Imzot Gallagher: tre vjet vuajtje të mëdha për Ukrainën, jo më luftëra
R. SH. – Vatikan
Në përvjetorin e tretë të fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë në vendin e Evropës Lindore, Ukrainë, apeli i Selisë së Shenjtë është "i vendosur dhe urgjent" dhe i drejtohet "të gjitha palëve të përfshira": për t'i dhënë fund konfliktit që në këto tre vjet "i ka shkaktuar Ukrainës vuajtje të pamasë, me viktima të shumta, duke përfshirë shumë civilë të pafajshëm dhe duke e lënë vendin të shënjuar nga shumë akte të shkatërrimit".
Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, transmeton mesazhin dhe shqetësimin e Selisë së Shenjtë me rastin e takimit të 1509-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që po zhvillohet aktualisht në Vjenë. Duke folur, në një video, kryeipeshkvi Gallagher denoncoi “pasojat tragjike humanitare” të këtyre tre viteve të konfliktit, i cili, përveç vdekjeve dhe lëndimeve të shumta, ka shkaktuar “dëm të konsiderueshëm në infrastrukturën kritike dhe degradim mjedisor, duke e përkeqësuar më tej krizën”.
Angazhimi për fëmijët dhe të burgosurit
Imzot Gallagher ripohon angazhimin e Selisë së Shenjtë për të lehtësuar riatdhesimin e fëmijëve dhe, në të njëjtën kohë, inkurajon lirimin e të burgosurve, veçanërisht atë të ushtarëve dhe civilëve të plagosur rëndë. “Lufta është një tragjedi e madhe. Është mohimi i njerëzimit”, tha Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet në film, duke cituar fjalët e shqiptuara shpesh nga Papa Françesku: “Të mos harrojmë se lufta është gjithmonë një disfatë, gjithmonë”.
OSBE-ja Institucion kyç për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme
Në këtë këndvështrim, Selia e Shenjtë i bën thirrje OSBE-së si një "institucion kyç në ndjekjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe duke përfshirë të gjitha palët në konflikt". "Rivendosja dhe ruajtja e paqes, sigurisë dhe marrëdhënieve harmonike midis Shteteve pjesëmarrëse duhet të mbetet një prioritet themelor" për Organizatën, e cila, theksoi Kryeipeshkvi Gallagher, ka treguar një "dështim" fillimisht "në parandalimin e shpërthimit të luftës" dhe më pas "në lehtësimin e një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainë". E cila, thotë prelati, “pasqyron, pjesërisht, vullnetin e pamjaftueshëm politik të shteteve pjesëmarrëse”. Megjithatë, “nuk është kurrë tepër vonë për të rivendosur rëndësinë e Organizatës së OSBE-së si një forum shumëpalësh vërtet efektiv për dialog të hapur dhe të ndershëm, një bazë kjo e domosdoshme për çdo rrugë të qëndrueshme për arritjen e një paqeje të qëndrueshme”, pohon imzot Gallagher.
Rikuperimi i "shpirtit të Helsinkit"
Dhe si në fjalimin e tij në Maltë në Këshillin e 31-të Ministror të OSBE-së, në të cilin ai u kërkoi anëtarëve të angazhohen në dialog për të shëruar ndarjet, Imzot Gallagher kujton 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit. Domethënë, marrëveshjen e verës së vitit 1975 e cila, e nënshkruar nga tridhjetë e pesë shtete, i dha fund Luftës së Ftohtë. Nga fryma e kësaj marrëveshjeje lindi Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Dhe është ky “shpirti i Helsinkit” që shtetet pjesëmarrëse duhet të rikuperojnë në këtë epokë dramatike për njerëzimin.
Dialog konstruktiv dhe nxitje e bashkëpunimit
“Akti Final i Helsinkit mishëron një ide të bashkëndarë nga të gjitha Shtetet pjesëmarrëse se paqja nuk është thjesht mungesa e luftës ose ruajtja e një ekuilibri fuqie, por më tepër rezultat i nxitjes së marrëdhënieve miqësore, i nxitjes së angazhimit në dialog të respektueshëm e konstruktiv dhe bashkëpunimit”, thotë Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet. “Këto parime, të bazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe mbrojtjen universale të të drejtave të njeriut, janë po aq të rëndësishme sot sa ishin pesë dekada më parë.”