MAP

Ndihmat humanitare në Rripin e Gazës Ndihmat humanitare në Rripin e Gazës

Selia e Shenjtë: bllokimi i ndihmës humanitare në zonat e luftës minon dinjitetin njerëzor

Ndërhyrja e Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB, në Nju Jork, me rastin e Dialogut Ndëraktiv Informal me temë “Ruajtja e dinjitetit njerëzor në konfliktet e armatosura”: “Çdo shkelje e së drejtës ndërkombëtare humanitare është, në fund të fundit, dhunim i njeriut”

R.SH. - Vatikan

Nga dëshmia e hidhur se "konfliktet e armatosura në mbarë botën vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje të panevojshme mbi miliona njerëz të pafajshëm", u nis ndërhyrja e djeshme, 28 janar, e Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, gjatë Dialogut Ndëraktiv Informal në Nju Jork, me temë “Ruajtja e dinjitetit njerëzor në konfliktet e armatosura: promovimi i respektit për të drejtën ndërkombëtare humanitare”. Fjalimi u lexua nga këshilltari i Përfaqësisë së Vatikanit në OKB, imzot Robert Murphy.

Detyrim moral për të garantuar respektimin e njeriut

"Urgjenca e dialogut të sotëm nuk mund të banalizohet", pohoi ai. "Selia e Shenjtë pohon se respekti për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare i ka rrënjët në detyrimin moral për të garantuar respektimin e njeriut", nënvizoi delegati vatikanas. E kujtoi parimet dhe rregullat e parashikuara në Konventat e Gjenevës dhe në protokollet e tyre shtesë, bazuar në faktin se “çdo njeri ka një dinjitet të lindur e të pacënueshëm, që duhet mbrojtur".

Shkeljet e së drejtës humanitare

Në fjalimin e tij, imzot Murphy foli edhe për "erozionin gradual të dinjitetit hyjnor të çdo qenieje njerëzore, që është në bazën e ekzistencës". Kjo është prirje, nënvizoi ai, që “përfaqëson një dështim të rëndë të bashkësisë ndërkombëtare, një kërcënim të rëndësishëm jo vetëm për viktimat e luftës, por edhe për themelet morale të sigurisë globale”. “Çdo shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar është, në fund të fundit, dhunim i njeriut dhe fyerje ndaj dinjitetit të lindur, që ne të gjithë e kemi të përbashkët”, theksoi përfaqësuesi i Vatikanit.

Viktimat nuk duhet të reduktohen në dëme dytësore

Më pas, ai bëri thirrje që viktimat civile të mos "reduktohen kurrë në dëme të thjeshta dytësore": "Sulmet e drejtpërdrejta kundër civilëve dhe infrastrukturës civile, si shkollave, spitaleve dhe vendeve të kultit, janë shkelje tejet alarmuese të ligjit ndërkombëtar humanitar". Gjithashtu, shtoi imzot Murphy, “nuk mund të anashkalohet bllokimi i ndihmave humanitare në zonat e konfliktit dhe shtimi i sulmeve kundër personelit humanitar. Çdo veprim, që pengon dërgimin e ndihmave humanitare në këto zona është fyerje për dinjitetin e njerëzve, që jetojnë në kushte të tilla të pasigurta. Përveç kësaj, i ekspozon civilët e pafajshëm para rrezikut të vuajtjeve të papërshkrueshme dhe i privon ata nga nevojat themelore si ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor”.

Ndërhyrje e menjëhershme

Në emër të Selisë së Shenjtë, imzot Murphy përsëriti rëndësinë e ndihmës humanitare, duke garantuar njëkohësisht edhe mbrojtjen e personelit humanitar: “Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë tani, për të siguruar që e Drejta Ndërkombëtare Humanitare të respektohet, të mbështetet dhe të promovohet në të gjitha rrethanat”.

29 janar 2025, 14:17