Kard. Parolin në Jordani: të heshtin armët! Të punojmë për paqen e bashkëjetesën
R.SH. – Vatikan
Me një thirrje të fuqishme për paqe dhe shpresë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i dërguar papnor në Jordani, kryesoi paraditen e sotme, më 10 janar, meshën për kushtimin e kishës së re të Pagëzimit të Jezusit, në lumin Jordan (Al-Maghtas), në vendin ku Gjon Pagëzuesi pagëzoi Birin e Hyjit, Jezu Krishtin.
Në homelinë e tij, kardinali nënvizoi se prania e tij në vend, e dëshiruar nga Papa, përfaqëson "një shenjë të prekshme të afërsisë së gjithë Kishës me bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme". Një afërsi, shtoi ai, e shprehur “në shumë mënyra gjatë këtyre muajve të dhimbshëm të luftës, veçanërisht përmes fjalëve të Françeskut".
"U bëj thirrje të gjithëve – vijoi prelati - të mos mposhten nga vështirësitë serioze të këtyre kohëve, me besim se Zoti e udhëheq historinë e njerëzve, edhe kur ajo mbart shenjat e dhunës, të mëkatit dhe të vdekjes. Në një çast historik me probleme serioze në këtë rajon, është e rëndësishme që edhe të krishterët të japin kontributin e tyre për një shoqëri të drejtë dhe paqësore”.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, i deleguar nga Papa në kryesimin e meshës së shugurimit të kishës, foli më pas për konfliktin izraelito-palestinez: "Dua ta hedh vështrimin përtej Jordanit, duke kërkuar të heshtin armët, të lirohen të burgosurit dhe pengjet, të garantohet e drejta humanitare dhe zemrat e krerëve të kombeve të binden se duhet kërkuar paqja dhe bashkëjetesa ndërmjet popujve. Nuk duhet të jetë dhuna ajo, që na e përcakton të ardhmen”.