Martinelli: duke thyer logjikën e hakmarrjes, Sinodi hap shtigjet e së mirës
R.SH. - Vatikan
Për mediat e Vatikanit, Imzot Paolo Martinelli, françeskan kapuçin, famullitar apostolik për Emiratet e Bashkuara Arabe, Omanin dhe Jemenin, solli në mbledhje frymën me të cilën po e jeton punën e asamblesë në Vatikan, ku sjell përvojën e Vikariatit të Arabisë dhe rrugëve të sinodalitetit të zhvilluara në dy vitet e fundit nga besimtarët e asaj zone.
Shkëlqesia Juaj, si e shikoni punën e Sinodit në dritën e pranisë së tij në një zonë të botës, ku shqetësimet për zgjerimin rajonal të konfliktit të Lindjes së Mesme janë veçanërisht të forta?
Ndërkaq shpreh gëzimin dhe mirënjohjen time, sepse tema e paqes është e pranishme në çdo çast në këtë Sinod. Nga ana jonë, jetojmë në një situatë delikate, sepse Vikariati im përfshin Emiratet, Omanin, ku situata është e qetë, dhe Jemenin, i cili përkundrazi vijon të vuajë më tej nga vështirësi të tjera. Për më tepër, pjesa veriore është e përfshirë drejtpërdrejt me veprime përçarëse - mesazhe negative në kontekstin e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – gjë që krijon tension edhe më të madh në një vend tashmë të torturuar nga dhjetë vjet luftë civile. Prandaj lutemi që e gjithë kjo të marrë fund dhe të fillojmë të ndërtojmë përsëri, në mënyrë që të bëjmë plane për të mirë, për ndarje, për një udhëtim të përbashkët. E pamundur të jetohet ne kaq shumë dhimbje! Ndaj lutemi që Zoti t’i prekë vërtet zemrat e të gjithëve, kryesisht të atyre që kanë përgjegjësi, që të ndërpritet logjika e hakmarrjes. Të gjithë kanë vuajtur, të gjithë e ndjejnë se kanë të drejtë të reagojnë, por, duke hyrë në logjikën e hakmarrjes, ne nuk mund të rifillojmë më. Kemi nevojë për shtigje pajtimi dhe paqeje, që të na lejojnë të shohim të mirën për të gjithë.
Pse duket se diplomacia po dështon?
Para së gjithash, protokollet e diplomacisë duhet të rishikohen. Është themelore. Nëse nuk ka diplomaci, kush mund ta krijojë frymën e dialogut? Megjithatë, kemi nevojë edhe për dëshminë e popujve, përmes të cilëve mund të shohim se mund të ecim së bashku, se fetë janë kontribut për humanizimin e botës dhe se ato nuk duhet të shfrytëzohen në mënyrë nacionaliste. Besimet janë për paqen. Këtu, për shembull, është kompleksi ku janë ngritur pranë e pranë një kishë katolike, një xhami dhe një sinagogë. Këto janë fakte, fakte të jetës së mirë, që na ndihmojnë të shohim perspektiva të reja. Fakti që institucionet dhe qeveritë mbështesin përvoja si kjo, është sigurisht një mënyrë për të inkurajuar rrugët drejt së mirës. Ndarja e traditave shpirtërore është një avantazh për të gjithë.
Si po kontribuon Sinodi në përhapjen e kulturës së paqes?
Vetë fakti i Sinodit është dëshmi në këtë kuptim. Përtej rezultateve teknike që mund të japë, është i rëndësishëm fakti që ne e dëgjojmë njëri-tjetrin. Njohja e pasurisë së dallimeve dhe të mësuarit për të dalluar vullnetin e Perëndisë së bashku, është shembull për Kishën dhe për botën, që mund të frymëzojë shtigje të mira për shoqërinë.
Dje, në vigjiljen ekumenike, jehuan fjalët "shkandull" dhe "turp" për ndarjen e të krishterëve. Ndikoi jehona e tyre?
Unë besoj se ne duhet të njohim misterin e së keqes dhe ta thërrasim atë me emër. Mjerë ne, nëse fshehim faktin se jemi mëkatarë, që kemi nevojë për pastrim. Ky është kushti për pajtim e për kthesë!