Papa do të jetë në Qipro e në Greqi më 2 deri më 6 dhjetor
R.SH. - Vatikan
Fjalimi i parë parashikohet në orën 16.00, në takimin me priftërinjtë, rregulltarët, diakonët, katekistët, shoqatat e lëvizjet kishtare të Qipros, pranë Katedrales Maronite të Zojës së Hireve. Prej këtu, në orën 17.15, Papa do të shkojë në Pallatin Presidencial për ceremoninë e mirëseardhjes; e menjëherë pas, në “Ceremonial Hall” ku do të takohet me autoritetet, Shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik, të cilëve do t’u drejtojë fjalimin e dytë.
E premtja, 3 dhjetor, do të hapet në orën 8.30 me vizitën e mirësjelljes tek Fortlumturia e Tij Chrysostomos II, kryepeshkop ortodoks i Qipros, pranë kryepeshkopatës, ndërsa në orën 9.00, Papa do të takohet, pranë Katedrales Ortodokse të Nikosisë, me Sinodin e Shenjtë, të cilit Françesku do t’i drejtojë fjalën. Homelia e parë e Papës do të jetë ajo, që do ta mbajë në Meshën Shenjte të orës 10.00, gjithnjë në Nikosia, në “GSP Stadium”.
Pasdite, vetëm një takim, duke u nisur nga ora 16.00: lutja ekumenike me migrantët në kishën famullitare të Shëna Krygjës, në Nikosia, ku parashikohet edhe fjalimi i Françeskut.
Etapa e Qipros do të përfundojë të shtunën paradite, më 4 dhjetor. Pak pas orës 9.00, lamtumira nga Aeroporti Ndërkombëtar i Larnakës, në drejtim të Athinës, ku parashikohet që Papa të arrijë në orën 11:10.
Papa në Athinë
Në Aeroportin Ndërkombëtar, ceremonia e mirëpritjes zyrtare e pastaj, mirëseardhja në Pallatin presidencial, duke nisur nga ora 12.00. Pas vizitës së mirësjelljes tek presidenti i Republikës në Studion e tij private, në orën 12.30, Papa do të takohet me kryeministrin e më pas, me Autoritetet, Shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik.
Pasdite, në Athinë, duke u nisur nga ora 16.00, një sërë takimesh fetare. Takimi i parë, vizita e mirësjelljes Fortlumturisë së Tij, Ieronymos II, kryepeshkop i Athinës dhe i gjithë Greqisë, në kryepeshkopatën ortodokse të Greqisë, e më pas, takimi me grupet përkatëse shoqëruese, në Sallën e Fronit të kryepeshkopatës, ku Papa do të mbajë një fjalim, për t’u zhvendosur, në orën 17:15 , në Katedralen e Shën Dionisit, në Athinë, ku do të takohet me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, seminaristët dhe katekistët, të cilëve do t’u drejtojë fjalën.
Dita e Françeskut do të përfundojë në orën 18.45 pranë nunciaturës apostolike ku, privatisht, parashikohet takimi me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit.
Të dielën paradite Papa do të niset me avion nga Athina në Mitilenë - Lesbos, ku do të jetë rreth orës 10.10, për të arritur menjëherë në “Reception and Identification Centre” për takimin dhe fjalimin drejtuar refugjatëve, që strehohen aty, parashikuar për orën 10.45.
Në përfundim, rikthimi në Athinë. Këtu, pasdite, në orën 16.45, Papa do të kremtojë Meshën në “Megaron Concert Hall”, për t’u kthyer, më pas në nunciaturë ku, në orën 19.00 do të presë vizitën e mirësjelljes të Fortlumturisë së Tij Ieronymus II.
Dita e fundit në Greqi, e hënë, 6 dhjetor, do të ketë dy takime kryesore para ceremonisë së lamtumirës. Në orën 8.15 Françesku do të presë në nunciaturë vizitën e kryetarit të Parlamentit, për të arritur, më pas, në orën 9.45 në Shkollën e Shën Dionisit të Motrave Orsoline në Maroussi për takimin e përzemërt me të rinjtë, të cilëve do t’u drejtojë fjalimin e fundit në program për këtë shtegtim. Në orën 11.15, zhvendosja në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës, për ceremoninë e lamtumirës dhe nisjen drejt Romës-Ciampino. Arritja parashikohet rreth orës 12.35.