MAP

Papa të rinjve: mos kini frikë, ku ka urrejtje, aty jini filiza paqeje

Papa, në audiencën e sotme, 5 shtator, i bëri thirrje Këshillit Rinor Mesdhetar të japë në mënyrë aktive ndihmesën për një botë më të mirë dhe më vëllazërore. Ju jeni "shenjë e një brezi që nuk e pranon pa kritikë çka po ndodh", "shenjë e një të riu, që përfytyron një të ardhme më të mirë dhe kërkon të përfshihet për ta ndërtuar atë".

R.SH. / Vatikan

Mos kini frikë: jini filiza paqeje, kudo që rriten farat e urrejtjes dhe të pakënaqësisë; jini endës të unitetit kudo që mbizotërojnë polarizimi dhe armiqësia; jini zë për të pazërit që kërkojnë drejtësi dhe dinjitet; jini dritë dhe kripë, kudo po shuhen flaka e besimit dhe gëzimi i jetës. Mos u dorëzoni nëse dikush nuk ju kupton.

Papa Leoni XIV u drejtoi një inkurajim të fortë të rinjve të kombësive të ndryshme, që përbëjnë Këshillin Rinor Mesdhetar, me të cilët u takua sot, më 5 shtator, në Pallatin Apostolik. Ati i Shenjtë i ftoi të kontribuojnë konkretisht në paqen botërore përmes jetës së tyre, duke filluar që tani. I nxitur nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane (CEI), ky organ lindi pas takimeve në Bari, në vitin 2020, dhe në Firence, në vitin 2022, ku u mblodhën ipeshkvij dhe përfaqësues nga shumë vende, që kufizohen me Mesdheun, për të reflektuar se si ai mund dhe duhet të ishte "vend takimi, udhëkryq vëllazërie, djep jete e jo varr për të vdekurit".

Në këtë drejtim Papa, duke folur si në anglisht, ashtu edhe në italisht, kujtoi bindjen e të Nderuemit Giorgio La Pira, kryetarit të bashkisë së Firences, "sipas të cilit paqja në rajonin e Mesdheut do të ishte fillimi dhe, si të thuash, themeli i paqes ndërmjet të gjitha kombeve të botës". Papa Leoni XIV ripohoi "forcën" dhe "ngarkesën profetike" të këtij vizioni sot, "në një kohë të përflakur nga konfliktet e dhuna, ku gara e armatimeve dhe logjika e shtypjes mbizotërojnë mbi të drejtën ndërkombëtare dhe të mirën e përbashkët".

Nuk duhet të çkurajohemi, aq më pak të dorëzohemi! E ju, të rinj, me ëndrrat e frymëzimin tuaj krijues, mund të jepni kontribut themelor. Tani, jo nesër! Sepse ju jeni e tashmja e shpresës- theksoi në vijim Papa.

Një brez që punon për një të ardhme më të mirë

Në fjalimin e tij, Leoni XIV theksoi edhe se paqja "në tryezën e udhëheqësve kombëtarë, është objekt i diskutimeve globale dhe, për fat të keq, shpesh reduktohet në parulla". Në vend të kësaj, këmbënguli Papa, ne duhet “ta kultivojmë paqen" në zemra, në marrëdhënie, në gjeste të përditshme, duke qenë "motorë pajtimi" në shtëpi, në bashkësi, në punë, në vendet e studimit e gjithashtu "në Kishë e ndërmjet Kishave". Për këtë arsye, theksoi se Këshilli Rinor Mesdhetar është "vepër simbolike". Vepër, sepse pasqyron misionin që paraardhësi i tij, Papa Françesku, ua besoi Kishave Mesdhetare në Bari, në vitin 2020: të mbjellin paqe, shpresë dhe vëllazëri në këtë rajon. E që ky organizëm të tregojë një rini aktive, duke ndërtuar një botë të ndryshme:

Shenja, të dashur miq, jeni ju: shenjë e një brezi që nuk e pranon pa kritikë atë që ndodh, që nuk e kthen kokën, nuk pret që dikush tjetër të bëjë hapin e parë; shenjë e një të riu që përfytyron të ardhmen më të mirë dhe  dëshiron të përfshihet në ndërtimin e saj; shenjë e një bote që nuk i dorëzohet indiferencës dhe rutinës, por angazhohet e punon për ta shndërruar të keqen në të mirë.

Roli i feve për nxitjen e paqes

Papa pranon se të jesh "veprimtar i paqes" - shprehje, kjo, e shkëputur nga Predikimi i Jezusit në Mal nga Ungjilli i Mateut - "nuk është zgjedhje e lehtë". "Na bën të dalim nga zonat e rehatisë, të shpërqendrimit dhe indiferencës, por mund të hasim kundërshtim nga ata që kanë interes në përjetësimin e konflikteve", vazhdon Papa Prevost. Megjithatë, vijon t’i nxisë të rinjtë të vazhdojnë “të jenë shenja shprese, të llojit që nuk zhgënjen, të rrënjosur në dashurinë e Krishtit”, duke jetuar si “dëshmitarë të tij” që shpallin Ungjillin, “pikërisht rreth atij Deti, nga brigjet e të cilit u nisën dishepujt e parë”.

Horizonti i besimtarit nuk është ai i mureve dhe i telave me gjemba, por i mirëpritjes së ndërsjelltë - theksoi - duke shtuar se trashëgimia shpirtërore e traditave të mëdha fetare të lindura në Mesdhe mund të vazhdojë të jetë “ferment i gjallë” e gurrë paqeje, vëllazërie dhe kujdesi për krijimin në këtë rajon:

Po ato fe janë shfrytëzuar, dhe ndonjëherë ende shfrytëzohen, për të përligjur dhunën dhe luftën e armatosur: ne duhet t’i mohojmë me jetën tonë këto forma blasfemie, të cilat errësojnë Emrin e Shenjtë të Zotit. Prandaj, së bashku me veprimin, kultivoni lutjen dhe përshpirtërinë, si burime paqeje dhe si gjuhë takimi ndërmjet traditave dhe kulturave.

Tjetri është gjithmonë vëlla, kurrë armik

Papa Leoni XIV, në përfundim, i falënderoi të rinjtë e Këshillit Rinor Mesdhetar për punën e tyre.

Ndonëse "keni gjuhë dhe kultura të ndryshme", ju "bashkon një dëshirë e vetme e madhe: bashkëjetesa paqësore e popujve, veçanërisht atyre që jetojnë përreth Mesdheut. Ju po i jepni trup e shpirt kësaj dëshire, me angazhimin dhe projektet tuaja të shumta" - u kujtoi Leoni XIV, "si në nivel lokal - në bashkësitë tuaja - ashtu edhe në nivel evropian, në dialog me institucionet kishtare dhe politike".

Ky, theksimi i Papës, që përfundoi duke i nxitur të rinjtë të mos e humbasin guximin, duke u kujtuar shprehjen e shkëputur nga veprat e  Shën Charles de Foucauld:

"Zoti përdor edhe erërat e kundërta, për të na çuar në port".

E duke shprehur edhe besimin e patundur në të rinjtë:

“Ju jeni shprehje, që tregon se dialogu është i mundur, se dallimet janë burim pasurimi dhe jo arsye për konflikt, se tjetri është gjithmonë vëlla dhe kurrë i huaj ose, më keq akoma, armik.

05 shtator 2025, 13:59