MAP

Sinodi: murgesha “social”, “ka të rinj që s’ia kanë dëgjuar emrin Krishtit”

Sot paradite, 4 tetor, festa e Shën Françeskut, kongregacioni i dytë i përgjithshëm u hap me urimet më të mira për emrin, që Bergoglio e ka marrë si Papë. U dëgjuan relacionet e pesë grupeve gjuhësore, në më se 36 ndërhyrje të lira për tematika si thirrjet e shërbesat, liturgjia, dialogu me kulturat e fetë. Në konferencë, kardinali López Romero: "Kisha është shumë e evropianizuar". Ipeshkvi Randazzo: "Dhuna dhe përjashtimi i grave janë shkandull"

R.SH. – Vatikan

Dita e sotme e Sinodit të Ipeshkvijve nisi me praninë e Papës Françesku, i cili mori pjesë në lutjen e hapjes së punimeve. Në fund, Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Mario Grech, u uroi ditën e emrit të gjithë atyre, që e kanë emrin Françesk a Françeska, në festën liturgjike të Shën Françeskut të Asizit. “Veçanërisht, urime juve Atë i Shenjtë”, tha kardinali Grech, i pasuar nga urimet e gjithë të pranishmëve, që i kënduan Papës “Happy birthday” për emrin, që ka marrë si Papë.

 Ndërkaq, siç do të ndodhë gjatë gjithë Sinodit, në orën 13.30, konferenca për shtyp me gazetarët. U tha se pjesëmarrësit në Sinod sot ishin 351 anëtarë, që dëgjuan raportet e pesë grupeve gjuhësore, nga të cilat dolën çështje mbi vetë konceptin e sinodalitetit, "jo si teknikë, por si stil", si edhe tematika si roli i gruas, prania e laikëve, dëgjimi "aktiv" i njerëzve, që nuk ndjekin normat e Kishës.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Zyra për misionin dixhital

E pranishme misionaria dixhitale, motër Xiskya Lucia Valladares Paguaga, e cila është shumë aktive në internet e në rrjetet sociale. “Në Evropë – nënvizoi ajo – Kishat janë gjithnjë e më bosh. Shumë të rinj nuk frekuentojnë më famullitë, po i humbasim. Jemi në epokën e Inteligjencës Artificiale. Kisha nuk mund të mbetet pas”. “65% e popullsisë botërore – shpjegoi murgesha nikaraguane, eksperte e ungjillëzimit në internet – frekuenton rrugët dixhitale përmes rrjeteve sociale. Në Amerikën Latine po ngrihen zyra për misionin dixhital, ndoshta Evropa ka nevojë të zgjohet nga gjumi. Çdo ditë dëgjojmë për njerëz, të cilët luten për herë të parë e ka nga ata, që s’e kanë dëgjuar kurrë emrin e Jezu Krishtit”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Përjashtimi i grave nga Kisha, shkandull kundër Ungjillit

 Sot paradite, gjatë kongregacionit të përgjithshëm, u fol sërish për çështjen e diakonatit të grave në Kishë, pavarësisht se është sqaruar tashmë që ajo kërkon shqyrtim të mëtejshëm, sipas kërkesës së Papës Françesku. “Papa – shpjegoi imzot Antony Randazzo, kryetar i Federatës së Konferencave Ipeshkvnore Katolike të Oqeanisë dhe anëtar i Komisionit për Informacionin në Sinod – na ka kërkuar ta studiojmë çështjen e ‘diakoneve’ jo për ta eleminuar, por për t’u thelluar më shumë. Është shkandulluese që gratë të injorohen në shumë anë të Kishës. Nuk kam problem me faktin që çështja duhet studiuar, por më parë, duhen dëgjuar e duhet folur me gratë, në vend që të fiksohemi në atë temë. Shpesh, mënjanohen dhe përjashtohen e ky është shkandull kundër Ungjillit. Jezusi i përfshin gratë. Edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë”.

Kardinali Lopez Romero: “të zbulojmë kush jemi”

Kardinali Cristóbal López Romero, kryeipeshkëv i Rabatit (Marok) dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore rajonale të Afrikës Veriore, solli përvojën afrikane, kur “një murgeshë e vetme ka krijuar një lëvizje shkëmbimi e reflektimi mbi sinodalitetin, duke bërë më shumë se disa Konferenca Ipeshkvnore”. Pastaj, vuri në dukje mbledhjet e ndryshme sinodale në Marok, që u dhanë mundësi të krishterëve të "zbulojnë kush janë, vërtet të paktë, por u përkasim më se 100 vendeve: një pasuri e jashtëzakonshme, me disa vështirësi për ta jetuar bashkimin”.

04 tetor 2024, 16:36