MAP

Sot pasdite, meshë për Sinodin e Ipeshkvijve

Në homeli, imzot Paul Rouhanna, vikar i Patriarkut maronit për rajonin e Sabës-Liban, theksoi: “Një i krishterë nuk i bën vetes pyetjen: “Kush është i afërmi im? ”, nga frika se mos e zgjedh atë sipas interesave të veta. Duke pasur parasysh pyetjen e Jezusit drejtuar njeriut të Ligjit në Ungjill, çdo i krishterë duhet ta pyesë veten: “A mund të jem i afërm i çdo viktime që takoj rastësisht, pavarësisht nga origjina e tij dhe për të cilin të kujdesem derisa të shërohet?”

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku mori pjesë sot, si zakonisht, në lutjen për Sinodin, në Sallën Pali VI, para se të shkonte në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Pasdite, në orën 16.00, ai mori pjesë në meshën për Sinodin kremtuar në altarin e katedrës së Shën Pjetrit. Po sot pasdite, në orën 18.00, dy Forume teologjiko-baritore, në kuadrin e sesionit të dytë të Asamblesë XVI të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve. I pari, në Augustinianum, me temë “Roli dhe autoriteti i ipeshkvit në një Kishë sinodale, ndërsa i dyti, në Sallën e Kuries së Jezuitëve, po në Romë, me temë “Populli i Zotit, subjekt i misionit”.

Kisha e Antiokisë e kontributi i saj për Kishën universale

         Në meshën për Sinodin, kremtuar në ritin siro-antiokian maronit, homelinë e mbajti imzot Paul Rouhanna, vikar i Patriarkut maronit për rajonin e Sabës-Liban.

Që në fillim, ai sqaroi kuadrin e Kishës së Antiokisë, që përfaqëson. Peripecitë e historisë e kanë ndarë në pesë degë: greko-ortodoksët dhe greko-katolikët melkitë, siro-ortodoksët dhe siro-katolikët, si edhe maronitët. Ipeshkvi kujtoi se në Antioki dishepujt u quajtën për herë të parë “të krishterë”, gjë që tregon unitetin e karizmave të ndryshme të kësaj Kishe në Jezu Krishtin, pavarësisht nga ndryshimet. Ai përmendi shenjtorët e Kishës së Antiokisë, si shën Charbel Makhlouf, shpallur i tillë nga Papa shenjt Pali VI, si edhe 11 martirët, që do të kanonizohen më 20 tetor nga Papa Françesku, të njohur si « martirët e Damaskut » në vitin 1860: 8 murgj françeskanë dhe tre laikë maronitë, vëllezërit Massabki.

  (Vatican Media)

Lufta izraelito-palestineze

         Më pas, lufta izraelito-palestineze hyri me forcë në homelinë e ipeshkvit maronit, i cili vuri në dukje zgjerimin e saj edhe në Liban. Permendi mesazhin që shenjtorët e Kishës i përçojnë asaj në kohë krize. Shenjtorët si Shën Charbel, theksoi vikari i Patriarkut maronit, “janë para së gjithash mësuesit tanë në dëgjimin e Fjalës së Zotit, kjo është baza e rrugëtimit tonë sinodal. Ata janë mësuesit që na nxisin t’i kushtojmë kohë “meditimit” të Fjalës së Hyjit, për ta shijuar atë, duke ndjekur shembullin e Marisë, motrës së Martës, e cila u ul në këmbët e Zotit për të dëgjuar fjalën e tij, duke kërkuar edhe ne, si ajo, pjesën më të mirë, që nuk do të na hiqet (shih Lk 10, 38-42)”. Kështu bëhemi bashkëpunëtorë të Zotit, vërejti ipeshkvi, duke krijuar një sinergji ndërmjet hirit hyjnor dhe vullnetit tonë njerëzor.

  (Vatican Media)

Qëndrimi i të krishterëve në kohë krize

Gjatë rrugëtimit sinodal, vërejti ai më pas, duhet të kemi parasysh se e ardhmja e Kishave dhe e vendeve tona përkatëse, veçanërisht e atyre në kohë krize, nuk duhet të varet vetëm nga llogaritjet dhe analizat gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Kjo, sepse Kisha, si familje e Jezusit, është mbi të gjitha bashkësi e “atyre që dëgjojnë Fjalën e Hyjit dhe e vënë në praktikë (shih Lk 8,21)”. Të ushqyer nga Fjala e Hyjit, në shkollën e shenjtorëve, të krishterët, në udhën sinodale, përfundoi imzot Paul Rouhanna, duhet të kujtojnë mësimin revolucionar të Jezusit, sipas të cilit dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin janë të pandashme dhe vazhdimisht na sfidojnë, duke qenë dy anët e një urdhërimi të vetëm. Në dritën e këtij mësimi, të shpjeguar shkëlqyeshëm në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë, një i krishterë nuk i bën vetes pyetjen: “Kush është i afërmi im? ”, nga frika se mos e zgjedh atë sipas interesave të veta. Duke pasur parasysh pyetjen e Jezusit drejtuar njeriut të Ligjit në Ungjill, çdo i krishterë duhet ta pyesë veten: “A mund të jem i afërm i çdo viktime që takoj rastësisht, pavarësisht nga origjina e tij dhe për të cilin të kujdesem derisa të shërohet?”(shih Lk 10,29-37). Kur bëhemi të afërm me çdo viktimë, marrim pjesë në në mëshirën e Hyjit, siç na mëson Ungjilli: “Ji i mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm”. Kështu mund të bëhemi dishepuj misionarë në kohë krize si kjo e sotmja, shtegtarë të “shpresës, që nuk zhgënjen”, siç thotë motoja e Jubileut 2025.

09 tetor 2024, 17:07