MAP

Parolin: Papa na kërkon të gjejmë gjuhën e përshtatshme për t’i kumtuar botës Ungjillin

Budapesti dhe Sllovakia presin Papën Françesku. Në Šaštin, Ati i Shenjtë do t’ia besojë Zojës të gjithë nevojtarët e të ligështit, nënvizon Sekretari i Shtetit të Vatikanit në intervistën me mediat vatikanase, në prag të udhëtimit

R.SH. - Vatikan

Papa përgatitet të shkojë në udhëtimin e tij të 34-t apostolik: të dielën, më 12 shtator, në Budapest, do të kremtojë meshën për mbylljen e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar; më pas, do të vizitojë Sllovakinë, deri më 15 shtator. Të gjithë e presin me padurim Pasardhësin e Shën Pjetrit, i cili - pohon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në intervistën e tij me Vatican News, - na fton të jemi një Kishë në dalje, në gjendje të gjejë gjuhën e përshtatshme për t’i kumtuar botës Ungjillin. Në shenjtëroren sllovake të Šaštin, Papa do të falënderojë Zojën për suksesin e ndërhyrjes kirurgjikale, që bëri pak kohë më parë, tregon kardinali Parolin.

Hirësia juaj, si lindi plani për këtë vizitë të dyfishtë apostolike?

Vetë Papa, gjatë intervistës në udhëtimin e kthimit nga Iraku, e tha pak këtë dëshirë të tij, këtë ndjet, që lindi, thotë ai, nga lutja, - siç ndodh shpesh me udhëtimet – pra, ishte dëshira për të kryesuar meshën e mbylljes së Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik në Budapest, i cili u shty për shkak të Covid-19. Pastaj, pikërisht, duke pasur parasysh afërsinë, të kalonte edhe në Sllovaki e të vizitonte vendin.

Primati i Hungarisë, kardinali Erdö, kryeipeshkëv i Budapestit, nënvizon se vendi ka nevojë për dritën e fesë që ta ndiejë vëllazërimin me gjithë popujt. Ç’fryte priten nga Kongresi Eukaristik?

Kongreset eukaristike janë raste për kremtim, reflektim, studim, thellim mbi misterin e Eukaristisë. Edhe Kongresi Ndërkombëtar në Budapest e ka këtë qëllim. Pastaj, Kongresi duhet të sjellë një jetë eukaristike: këto ditë, rilexova homelinë, që pati mbajtur Papa Françesku në vitin 2018, në Molfetta, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Don Tonino Bello-s, ku ndër të tjera pati thënë: “Në çdo famulli, në çdo kishë, duhet të afishohet kjo frazë: ‘Pas meshës, askush nuk jeton më për veten, por për të tjerët’”. Besoj se ky është kuptimi i asaj, që thotë kardinali Erdö, pra: Eukaristia na zhyt në dashurinë e Krishtit, në vetë jetën e Krishtit, i cili është dashuri me përmasa universale e, për këtë arsye, duhet të na bëjë të aftë të shohim në çdo njeri vëllain, që duhet ta ndihmojmë për të bartur barrën e jetës.

Në Sllovaki, Papa do të pritet nga një popullsi e ungjillëzuar nga shën Cirili e shën Metodi: një vizitë, që vë në dukje urën shpirtërore të dialogut ndërmjet Lindjes e Perëndimit…

Sigurisht. Figura e shenjtorëve Cirili dhe Metodi ka lënë gjurmë të thella në historinë e kombit sllovak: në Kushtetutë - në parathënie më duket – flitet për ta si për Etërit shpirtërorë dhe kulturorë të kombit. Edhe Gjon Pali II, në “Slavorum Apostoli”, flet për ta si për urën lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Ajo që mund të shohim tek këta shenjtorë, shpallur Pajtorë të Evropës nga Papa Gjon Pali II, është aftësia e inkulturimit të Ungjillit.

I ngjeshur, programi i vizitës së Papës Françesku në Sllovaki. Në të, edhe takimi me bashkësinë e romëve, shenjë e vëmendjes së Atit të Shenjtë për këtë realitet…

Më duket se ky takim është në vazhdimësi me atë që Papa pati dy vjet më parë në Rumani, me bashkësinë rom, së cilës, nga thellësia e zemrës, i shprehu gjithë dhimbjen për vuajtjet e pësuara, duke i kërkuar falje për përgjegjësinë e njerëzve të Kishës në to – nëse kishte. Njëkohësisht, Ati i Shenjtë tregon vëmendjen ndaj kësaj popullsie, pra, respektin, por edhe vlerësimin për vlerat e saj, që janë të shumta: nga vlera e familjes në vlerën e solidaritetit, mikpritjes, kujdesit për të moshuarit e kështu me radhë. Gjithashtu, nxit përpjekjet për t'i integruar romët plotësisht në shoqëri.

Papa do të kryesojë meshën në shenjtëroren kombëtare të Šaštin në ditën e festës së Zojës së Shtatë Dhimbjeve, Pajtore e Sllovakisë. Etapë kjo, nga e cila Ati i Shenjtë nuk deshi të hiqte dorë...

Sigurisht, madje, kjo e zgjati, në një farë kuptimi, udhëtimin e tij vetëm për të marrë pjesë në këtë festë popullore devocioni të madh ndaj Pajtores së Sllovakisë. Nga njëra anë, kjo tregon konsideratën e madhe të Papës për përshpirtërinë popullore, sidomos për devocionin ndaj Zojës, të cilin e njeh që nga Amerika Latine, nga Argjentina, por edhe nga të gjitha vendet e atij kontinenti. Ky devocion ka rrënjë të forta edhe në Evropë. Shenjtërorja e Šaštin është shembull për rëndësinë, që ka përkushtimi ndaj Zojës në jetën fetare të një populli, të një bashkësie. Njëkohësisht, nënvizoj faktin se ky është shtegtim pas operacionit të Papës, prandaj Ati i Shenjtë dëshiron ta falënderojë Zojën për suksesin e kësaj ndërhyrjeje, por edhe t’ia besojë Asaj të gjithë ata, që përjetojnë gjendje brishtësie, ligështie, vuajtjeje, edhe fizike, siç kaloi ai në këtë periudhë, duke pasur parasysh edhe pandeminë, e cila ende shkakton dhimbje në shumë vende.

         Hirësi, me ç’frymë niset Papa?

E tha vetë, të dielën e kaluar, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, më 5 shtator: “Dëshirë...”, pra, me një dëshirë vërtet të madhe për të takuar besimtarët, për t’i takuar këto Kisha. Duke pasur parasysh se udhëtimet apostolike janë rralluar për shkak të Covid, Papa ndjen nevojën që, intensivisht, ta rifillojë këtë formë të ushtrimit të shërbesës së tij pjetrine e të prekë me dorë njerëzit, sipas stilit të tij.

10 shtator 2021, 17:50