Tek Papa, 192 ipeshkvij t? rinj, q? marrin pjes? n? kurset e formimit n? Vatikan
R.SH. – Vatikan
Paraditen e së enjtes, më 11 shtator, në Sallën e Sinodit, Papa Leoni XIV do të presë në Vatikan 192 ipeshkvij nga pesë kontinente, të cilët, që nga 3 shtatori, po marrin pjesë në kurse formimi, të organizuara nga Dikasteri për Ungjillëzimin (Seksioni për Ungjillëzimin e Parë dhe Kishat e Reja të Veçanta) dhe Dikasteri për Ipeshkvijtë.
Formimi për veprimtaritë baritore
Kursi i organizuar nga Dikasteri vatikanas për Ipeshkvijtë, i titulluar "Dëshmitarë dhe lajmëtarë të shpresës së bazuar në Krishtin", filloi më 3 dhe do të përfundojë të enjten më 11 shtator. Ky formim, që u realizua në Sallën e Sinodit në Vatikan, u drejtohet ipeshkvijve të emëruar vitin e kaluar. Ai përbëhet nga një sërë takimesh mbi tema, që mund të jenë të dobishme për veprimtarinë baritore dhe administrative, si edhe për reflektimin personal e komunitar në dioqezat e ipeshkvijve. Kurset zhvillohen nga eprorë të Kuries Romake dhe nga figura kishtare e jo-kishtare, ekspertë në fushat përkatëse.
Në qendër, inkulturimi i fesë
Kursi i formimit për ipeshkvijtë e rinj, organizuar nga Dikasteri për Ungjillëzimin (Seksioni për Ungjillëzimin e Parë dhe Kishat e Reja të Veçanta), filloi të enjten, më 4 shtator. Të premten, më 5 shtator, pjesëmarrësit reflektuan mbi nevojat urgjente të inkulturimit të fesë, ndërsa të shtunën, prelatët kaluan Portën Shenjtë, morën pjesë në meshën jubilare dhe nderuan reliket e Shën Pjetrit Apostull në Bazilikën e Vatikanit. Të dielën, ata ishin të pranishëm në meshën solemne të kanonizimit të Pier Giorgio Frassati-t dhe të Carlo Acutis.
Ditë të përbashkëta
Pjesëmarrësit në të dy kurset ndanë disa ditë së bashku. E para ishte ajo e 6 shtatorit, me kalimin e Portës Shenjte në Shën Pjetër. Rasti i dytë u dha më 8 dhe 9 shtator, nga Universiteti Papnor Urbanian, në një përvojë të përbashkët njohjeje dhe shkëmbimi, që përfundoi me një reflektim të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, mbi "Punën e Selisë së Shenjtë në një botë të globalizuar në favor të shpresës dhe të paqes".
Një mundësi për takim dhe studim
Në kursin e Dikasterit për Ungjillëzimin marrin pjesë 78 ipeshkvij, ndërsa në atë të Dikasterit të Ipeshkvijve, numri i pjesëmarrësve është114. Ndër këta të fundit, pesë janë ipeshkvij nga Kishat Katolike Lindore dhe pesë të tjerë janë ipeshkvij, që shërbejnë në Kurien Romake. Kurset e formimit për ipeshkvijtë e rinj janë bërë tashmë një takim i rregullt i veprimtarive të Kuries Romake gjatë muajit të shtatorit.