Pagëzimi e misioni, dy kyçet konciliare të Predicate Evangelium
R.SH. - Vatikan
Andrea Tornielli
Kushtetuta apostolike Praedicate Evangelium mbi Kurien romake, botuar të shtunën, më 19 mars, sistematizon udhën e reformave lindur nga diskutimi para-konklavit të vitit 2013, tashmë i praktikuar pjesërisht gjatë këtyre nëntë vjetëve. Është tekst, që i thellon dhe i vë në jetë vijat drejtuese të Koncilit II të Vatikanit, i cili pati si synim kryesor pikërisht përgjigjen që i duhej dhënë pyetjes “si të kumtohet Ungjilli në një epokë ndryshimesh, që do të bëhej, më pas, ndryshim epokal”.
Unifikimi në një dikaster të vetëm i Kongregatës së lashtë e të ristrukturuar Propaganda Fide dhe i Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjllëzimit të ri, nën udhëheqjen e drejtpërdrejt të Papës, vë në dukje përparsinë që i jepet ungjillëzimit, gjë që në dokument shprehet duke u nisur që nga titulli. Si t’u dëshmohet bukuria e fesë së krishterë breznive të reja, që nuk i flasin as nuk i kuptojnë gjuhët e vjetra? Si duhet punuar, që tharmi i Ungjillit ta tharë përsëri brumin e shoqërive dikur të krishtera, si edhe atë të shoqërive, që nuk e njohin akoma Jezu Krishtin?
Kisha, që dialogon për të ungjillëzuar, ishte leit-motivi i papnive të fundit, e në këto kohë ky aspekt nënvizohet edhe në strukturën e Kuries Romake. Kuries, që nuk është organizëm në vetvete, “pushtet” qeverisjeje mbi Kishat vendase, por strukturë në ndihmë të shërbesës së Ipeshkvit të Romës, që vepron në emër të vet, sipas udhëzimeve të tij, duke ushtruar pushtetin e mëkëmbësit të Krishtit.
Një element tjetër domethënës i kushtetutës së re është ai i pranisë dhe rolit të laikëve. Në Parathënie, Françesku kujton se “Papa, Ipeshkvijtë dhe shërbyesit e tjerë të shuguruar nuk janë ungjillëzuesit e vetëm të Kishës… çdo i krishterë, për virtyt të Pagëzimit, është dishepull misionar në atë masë, që u takua me dashurinë e Jezut Krishtit”. Prej këndej vjen përfshirja e laikeve dhe e laikëve në role drejtuese e me përgjegjësi.
Nëse “çdo besimtar” mund ta kryesojë një dikaster ose një organizëm kurial, kjo ndodh sepse çdo institucion kurial vepron sipas pushtetit, që ia beson vetë Papa. E kjo e re, tashmë realitet, është pjesë e teologjisë konciliare mbi laikatin. Pohimi, që përfshihet në kushtetutën e re apostolike, vë në dukje se një prefekt a një sekretar dikasteri, që është ipeshkëv, nuk e ka autoritetin si i tillë, por vetëm kur ushtron autoritetin që iu besua nga Ipeshkvi i Romës. E ky pushtet, në mjediset e Kuries romake, është i njëllojtë si kur i caktohet ipeshkvit, priftit, rregulltarit, rregulltares, ashtu edhe laikut e laikes. Bie poshtë, kështu, numri 7 i Kushtetutës Apostolike Pastor Bonus, reforma e fundit strukturore e Kuries romake realizuar gjatë papnisë së Gjon Palit II, ku lexohej se “punët, të cilat kërkojnë ushtrimin e pushtetit të qeverisë, duhet t’u caktohen atyre, që janë të shuguruar”.