MAP

Kardinali Tagle gjatë kremtimit Kardinali Tagle gjatë kremtimit

Kard. Tagle në festën e Kolegjit Urbanian: "Shtegtimi i shpresës tregon nismën e Zotit, që na çon te Jezusi"

Festa e Kolegjit Papnor Urbanian u kremtua mbrëmjen e së martës, 7 janar, në një atmosferë të gëzueshme lutjesh. I themeluar në fillim të shekullit të 17-të, pikërisht në vitin 1627 me Bulën papnore “Immortalis Dei Filius” të Urbanit VIII, Kolegji Papnor Urbanian vazhdon t'i përgjigjet qëllimit të tij fillestar: të formojë meshtarët e ardhshëm për trojet e misionit dhe Kishat e reja

R.SH. / Vatikan

Gjatë Meshës, me të cilën u hapën festimet, Kardinali Luis Antonio G. Tagle, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin (Seksioni për ungjillizimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta), në atmosferën e solemnitetit të Ujit të Bekuar, kujtoi Tre Mbretërit, për t’i ftuar të gjithë pjesëmarrësit ta bëjnë jetën e përditshme shtegtim drejt Jezusit duke ndjekur shembullin e tyre. Mbretërit nisën një shtegtim të gjatë, të nxitur dhe të udhëhequr nga drita e yllit. "Formimi i vazhdueshëm i seminaristëve dhe  i priftërinjve, murgeshave dhe profesorëve - nënvizoi Kardinali Tagle - duhet të jetë shtegtim, që na përgatit të jemi të bindur dhe të gatshëm për të dëgjuar vullnetin e Zotit".

Mesha, që u bashkëkremtua nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Salvatore Pennacchio, kryetar i Akademisë Papnore Kishtare, në prani të përfaqësuesve të Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, rektorëve të kolegjeve romake, ish-pedagogëve, ish-studentëve, profesorëve, murgeshave dhe shumë të ftuarve të tjerë, u pasua nga darka tradicionale festive, e gjallëruar nga këngët e disa grupeve: grupit SIMPATIV (seminaristët nga Indonezia, Myanmari, Papua Guinea e Re, Timori Lindor dhe Venezuela), grupit të Nigerisë dhe korit të Kolegjit.

Don Armando Nugnes, Rektor i Kolegjit Papnor Urbanian, duke falënderuar kardinalin Tagle për praninë atërore dhe shembullin e jetës misionare, u shprehu edhe të gjithë të ftuarve mirënjohjen, e jo vetëm për pjesëmarrjen e tyre, por kryesisht për rolin e çmuar që luajtën me mënyra të ndryshme në shoqërimin e priftërinjve të ardhshëm misionarë e edhe për nxitjen  e seminaristëve për të vazhduar udhën e tyre me fe e me shpresë.

10 janar 2025, 11:28