Nga rrënojat e Mosulit - në ato të Ukrainës, zë i paqes dhe i shpresës
R.SH. - Vatikan
ANDREA TORNIELLI
Françesku hyn në dhjetëvjetorin e papnisë! Përvjetor i përshkuar dramatikisht nga tmerri e nga lufta në zemër të Evropës. Tronditesh, kur i dëgjon sot disa nga fjalët, që Papa i pati shqiptuar një vit më parë, gjatë shtegtimit apostolik më të rëndësishëm e më guximtar të papnisë, atij në Irak. Vizitë tejet e dëshiruar, pa marrë parasysh rreziqet dhe opinionet e kundërta, të bazuara mbi vështirësitë e mëdha për garantimin e sigurisë, posaçërisht të njerëzve që do të merrnin pjesë ndër kremtimet dhe takimet e shumta. Në mars 2021 Françesku vendosi ta bëjë këtë shtegtim, që mbeti ëndrra e parealizuar e Shën Gjon Palit II, për t’i shprehur afërsinë e tij të gjitha viktimave të fundamentalizmit, për të inkurajuar udhën e vështirë të rindërtimit të vendit, për t’u shtrirë dorën myslimanëve të shumtë të devoçëm, që duan të jetojnë në paqe me të krishterët e me besimtarët e feve të tjera.
Kulmi i këtij shtegtimi ishte vizita e Ipeshkvit të Romës ndërmjet gërmadhave të Mosulit. Aty Françesku pati thënë: “Sot po i lartojmë zërat tonë në lutje Hyjit të Gjithëpushtetshëm për të gjitha viktimat e luftës dhe ndeshjet e armatosura. Këtu, në Mosul, pasojat tragjike të luftës e të armiqësive janë tejet të dukshme. “Sa mizore është që ky vend, djep i qytetërimit, u sulmua nga një stuhi çnjerëzore, e cila i rrënoi vendet e kultit dhe përlau mijëra e mijëra njerëz: myslimanë, të krishterë, yazidë, të asgjësuar mizorisht nga terrorizmi, e të tjerë akoma - të shpërngulur me forcë a të vrarë!”.
Një vit më pas, edhe një herë, pasojat tragjike të luftës së ndyrë në Ukrainë, quajtur hipokrizisht “operacion ushtarak special” janë para syve të mbarë botës, me ngarkesën e tyre të pambartshme të dhimbjes, vuajtjes, trupave të pafajshëm shndërruar në grumbuj mishi e gjaku. Familje të ndara, miliona refugjatë të detyruar të lënë gjithçka, për të ikur e për të shpëtuar nga bombat, qytete të shndërruara në fusha mejdani, shtëpi të shembura e të djegura. Për të mos folur për plagët e zemrave, që duan vite për t’u shëruar. Këtë herë është luftë e afërt. Nuk është e largët, si ajo në Irak, për të cilën, me kthjelltësi profetike, Papa Wojtyla - i padëgjuar - u lut më kot të mos luftohej. Po ajo u luftua, duke i shndërruar trojet e Abrahamit në strofkë të terrorizmave të të gjitha ngjyrave. “Sepse lufta është aventurë pa kthim!”.
Këtë herë urrejtja e dhuna nuk mund të fshihen pas teorive mbi “ndeshjen e qytetetërimeve”, nuk kanë të bëjnë as me shkaqe imagjinare fetare. Këtë herë në të dy frontet janë burra e gra që kanë të njëjtën fe e të njëjtin Pagëzim. Përballë sulmit të provokuar nga agresioni i ushtrisë ruse në Ukrainë e shkallëzimit luftarak, me rrezikun e tërheqjes së mbarë botës në një konflikt bërthamor, nuk është aspak e lehtë të gjesh shenja shprese. E megjithatë, ashtu si një vit më parë në Mosul, Papa Françesku rishprehu “bindjen se vëllazërimi është më i fuqishëm se vëllavrasja; shpresa, më e fortë se vdekja; paqja, më e fortë se lufta”. E edhe sot, pavarësisht nga çka po na shohin sytë, mund e duhet të shpresojmë. Duke lypur nga Zoti dhuratën e paqes, me ngulm, pa pushar kurrë, gjithnjë në kërkim, duke i shkelur të gjitha rrugët, që çojnë tek ndalimi i zjarrit dhe fillimi i bisedimeve të mirëfillta. Sepse kur e do paqen, duhet të përgatitësh paqen e jo luftën. Duhet të kesh guximin dhe frymën krijuese për të përshkuar rrugë të reja e për të krijuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet kombeve. Bashkëjtesë, që nuk bazohet mbi ekulibrin e forcës dhe të frikës. Sot mund të shpresojmë duke shikuar valën vigane të solidaritetit, që lindi në pak ditë nga poshtë. E edhe bujarinë e vendeve, si Polonia, që ua hapën portat miliona refugjatëve.
Një vit më parë, gjatë takimit ndërfetar në Rrafshin e Urit, Françesku pati thënë: “Prej nga duhet të nisë, atëherë, rruga e paqes? Nga heqja dorë prej armiqësisë. Kush ka guximin të shikojë yjet, kush beson në Zotin, nuk mund të ketë armiq për t’i luftuar. Ka një armik të vetëm për ta përballuar, që rri pas portës së zemrës e troket e kërkon të hyjë: është armiqësia. “Ndërsa ndokush kërkon të ketë armiq më shumë se të jetë mik, ndërsa shumë kërkojnë të përfitojnë në dëm të të tjerëve, kush shikon yjet e premtimit, kush ndjek rrugët e Zotit, nuk mund të jetë kundër askujt, sepse është për të gjithë. Nuk mund të përligjë asnjë formë imponimi, shtypjeje a shpërdorimi të pushtetti në dobi të vet, as nuk mund të sillet në mënyrë agresive”. Udha e paqes nis nga çarmatosja e zemrave - na mësoi Papa në këto nëntë vjet papnie. Ta quash veten i krishterë, do të thotë t’i përkasësh një Zoti, që u bë Njeri, që pranoi të kryqëzohej për dashuri, që zgjodhi rrugën e viktimës së pambrojtur e, që prej dymijë vjetësh na kërkon të jemi përkrah të shtypurve, të sulmuarve, të mundurve e të poshtëruarve. Na kërkon të mbjellim kudo e kurdoherë paqen, kurrë urrejtjen, luftën, dhunën! Të jemi gjithnjë pranë “Dashurisë së kryqëzuar”.