteshin.

Tekstet liturgjike përfundojnë me elozhin e Martiriologut Romak, që tani e vendos në vendin e parë të kremtimeve të 5 shtatorit.

Përfshirja e këtij kremtimi në Kalendarin e Përgjithshëm Romak – uron, së fundi, kardinali Roche - na ndihmoftë ta kundrojmë këtë grua, fener shprese, me shtat të vogël, por të madhe në dashuri, dëshmitare e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur në mbrojtje të çdo jete njerëzore dhe të gjithë të braktisurve, të flakurve dhe të përbuzurve, edhe në fshehtësinë e barkut të nënës”.

11 shkurt 2025, 12:57