Kanada, shtegtim i largët, në thelb të zemrës!
nga Andrea Monda
Papa Françesku u nis për shtegtimin e 37-të apostolik ndërkombëtar në Kanada, vendi i 56-të që viziton që nga fillimi i papnisë së tij. Do të jetë një nga shtegtimet më të gjata, që do ta çojë në vise të largëta, më të largtat që ka shkelur deri më sot! Do të vizitojë katër vende, Edmonton dhe Maskwacis, aty pranë në perëndim të vendit, Québec City dhe më pas Iqaluit, pranë Rrethit Arktik.
Shtegtim që nis nga larg - e shkon larg, jo vetëm nga pikëpamja gjeografike. Është, siç pohoi Papa në Engjëllin e Tënzot të diel, 17 korrik, “shtegtim pendestar”, që do ta çojë në vendet e errëta të gabimit dhe të dhimbjes. “Dëshiroj t’ju them me gjithë zemër: jam shumë i pikëlluar”, pohoi Papa më 1 prill, duke folur para delegacioneve të grupeve indigjene që do t’i takojë në Kanada: grupeve të Kombeve të Para (Kombet e Para), Métisëve dhe Inuitëve, të cilëve u shprehu “dhimbje dhe turp për rolin që luajtën katolikë të ndryshëm, veçanërisht me përgjegjësi arsimore, në gjithçka i lëndoi, në abuzimet dhe në mungesën e respektit për identitetin e tyre, kulturën e madje, edhe vlerat e tyre shpirtërore". Për të shtuar më pas: “Bashkohem me vëllezërit ipeshkvij kanadezë në kërkimin e faljes. Është e qartë se përmbajtja e besimit nuk mund të transmetohet në mënyrë të huaj për vetë besimin”. Edhe një herë Papa e paraqet Kishën si “spital fushor”, si subjekt i aftë për t’i prekur plagët e njerëzimit dhe për t’i shëruar. Edhe kur, si në këtë rast, ato plagë shkaktohen nga duar katolikësh. Shtegtim delikat, i lodhshëm, i dhimbshëm! Udhë kujdesi dhe pastrimi. Mjekim, që fillon para së gjithash, me praninë, me afërsinë. Papa ndjeu dëshirën për të lëvizur dhe për të shkuar atje, ku plaga vijon të kullojë gjak. Me praninë e tij, Françesku do të çojë vështrimin ungjillor, që do të përhapet në mbarë botën e, njëheresh me kërkesën për falje, do të lutet edhe për të gjitha plagët që sot lëndojnë njerëzimin: nga pandemia, deri te luftërat e shumta, që po i shkatërrojnë të pesë kontinentet. Gjithçka është e lidhur, kujton shpesh Papa, si plagët e një pjese të organizmit, që prekin pastaj të gjitha gjymtyrët. Është në stilin e Papës Françesku të qëndrojë në heshtje lutjeje përballë plagëve, së keqes (të kryer e të psuar), të errësirës, të krizës, me besimin se pikërisht duke kaluar krizën njeriu mund të kthehet në dritë, në një humanizëm më të plotë dhe më të përkryer.
Pikërisht tridhjetë vjet më parë, poeti dhe kantautori kanadez Leonard Cohen kompozoi një nga këngët e tij më të bukura, Himnin (Hymn), me refrenin e tij të famshëm: “Bini këmbanave, që mund të tingëllojnë akoma/ Harrojeni premtimin tuaj të përkryer/ S’ka gjë në botë pa një plasë!/ Si mund të hyjë, përndryshe, rrezja e dritës?”.
Kjo “plasë” është shenja e natyrës njerëzore, është ajo ligështi e brishtësi, që mund të shndërrohet në shpengim e shëlbim. Vetë Cohen, duke komentuar këto vargje, pohoi se jeta njerëzore “nuk pranon zgjidhje apo përsosmëri. Nuk është vendi ku gjërat përsosen, as në martesë, as në punë, as në asgjë, as në dashurinë për Zotin, as në dashurinë për familjen apo atdheun. Gjërat janë të papërsosura. Dhe më keq akoma, ka një çarje në çdo gjë që mund të bashkohet, objekte fizike, objekte mendore, ndërtime të çdo lloji. Por ja që nga plasa hyn drita, e ku hyn drita, aty është ringjallja, është kthimi, aty është pendimi. Është në përballimin, "në thyerjen e gjërave”. Ky “himn” për brishtësinë dhe nevojën për mëshirë - do të jetë edhe himni që do të shoqërojë udhëtimin e Papës Françesku, udhëtim i largët, në zemrën e çdo njeriu!