“Fratelli tutti” - "Të gjithë vëllezër", për ta bërë jetën Ungjill
R.SH. - Vatikan
ANDREA TORNIELLI
Një vit pas publikimit, është ende shumë herët për të verifikuar nëse efekti i enciklikës “Fratelli tutti” do të jetë i ngjashëm me atë të “Laudato si'”, një tjetër dokument i rëndësishëm papnor, shpallur në vitin 2015, që kapi interesin e njerëzve larg Kishës duke krijuar nisma dhe një angazhim konkret nga baza.
“Fratelli tutti” (“Të gjithë vëllezër”), si dhe Laudato si ', i përkasin mësimit shoqëror të Kishës dhe duhet të shmanget rreziku pёr t’i "reduktuar", sikur të ishin dokumente që trajtojnë emergjencat e problemet e paparashikuara, duke propozuar mënyra të njëjta kontingjente për t'u ndjekur. Mbrojtja e jetës, mbrojtja e Krijimit që na është besuar, ekologjia njerëzore dhe integrale nuk janë sugjerime të diskutueshme dhe aksidentale për kohën e sotme, por e gjejnë origjinën dhe themelin e tyre në Fjalën e Zotit. Nё tё njëjtën mënyrë, edhe thirrja nё vëllazërim, pёr ta konsideruar tjetrin – kushdo qoftë dhe ngado që të vijë - jo si "tjetri" por si vëllai ynë sepse bir i Zotit, nuk është një rastësi e thjeshtë ose interes i veçantë i një stine në jetën e Kishës, por një vështrim thellësisht ungjillor.
Gjashtë vjet më parë, Papa Françesku, me enciklikën “Laudato Sì”, i ndërlidhte krizat ekzistuese mjedisore, sociale, luftërat, migrimet, varfërinë. Ftonte për të ndërtuar një sistem ekonomik dhe shoqëror më të drejtë dhe në respekt ndaj krijimit, duke pasur në qendër njeriun dhe jo idhujtarinë e parasë. Një vit më parë, me enciklikën “Të Gjithë Vëllezër”, Papa bergoglio e tregoi rrugën në cilёn duhet ecur për të arritur atë qëllim: njohjen e njëri-tjetrit si vëllezër dhe motra, kujdestarë e rojtarë të njëri-tjetrit. E kjo nuk është tjetër përveç Ungjilli, siç na mëson shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, aq tronditёse dhe jokonvencionale, e në të njëjtën kohë ende kaq pak e kuptuar dhe e jetuar. I krishteri e njeh fytyrën e Jezusit "në çdo qenie njerëzore, për ta takuar atë të kryqëzuar në ankthin e tё braktisurve dhe të të harruarve të kësaj bote, dhe të ringjallur në çdo vëlla që ngrihet nё kёmbё". Pra edhe ata që nuk e kanë marrë dhuratën e fesё së krishterë e kuptojnë mesazhin e vëllazërimit, antidotin e vetëm për garën vetëshkatërruese qё çon drejt humnerës së urrejtjes, luftës, egoizmit, fanatizmit.
Prandaj, nëse është ende herët për të verifikuar frytet e enciklikës papnore të botuar një vit më parë, shenjat dhe farat e shpresës nuk mungojnë. Kush shkruan ditët e fundit ka pasur hirin të kalojë disa orë me Dale Recinella, një ish-avokat amerikan i financave nё Wall Street në SHBA, i cili për shumë vite, së bashku me gruan e tij Susan, ia ka kushtuar jetën shoqërimit të të burgosurve që presin ekzekutimin në krahun e vdekjes në Florida. Shumë prej tyre, falë miqësisë së tij, u përballën me xhelatin tё pajtuar me Zotin. Dale e njohu Jezusin tek këta vëllezër dhe për këtë arsye, përkundër vështirësive e keqkuptimeve që e rrethonin, ai e ndjen se nevojё pёr ta, ashtu si ata kanё nevojё pёr tё. Me sytë e lagur nga lotët, tha se mesazhi i enciklikës “Të Gjithë Vëllezër”, çdo fjalë e çdo gjest i Papa Françeskut, janë për të "një transfuzion gjaku, qё ndihmon për të jetuar dhe për të ecur përpara". Ka shumë njerëz në botë, larg vëmendjes së mediave dhe konferencave kremtuese, të cilët, duke parë në këtë mënyrë dëshminë e Pasardhësit të Pjetrit, e shndёrrojnё jetën nё Ungjill.