Selia e Shenjt?: bllokimi i ndihm?s humanitare n? zonat e luft?s minon dinjitetin njer?zor
R.SH. - Vatikan
Nga dëshmia e hidhur se "konfliktet e armatosura në mbarë botën vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje të panevojshme mbi miliona njerëz të pafajshëm", u nis ndërhyrja e djeshme, 28 janar, e Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, gjatë Dialogut Ndëraktiv Informal në Nju Jork, me temë “Ruajtja e dinjitetit njerëzor në konfliktet e armatosura: promovimi i respektit për të drejtën ndërkombëtare humanitare”. Fjalimi u lexua nga këshilltari i Përfaqësisë së Vatikanit në OKB, imzot Robert Murphy.
Detyrim moral për të garantuar respektimin e njeriut
"Urgjenca e dialogut të sotëm nuk mund të banalizohet", pohoi ai. "Selia e Shenjtë pohon se respekti për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare i ka rrënjët në detyrimin moral për të garantuar respektimin e njeriut", nënvizoi delegati vatikanas. E kujtoi parimet dhe rregullat e parashikuara në Konventat e Gjenevës dhe në protokollet e tyre shtesë, bazuar në faktin se “çdo njeri ka një dinjitet të lindur e të pacënueshëm, që duhet mbrojtur".
Shkeljet e së drejtës humanitare
Në fjalimin e tij, imzot Murphy foli edhe për "erozionin gradual të dinjitetit hyjnor të çdo qenieje njerëzore, që është në bazën e ekzistencës". Kjo është prirje, nënvizoi ai, që “përfaqëson një dështim të rëndë të bashkësisë ndërkombëtare, një kërcënim të rëndësishëm jo vetëm për viktimat e luftës, por edhe për themelet morale të sigurisë globale”. “Çdo shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar është, në fund të fundit, dhunim i njeriut dhe fyerje ndaj dinjitetit të lindur, që ne të gjithë e kemi të përbashkët”, theksoi përfaqësuesi i Vatikanit.
Viktimat nuk duhet të reduktohen në dëme dytësore
Më pas, ai bëri thirrje që viktimat civile të mos "reduktohen kurrë në dëme të thjeshta dytësore": "Sulmet e drejtpërdrejta kundër civilëve dhe infrastrukturës civile, si shkollave, spitaleve dhe vendeve të kultit, janë shkelje tejet alarmuese të ligjit ndërkombëtar humanitar". Gjithashtu, shtoi imzot Murphy, “nuk mund të anashkalohet bllokimi i ndihmave humanitare në zonat e konfliktit dhe shtimi i sulmeve kundër personelit humanitar. Çdo veprim, që pengon dërgimin e ndihmave humanitare në këto zona është fyerje për dinjitetin e njerëzve, që jetojnë në kushte të tilla të pasigurta. Përveç kësaj, i ekspozon civilët e pafajshëm para rrezikut të vuajtjeve të papërshkrueshme dhe i privon ata nga nevojat themelore si ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor”.
Ndërhyrje e menjëhershme
Në emër të Selisë së Shenjtë, imzot Murphy përsëriti rëndësinë e ndihmës humanitare, duke garantuar njëkohësisht edhe mbrojtjen e personelit humanitar: “Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë tani, për të siguruar që e Drejta Ndërkombëtare Humanitare të respektohet, të mbështetet dhe të promovohet në të gjitha rrethanat”.