MAP

Borgo Laudato sì Borgo Laudato sì

Papa, të premten, në Borgo Laudato si', projekt i ekonomisë së qëndrueshme

Mikpritje, qëndrueshmëri dhe shembull i ekonomisë qarkulluese. Këto janë tiparet, që e dallojnë hapësirën e madhe prej 55 hektarësh, të cilën Papa Leoni XIV do ta përurojë zyrtarisht të premten, më 5 shtator. Ky projekt është ide e Papës Françesku për t'u dhënë formë konkrete parimeve të enciklikës Laudato si'

R.SH. – Vatikan

Një projekt i madh, që në lindje të tij: kështu mund të përshkruhet "Borgo Laudato si'" në Castel Gandolfo, i cili do të përurohet të premten nga Papa Leoni XIV. Me të vërtetë, parimet që e frymëzojnë dhe objektivat e tij ishin ambicioze që në fillim, më synimin për të krijuar një shembull të virtytshëm të ekonomisë qarkulluese, një model për shtetet, dioqezat dhe ndërmarrjet e mëdha. Sepse një bashkësi ashtu si duhet mund të ndërtohet, pa dyshim, duke kombinuar punën kërkimore, formimin, impenjimin dhe jetën e përditshme.

Ndërmjet liqenit dhe detit

Borgo Laudato si' aktualisht mbulon 55 hektarë tokë, që më parë ishin pronë e "Vilave Papnore". Nga këto, afërsisht 30 hektarë përdoren për qëllime bujqësore, në kontekstin e vilës së lashtë romake të Domicianit, ambient me bukuri të pakrahasueshme dhe relike me vlerë të madhe historike dhe arkeologjike (duke përfshirë, përveç kopshteve madhështore në stilin italian, edhe një shembull unik të kriptoportikut të epokës romake, afërsisht 150 metra i gjatë).

Në këtë pjesë të Castel Gandolfo-s, fryma e historisë ndihet në çdo hap. Vetëm për pallatin papnor, gjatë Luftës II Botërore, u strehuan disa nga 12.000 të shpërngulurit, që u mirëpritën aty pas bombardimeve të vitit 1944. Në shtratin ku flenë ende sot papët, që kalojnë pushimet e tyre verore në këtë vend (16 nga 77 papë, që nga viti 1626 e deri më sot), lindën 36 fëmijë gjatë asaj periudhe. I fundit prej tyre ende në jetë, Eugenio Pio, do të takohet me Leonin XIV të premten.

Në këtë realitet, pezull si në një ëndërr ndërmjet liqenit dhe detit, që shndrit në horizont, poshtë, në luginë, u ndërtua ky sistem i integruar, i përbërë, nga njëra anë, nga Qendra e Forimimit të Lartë “Laudato Si'”, gurthemeli edukativ i projektit dhe, nga ana tjetër, nga sistemi i prodhimit bujqësor, ku zbatohen parimet e ekologjisë së gjithanshme. Në këtë Borgo, do të formohen rreth dy mijë studentë në vit nga e gjithë bota, dërguar nga dioqeza të ndryshme. Studentët, përfshirë edhe disa me aftësi të kufizuara, do të punësohen pjesërisht në restorantin e Borgos, edhe ai në ndërtim e sipër falë bashkëpunimit me një firmë të madhe amerikane; të tjerë do të kthehen në vendet e tyre të origjinës për të vënë në jetë bagazhin e njohurive të fituara.

Borgo Laudato sì
Borgo Laudato sì

Fjala kyçe: qëndrueshmëri

Pjesa praktike e formimit do të zhvillohet pjesërisht në terrenet e Borgos (që përdoren kryesisht për vreshta biodinamike, me mbështetjen shkencore të Universitetit të Udines) dhe pjesërisht në serrën e madhe moderne me energji fotovoltaike, në pritje që të vihet në zbatim edhe një sistem agrovoltaik, i cili kombinon kultivimin dhe prodhimin e energjisë në të njëjtin terren. Falë punës së inxhinierit Antonino Errigo, sekretarit të përgjithshëm të Qendrës, sistemi i ujitjes është realizuar me teknologjinë e fundit, duke minimizuar ndikimin në liqenin Albano aty pranë. Ai prodhon 1.200 metra kub ujë nga 1.500 metra kub, që i nevojiten strukturës. Të gjitha objektet, përfshirë Borgon, do të jenë të hapura për vizitorët: priten 250.000 njerëz çdo vit. Do të ketë një biletë hyrjeje, por njerëzit me vështirësi financiare mund të hyjnë falas.

Borgo Laudato sì
Borgo Laudato sì

Gati për të pritur Papën

Qendra e Formimit të Lartë do të mirëpresë studentë të të gjitha moshave, nga shkolla fillore deri te studentët universitarë dhe të diplomuarit. Jo vetëm kaq, por so të mund të bëjnë kurse edhe drejtorët ekzekutivë të kompanive të mëdha. Nuk është rastësi që të premten, gjatë vizitës së Papës, pritet një delegacion i vogël drejtuesish të lartë, udhëhequr nga Paul Polman, ish-drejtor ekzekutiv i firmës shumëkombëshe Unilever, me qendër në Londër. Ai konsiderohet sot një nga shembujt më të shquar të liderëve sipërmarrës, të përkushtuar ndaj ekonomisë së qëndrueshme. Por Ati i Shenjtë do të pritet edhe nga familjet e punonjësve të Borgo-s, aktualisht 39 gjithsej, shumica kopshtarë e, do të mund të shohë edhe kafshët që kullosin në fushë. Duke filluar nga e premtja, do të mbërrijnë në Castel Gandolfo edhe kuajt andaluzianë, dhuruar Papës Leoni XIV, i cili, siç dihet, i përdorte në Peru për të shkuar nga një vend në tjetrin.

04 shtator 2025, 11:51