Në shkollën e gjyshërve, për të vijuar udhën e historisë
R.SH. – Vatikan
Andrea Monda
Të kthehemi tek rrënjët, tek burimi. Jo për nostalgji, por për të marrë forcën, që na bën të ecim përpara e të përballojmë sfidat e jetës. Sidomos më 26 korrik, ndërsa Kisha kremtonte festën liturgjike të Shën Anës e të Shën Joakinit, Papa Françesku i nxiti besimtarët të rimendojnë për marrëdhëniet e tyre me të kaluarën, me historinë personale.
E bëri këtë, në kuadrin e udhëtimit të tij të 37-të apostolik, që filloi më 24 e do të përfundojë më 30 korrik, në viset e banuara nga indigjenët, në Kanada. Në meshën e kremtuar në Commonwealth Stadium të Edmontonit, Ati i Shenjtë foli për gjyshërit, duke kujtuar dy aspekte: i pari, “ne jemi bij të një historie që duhet ruajtur. Nuk jemi individë të izoluar, nuk jemi ishuj, askush nuk vjen në botë i palidhur me të tjerët. Rrënjët tona, dashuria që na priste dhe që morëm kur erdhëm në botë, ambientet familjare në të cilat u rritëm, janë pjesë e një historie unike, e cila na parapriu dhe na lindi. Nuk e zgjodhëm, por e morëm si dhuratë; e është dhuratë, që jemi të thirrur ta ruajmë”. E, aspekti i dytë: “përveç faktit që jemi bij të një historie që duhet ruajtur, jemi edhe artizanët e një historie që duhet ndërtuar... Gjyshërit dhe të moshuarit dëshironin një botë më të drejtë, më vëllazërore dhe më solidare, prandaj, luftuan për të na dhënë një të ardhme. Tani, na takon neve të mos i zhgënjejmë. Të mbështetur prej tyre, që janë rrënjët tona, na takon neve të japim fryte. Ne jemi degët që duhet të lulëzojnë dhe të lëshojnë fara të reja në histori”. Tema është ajo e rrënjëve, imazhi është ai i pemës.
Të hënën, në kishën e Zemrës së Krishtit, në Edmonton, përpara altarit të ndërtuar mbi një trung të madh peme, Papa e përdori këtë imazh duke folur për pajtimin dhe për Jezusin që “na pajton me njëri-tjetrin në kryq, në atë pemë të jetës, siç e quanin të krishterët e parë. …Jezusi na pajton përmes Eukaristisë, ‘akt dashurie kozmike’ që ‘bashkon qiellin dhe tokën’, përqafon dhe përshkon gjithë Krijimin” (Letra Enciklike Laudato si’, 236)… është Ai që në kryq, na pajton, bashkon sërish çka dukej e paimagjinueshme dhe e pafalshme, përqafon të gjithë dhe gjithçka”. E në ditën e tretë të shtegtimit, Françesku nënvizoi se pikërisht të moshuarit, pavarësisht nga historia e trishtë e abuzimeve të epokës kolonialiste, e kuptuan se në Krishtin, gjithçka merr kuptim të ri e nuk e braktisën besimin në Të.
Në këtë udhëtim pendestar, Ati i Shenjtë vuri në dukje se nga gjyshërit e të moshuarit, njeriu mëson shumë gjëra, por edhe të jetë i lirë, pasi dashuria e tyre nuk kthehet kurrë në detyrim, që e privon tjetrin nga liria e tij. “Le të përpiqemi të mësojmë prej kësaj, si individë e si Kishë – tha Papa në Edmonton – kurrë të mos e shtypim ndërgjegjen e tjetrit, kurrë të mos e lidhim me zinxhir lirinë e njeriut, që kemi përballë”.
Fatkeqësisht, në historinë e popujve autoktonë kanadezë, këto privime ndodhën aty, ku nuk duhet të ndodhin kurrë, në shkollë. Në takimin e së hënës në kishën e Zemrës së Krishtit, Papa kujtoi se “edukimi duhet të fillojë gjithmonë nga respekti dhe nga promovimi i talenteve”, nuk është diçka e para-paketuar, për t’u imponuar. Shkolla është vendi ku takohen e shkuara dhe e ardhmja. Në shkollat rezidenciale të Kanadasë, ku u punua për asimilimin e indigjenëve, edhe nga ana e disa institucioneve katolike, ndodhi si me fëmijët, që dikush u heq gjyshërit ndërsa rriten. Por tek gjyshërit, tek e kaluara jonë, tek dashuria që kemi marrë, “gjejmë ngushëllim në çastet e shkurajimit, dritë gjatë shoshitjes, guxim për të përballuar sfidat e jetës”. E ardhmja, nënvizoi Françesku, duhet ndërtuar, duke pasur parasysh ata që na kanë paraprirë. “Shkolla” e gjyshërve nuk dështon kurrë e Ati i Shenjtë këshillon të kthehemi herë pas here në të, kur nuk jemi të qartë për vendimet, që duhet të marrim në jetë.
Edhe të martën, gjatë shtegtimit në Lac Ste. Anne, Papa nxiti të kthehemi në liqenin e Galilesë, ku Jezusi predikoi Mbretërinë e Zotit për të gjithë, pa dallim, duke na mësuar se, edhe sot, ai vëllazërim ndërmjet njerëzve krejtësisht të ndryshëm, që u bashkuan rreth Birit të Zotit, vijon nëse bashkon të largëtit, nëse “mesazhi i bashkimit, që Qielli i dërgon tokës nuk ka frikë nga ndryshimet dhe na bën të ecim së bashku”.
Të gjithë për udhë, si shtegtarë, jo si zotër të botës, si njerëz që e kanë marrë atë dhuratë dhe e përshkojnë, me gëzim, të nxitur nga mirënjohja për Zotin krijues. Të gjithë të gatshëm ta përdorim bagazhin e urtisë së gjyshërve, që dikur e kemi marrë dhuratë në “shkollën” e sigurisë e të dashurisë së të parëve tanë.