Lutje Zojës, nga zemra e traditës së madhe mariane
R.SH. - Vatikan
Andrea Tornielli
Një lutje publike, korale, që e bashkon mbarë Kishën, për të kërkuar me gjithë zemër paqen e për t’ia kushtuar Zemrës së Papërlyer mbarë njerëzimin, e posaçërisht, Rusinë edhe Ukrainën, ndërsa, për fat të keq, luftimet vijojnë e bombardimet shkaktojnë viktima të reja ndërmjet popullsisë ukrainase.
Një gjest i thjeshtë, i përvuajtur, i njeriut që beson e që mbështetet në forcën e lutjes, e jo të armatimeve. U bë i njohur sot teksti i aktit të kushtimit dhe lëshimit në dorë të Zojës, që Papa Françesku do ta kryejë rreth orës 18.30 të së premtes, 25 mars, festa e Lajmërimit, në përfundim të kremtimit të pendesës, në Bazilikën e Vatikanit.
Është tekst i përshkuar tej e ndanë nga citime, shkëputur prej traditës mariane, që do të shqiptohet në mbarë botën nga populli i Zotit, i kryesuar nga ipeshkvijtë dhe meshtarët. Ja disa prej lutjeve kushtore, drejtuar Zojës: Nëna e Zotit, është titulli me të cilin Lindja e Perëndimi e nderojnë Zojen, shpallur si dogmë nga Koncili i Efezit. Nënë e mëshirës, është shprehja që përdoret edhe në lutjen “Të Falemi, Mbretëreshë”.
“Është Ai, që të dhuroi Ty e që e bëri Zemrën tënde të Papërlyer strehë për Kishën e për njerëzimin”. Këto fjalë të kujtojnë dukjen e Fatimës: “Zoti vendosi të krijojë devocionin për Zemrën time të papërlyer” e “zemra ime e papërlyer do të jetë streha jote”.
Edhe pse dogma e Zojës së Papërlyer, shpallur nga Piu IX në vitin 1854, i përket Kishës katolike, Kishat ortodokse e kanë të përbashkët me ne. Teologu ortodoks Sergej Bulgakov, për shembull, mendon se “në ortodoksi, besimi në mungesën e mëkatit personal të Nënës së Zotit është si temjani, si re lutjeje, që nderimi dhe feja e kishës e koncentrojnë dhe e bëjnë të ngjitet në qiell”.
Veç kësaj, përdorimi i fjalës “strehë”, ndjehet edhe tek lutja e lashtë mariane “Sub tuum praesidium”.“Vrapojmë, pra, tek ti, trokasim tek porta e Zemrës sate ne, bijtë e tu të dashur, që ti në çdo kohë nuk lodhesh duke i vizituar e duke i ftuar të bëjnë kthesë”. Mund të kujtojmë, këtu, edhe një nga thirrjet e dukjeve mariane: “Përsëriti secilit: ‘Thua nuk jam këtu unë, Nëna jote?”. Me këtë shprehje iu drejtua Maria indianit Juan Diego, kur iu duk në Guadalupe.
“Ti di si t’i shuash ngatërresat e zemrave tona e nyjet e kohës sonë!”. Kjo është një nga shprehjet, që e gjejmë tek “Zoja që zgjidh nyjet”, figure mariane, për të cilën Papa ka devocion të veçantë.
“Ti, ‘tokë e Qiellit’, kthena harmoninë e Zotit në botë!”. Shprehja “tokë e Qiellit” është shkëputur nga një himn murgar bizantino-sllav e poetikisht kuptohet si bashkim i qiellit me tokën, që të mund ta kundrojmë Marinë e ngjitur në qiell edhe me korpin e saj.
“Lotët, që i derdhe për ne, e bëjnë të lulëzojë këtë luginë, të cilën urrejtja jonë e thau dhe e shkretoi”. Këtu lexojmë një aluzion, që e takojmë edhe tek “Të Falemi Mbretëreshë”, ku flitet për “një shekull plot me lot”.
“Po”-ja që buroi nga zemra jote ia hapi portat e historisë Princit të Paqes; besojmë në Ty akoma, përmes zemrës sate paqja do të vijë pa tjetër!”. Këto fjalë, të thëna me nënkuptim, i gjejmë në krye të “Traktatit të devocionit të vërtetë ndaj Virgjërës Mari”, të Shën Luigjit de Monfort, sipas të cilit Zoti, ashtu si hyri në botë nga Maria, kështu, përmes Saj, dëshiron edhe ta vijojë mbretërimin mbi botë”.
“E ende njerëzimin me Jezusin”, shprehje kjo, e disa prej etërve lindorë (për shembull, shën Efrem Siriakut). Figura e Marisë, që na paraqitet këtu si endëse”, është e pranishme në ikonografinë e krishterë që në mozaikun e harkut të triumfit në Shën Marinë e Madhe e gjatë gjithë mijëvjeçarit të parë.
“Virgjin e nanë, bijë e tand Bir” - kështu e gjejmë në këngën e fundit (XXXIII) të Komedisë Hyjnore të Dante Aligherit.
Lëshimi në duart e Marisë, kujtohet, ka edhe tingëllim ungjillor. Në Ungjillin e Gjonit lexojmë se Jezusi, nga kryqi, ia besoi Nënën të vetmit apostull të pranishëm në Kalvar. “Grua, ja yt bir!”. E menjëherë pas, duke iu drejtuar Gjonit “Ja nëna jote!”. Për aktin e kushtimit apo të lëshimit në duart e Marisë, gjejmë gjurmë duke u nisur të paktën nga shekulli VIII, me Shën Gjon Damashenin, teolog arab i fesë së krishterë e Doktor i Kishës, prej Damaskut. Ai e shkroi lutjen e parë të kushtimit Virgjërës Mari: “Edhe ne jemi pranë Teje, o Sovrane! Po, e përsëris, Sovrane, Nënë e Zotit e Virgjër”.
“Po i lidhim zemrat tona në spirancën tënde, spirancë e fuqishme, e pathyeshme, duke të kushtuar mendje, shpirt, korp e gjithë vetveten e duke të nderuar aq sa mund të nderohet, me psalme, himne e këngë të përshpirtshme”(Ef 5,19).