MAP

2023.01.01 Benedetto XVI a Fátima 2023.01.01 Benedetto XVI a Fátima

Ratzinger dhe feja, si udhëtim

Benedikti XVI, dëshmitar dhe mësues dialogu me të gjithë

ANDREA TORNIELLI

Nëse ka pasur ndonjëherë një teolog dhe një Papë që gjatë gjithë jetës së tij reflektoi dhe mësoi mbi arsyetimin e fesë, ai është Joseph Ratzinger. Jo rastësisht e vuri në dukje këtë edhe në rreshtat e fundit të testamentit shpirtëror, që u bë i njohur ditën e vdekjes së tij : “Pashë dhe vazhdoj të shikoj sesi nga lëmshi i hipotezave, doli e do të vijojë të dalë rishtas arsyetimi i fesë. Jezu Krishti është rruga, e vërteta dhe jeta - dhe Kisha, me të gjitha të metat e saj, është me të vërtetë korpi i Tij."

Megjithatë, ky nënvizim i përsëritur - tek Ratzinger -  nuk e ka kurrë kuptimin e reduktimit të fesë në një “sistem” filozofik, në një arkitekturë idesh, në një listë normash morale, duke haruar në fund se feja e krishterë është takim me një Vetje, siç lexohet në hyrjen e enciklikës Deus caritas est. Në një intervistë dhënë revistës gjermane Herder Korrespondenz, botuar në korrik 2021, Papa i Nderit Benedikti XVI vërente: “Besimtari është njeri, që vë në dyshim vetveten... Në këtë kuptim, mendimi i  'mbylljes në doktrinën e pastër' më duket absolutisht irreal. Një doktrinë që do të ekzistonte vetëm si një lloj rezerve natyrore, e ndarë nga bota e përditshme e fesë dhe kërkesat e saj, në një farë mënyre do të përfaqësonte heqjen dorë nga vetë feja. Doktrina duhet të zhvillohet në fe, duke u nisur prej saj dhe jo krahas saj”.

Që në kohën kur ishte kardinal, në vitin 2001, Joseph Ratzinger pati shqiptuar fjalë shumë të qarta, për të mos rënë në këtë reduksionizëm, fjalë, të cilat ia vlen të propozohen edhe një herë sot: "Natyra e fesë nuk është e tillë që, duke nisur nga një çast i caktuar, të mund të thuhet: ‘Unë e kam, e të tjerët jo... Feja mbetet udhë’”. Gjatë gjithë jetës sonë mbetet kështu, prandaj feja është gjithnjë e kërcënuar e në rrezik. Dhe është e nevojshme, sepse kështu shmang rrezikun e shndërrimit në ideologji të manipulueshme. Rrezikun, që të na ngurtësojë dhe të na bëjë të paaftë për të ndarë reflektimin dhe vuajtjen me vëllain, që dyshon dhe pyet vetveten.  

Feja, siç kujton vetë Benedikti XVI, dhe siç i pëlqen ta përsërisë Françeskut, transmetohet nga forca tërheqëse, jo nga prozelitizmi apo imponimi. Besimtari nuk është ai që “zotëron” diçka, të cilën mund ta “mbarështojë”. I krishteri nuk jep përgjigje të para-paketuara për t'i shpjeguar gjithkujt gjithçka. I krishteri mund të reflektojë vetëm një shkëndijë të dhuratës, që e mori në mënyrë të pamerituar, e kur ndodh kjo, ndodh përmes hirit të pastër. Prandaj është i thirrur të kërkojë Zotin duke dialoguar me këdo, duke marrë përsipër dyshimet dhe plagët ekzistenciale të atyre, që nuk besojnë, duke i shoqëruar të gjithë, pa e konsideruar kurrë veten “të arritur në cakun e dëshiruar". Joseph Ratzinger, edhe në këtë drejtim, ishte dëshmitar e mësues.

02 janar 2023, 12:57