MAP

Armi, missili, guerra, armamenti, disarmo  (©oneinchpunch - stock.adobe.com) Armi, missili, guerra, armamenti, disarmo (©oneinchpunch - stock.adobe.com)

Imzot Caccia: e domosdoshme të ndiqet politika e çarmatimit

Fjalimi i përfaqësuesit të Vatikanit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork: “Në një çast kur kërcënimi i konfliktit bërthamor mund të bëhet përsëri realitet i frikshëm, është themelore që bashkësia ndërkombëtare t’i shpeshojë përpjekjet për të forcuar dhe për të zbatuar kontrollin e armëve dhe traktatet e çarmatimit. E domosdoshme të ndiqet politika e çarmatimit. Besimi në vlerën parandaluese të armëve është iluzion".

R.SH. / Vatikan

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë, Imzot Caccia, foli dje gjatë asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbajtur në Nju Jork, duke nënvizuar rëndësinë e ndjekjes së politikës të çarmatimit. Gjatë fjalës së tij, citoi fjalimin mbajtur nga Papa Françesku më 14 qershor 2023, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: "Për ta bërë paqen realitet, duhet të largohemi nga logjika e legjitimitetit të luftës: nëse kjo mund të ishte e vlefshme në kohët e kaluara, kur luftërat ishin më të kufizuara, në ditët e sotme, me armë bërthamore dhe të shkatërrimit në masë, fusha e betejës është bërë praktikisht e pakufizuar dhe efektet, potencialisht katastrofike. Ka ardhur koha për t'i thënë një 'jo' të vendosur luftës, për të pohuar se luftërat nuk janë të drejta, por vetëm paqja është e drejtë: paqja e qëndrueshme, e ndërtuar jo mbi ekuilibrin e pasigurt të parandalimit, por mbi vëllazërinë, që na bashkon”.

Kërcënimi i konfliktit bërthamor është fare pranë

Në vazhdim të fjalës së tij, nunci apostolik imzot Caccia theksoi rëndësinë e ndjekjes së politikës të çarmatimit veçanërisht në këtë kohë "kur kërcënimi i konfliktit bërthamor mund të bëhet përsëri realitet” dhe është themelore që bashkësia ndërkombëtare t’i intensifikojë përpjekjet e saj për ta forcuar dhe për ta zbatuar kontrollin e armëve dhe traktatet e çarmatimit”. Për të arritur këto objektiva ambicioze, ka rëndësi të dorës së parë të merren masa të forta verifikimi, theksoi prelati.

Teknologjitë në zhvillim kërkojnë rregullore të reja ndërkombëtare

Nevoja për të përballuar rolin e teknologjive në zhvillim të armëve të reja ishte një aspekt tjetër i theksuar nga përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, pasi është i një rëndësie themelore për arritjen e paqes së qëndrueshme, siç shprehet edhe Papa Françesku në Mesazhin e këtij viti kushtuar Ditës së 57-të Botërore të Paqes: “Nuk mund t'u shpëtojmë pyetjeve serioze etike, që lidhen me sektorin e armatimeve”. Kjo është edhe më urgjente pasi inteligjenca artificiale (AI), e cila tashmë po transformon thellësisht shumë sektorë, bëhet element gjithnjë e më qendror në kryerjen e armiqësive. Prandaj është e nevojshme që “bashkësia ndërkombëtare të vendosë rregulla për këto teknologji, për të siguruar që armët autonome vdekjeprurëse të kontrollohen ekskluzivisht nga qeniet njerëzore, sepse njerëzit e udhëhequr nga ndërgjegjja e tyre janë të vetmit të aftë të sigurojnë se përdorimi i tyre është në përkim me të drejtën humanitare ndërkombëtare”, theksoi nunci.

Edhe përdorimi i hapësirës së jashtme duhet t’i shërbejë së mirës së përbashkët

Në fjalimin e tij, imzot Caccia tërhoqi vëmendjen edhe për të ruajtur hapësirën e jashtme për qëllime paqësore, si një e mirë e përbashkët globale, në përputhje me nenin 1 të Traktatit të Hapësirës së Jashtme, të vitit 1967, i cili na kujton se "eksplorimi dhe përdorimi i hapësirës së jashtme [...] duhet të jetë në shërbim të gjithë njerëzimit”.

Kërkimet dhe investimet në rritje në aftësitë kundër satelitore dhe aftësi të tjera antisatelite, si dhe grumbullimi në rritje i orbitave dhe mbeturinave hapësinore, shqetësojnë jo pak Selinë e Shenjtë. Në përfundim, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë i ftoi "Shtetet të rishqyrtojnë përparësinë e shpenzimeve të tyre dhe të punojnë për të promovuar kulturën e paqes dhe të jetës, në vend të asaj kulture, së cilës i prijnë lufta dhe vdekja".

18 tetor 2024, 14:58