ÐÓMAPµ¼º½

2025.06.17 Vescovi della CEI

Tek Papa, 192 ipeshkvij të rinj, që marrin pjesë në kurset e formimit në Vatikan

Audienca me Leonin XIV do të mbahet më 11 shtator në Sallën e Sinodit. Kursi i formimit i Dikasterit për Ungjillëzimin filloi më 4 shtator dhe në të morën pjesë 78 prelatë të emëruar kohët e fundit. Ndërsa, kursi i organizuar nga Dikasteri i Ipeshkvijve filloi më 3 shtator dhe në të morën pjesë 114 vetë. Pjesëmarrësit kaluan së bashku Portën Shenjte më 6 shtator

R.SH. – Vatikan

Paraditen e së enjtes, më 11 shtator, në Sallën e Sinodit, Papa Leoni XIV do të presë në Vatikan 192 ipeshkvij nga pesë kontinente, të cilët, që nga 3 shtatori, po marrin pjesë në kurse formimi, të organizuara nga Dikasteri për Ungjillëzimin (Seksioni për Ungjillëzimin e Parë dhe Kishat e Reja të Veçanta) dhe Dikasteri për Ipeshkvijtë.

Formimi për veprimtaritë baritore

Kursi i organizuar nga Dikasteri vatikanas për Ipeshkvijtë, i titulluar "Dëshmitarë dhe lajmëtarë të shpresës së bazuar në Krishtin", filloi më 3 dhe do të përfundojë të enjten më 11 shtator. Ky formim, që u realizua në Sallën e Sinodit në Vatikan, u drejtohet ipeshkvijve të emëruar vitin e kaluar. Ai përbëhet nga një sërë takimesh mbi tema, që mund të jenë të dobishme për veprimtarinë baritore dhe administrative, si edhe për reflektimin personal e komunitar në dioqezat e ipeshkvijve. Kurset zhvillohen nga eprorë të Kuries Romake dhe nga figura kishtare e jo-kishtare, ekspertë në fushat përkatëse.

Në qendër, inkulturimi i fesë

Kursi i formimit për ipeshkvijtë e rinj, organizuar nga Dikasteri për Ungjillëzimin (Seksioni për Ungjillëzimin e Parë dhe Kishat e Reja të Veçanta), filloi të enjten, më 4 shtator. Të premten, më 5 shtator, pjesëmarrësit reflektuan mbi nevojat urgjente të inkulturimit të fesë, ndërsa të shtunën, prelatët kaluan Portën Shenjtë, morën pjesë në meshën jubilare dhe nderuan reliket e Shën Pjetrit Apostull në Bazilikën e Vatikanit. Të dielën, ata ishin të pranishëm në meshën solemne të kanonizimit të Pier Giorgio Frassati-t dhe të Carlo Acutis.

Ditë të përbashkëta

Pjesëmarrësit në të dy kurset ndanë disa ditë së bashku. E para ishte ajo e 6 shtatorit, me kalimin e Portës Shenjte në Shën Pjetër. Rasti i dytë u dha më 8 dhe 9 shtator, nga Universiteti Papnor Urbanian, në një përvojë të përbashkët njohjeje dhe shkëmbimi, që përfundoi me një reflektim të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, mbi "Punën e Selisë së Shenjtë në një botë të globalizuar në favor të shpresës dhe të paqes".

Një mundësi për takim dhe studim

Në kursin e Dikasterit për Ungjillëzimin marrin pjesë 78 ipeshkvij, ndërsa në atë të Dikasterit të Ipeshkvijve, numri i pjesëmarrësve është114. Ndër këta të fundit, pesë janë ipeshkvij nga Kishat Katolike Lindore dhe pesë të tjerë janë ipeshkvij, që shërbejnë në Kurien Romake. Kurset e formimit për ipeshkvijtë e rinj janë bërë tashmë një takim i rregullt i veprimtarive të Kuries Romake gjatë muajit të shtatorit.

09 shtator 2025, 17:31