Kard. Gugerotti: Ungjilli, mburojë për sulmet kundër dinjitetit njerëzor
R.SH. – Vatikan
Ashtu si Shën Pali apostull, i cili e mbrojti me të gjitha forcat të vërtetën, “pa shtirje, pa dinakëri, pa u sjellë si oborrtar frikacak”, ashtu edhe çdo bariu të Kishës i kërkohet “ta ruajë këtë lloj virgjërie të zemrës në shërbim të së vërtetës, si bashkëpunëtor në shërbesën universale të Ipeshkvit të Romës”. Këtë pohoi Prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore, kardinali Claudio Gugerotti, gjatë meshës së kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit më 19 shkurt, për shugurimin ipeshkvnor të imzot Filippo Ciampanelli-t, zv.sekretar në të njëjtin dikaster të Selisë së Shenjtë. Së bashku me të, kremtuan Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, kryeipeshkvi Edgar Peña Parra dhe ipeshkvi i Novarës, imzot Franco Giulio Brambilla, nga vendlindja e prelatit të ri, që u përfaqësua edhe me një grup prej rreth 600 vetësh.
Fillimisht, të gjithë u lutën për shëndetin e Papës Françesku, i shtruar në spitalin Gemelli të Romës. Pastaj, duke iu drejtuar ipeshkvit titullar të Acque di Mauritania (Algjeria e sotme), kardinali kujtoi përvojën e tyre të përbashkët në misionet diplomatike në Gjeorgji, Armeni, Azerbajxhan dhe Bjellorusi. Nuk është e lehtë të jesh gjithmonë në shërbim të së vërtetës, nënvizoi Gugerotti, "në rolin që ke kryer dhe kryen, rol, i cili të ka hapur horizonte të shkëlqyera të një globaliteti, që shpesh, është i panjohur për shumicën - të mësuar, siç jemi, me lidhjen dritëshkurtër me një copëz të vogël terreni, mbi të cilin veprojmë".
Për këtë arsye, nënvizoi kardinali-Prefekt, pasioni për ungjillëzimin duhet të jetë i tillë që ta "mbrojë lavdinë e Zotit nga sulmet e tiranëve, të cilët duan t'i heqin njeriut dinjitetin, frytin e dashurisë së veçantë të Zotit Krijues dhe Shëlbues". "Kisha – vijoi kardinali Gugerotti - punon pa u lodhur, duke e ngritur lart zërin për të mbrojtur të vegjlit, të fundmit, të sëmurët, të përndjekurit, të vuajturit, me një fjalë, ata që i quajmë viktima të shoqërisë", sepse "këta njerëz janë krijuar në përngjasim e shembëllim me Zotin, të destinuar për një histori të përjetshme dashurie, përtej kohës së shkurtër të shtegtimit tonë tokësor". Atëherë, me këtë vetëdije, e nxiti kardinali imzot Ciampanelli-n, "baritoria e së dielës, nga e cila, natyrisht, nuk do të heqësh dorë, përfaqësuar nga ata që ke takuar në famullinë, ku ke shërbyer me besnikëri për vite të tëra, nuk është gjë tjetër veçse epifania e asaj, së cilës je i thirrur t’i shërbesh në fshehtësinë e tryezës së punës, mbi të cilën do të konsumohet një pjesë e madhe e ditës dhe e forcave të tua”.