杏MAP导航

K?rko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa: t? dalim nga polarizimet, t? nd?rtojm? ura n? Kish? dhe n? bot?

U botua v?llimi "León XIV: ciudadano del mundo, misionero del siglo XXI" me tekstin e plot? t? intervist?s s? dh?n? nga Papa gazetares s? Crux, Elise Ann Allen. Nd?r temat e trajtuara: drama e Gaz?s, politika ndaj Kin?s, roli i grave, mir?pritja e personave Lgbt+, abuzimet, situata financiare e Selis? s? Shenjt?, IA dhe fake news.

R.SH. – Vatikan

Si Papë, rol me të cilin po përpiqet të “ndërtojë ura” dhe “të mos ushqejë më tej polarizimet” e pranishme në botë dhe në Kishë, denoncon situatën “e tmerrshme” në Gaza, përballë së cilës “nuk mund të bëhemi të pandjeshëm”, dhe pohon se Selia e Shenjtë “nuk e konsideron” aktualisht se “mund të lëshohet ndonjë deklaratë” mbi përkufizimin e gjenocidit. Më pas siguron se nuk dëshiron të ndërhyjë në politikën e vendit të tij të lindjes, SHBA-së, por “nuk ka frikë” të ngrejë çështje edhe me presidentin Trump për tema urgjente. Për Kinën siguron se do të vazhdojë politika e Selisë së Shenjtë dhe e paraardhësve dhe, në linjën e Françeskut, shpreson të vazhdojë me emërimin e grave në role drejtuese, duke theksuar megjithatë se nuk ka ndërmend të ndryshojë mësimin e Kishës mbi shugurimin femëror. E njëjta gjë vlen edhe për personat Lgbtq+: mirëpritje për “todos, todos, todos” por “mësimi i Kishës do të vazhdojë siç është”. Abuzimet i konsideron si një krizë të vërtetë; kërkon afërsi maksimale me viktimat, por kujton se ndonjëherë janë regjistruar edhe akuza të rreme. Për “krizën” tjetër, atë financiare, kërkon të mos “ankohet” dhe të vazhdojë, përkundrazi, të hartojë plane: “Por nuk më humbet gjumi për këtë”. Pyetje dhe përgjigje mbi temat e aktualitetit urgjent për Kishën dhe botën gjenden të gjitha në intervistën – e para e dhënë – e Papës Leoni XIV për Elise Ann Allen, gazetare e Crux. Më 14 shtator, ditën e lindjes së Robert Francis Prevost, ishin parashikuar disa ekstrakte të bisedës, të botuara si shoqëruese të vëllimit biografik ‘León XIV: ciudadano del mundo, misionero del siglo XXI’ që del sot, më 18 shtator, në spanjisht për Penguin Perú.

Drama e Gazës

Ndër pyetjet e para drejtuar Papës është ajo mbi situatën në Gaza. “Edhe pse ka pasur njëfarë presioni” mbi Izraelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pavarësisht disa deklaratave të presidentit Trump, “nuk ka pasur një përgjigje të qartë” për “lehtësimin e vuajtjeve të popullatës”, thekson Papa Leoni XIV. “Kjo është shumë shqetësuese”, duke parë kushtet në të cilat ndodhen shumë njerëz, veçanërisht fëmijët, që vuajnë “urinë e vërtetë”. Në të ardhmen “do të kenë nevojë për shumë ndihmë mjekësore, si dhe për ndihma humanitare”. Papa shpreson që të mos bëhemi “të pandjeshëm” përballë asaj që ndodh në Rripin e Gazës: “Është e tmerrshme t’i shohësh ato imazhe në televizion… nuk mund të durohet aq shumë dhimbje”.

Fjala “gjenocid”

Sa i përket përdorimit të fjalës gjenocid që “përdoret gjithnjë e më shumë” në lidhje me dramën e Gazës, Papa thekson se “zyrtarisht, Selia e Shenjtë nuk e konsideron se aktualisht mund të lëshohet ndonjë deklaratë në lidhje me këtë”. “Ekziston një përkufizim shumë teknik i asaj që mund të jetë një gjenocid. Por gjithnjë e më shumë njerëz po ngrenë çështjen, duke përfshirë dy grupe për të drejtat e njeriut në Izrael që kanë lëshuar deklaratë me këtë emërtim”.

Marrëdhëniet me Kinën

Gjithnjë në fushën e gjeopolitikës, Papa Leoni XIV shikon aktorin tjetër global që është Kina. Siguron se do të vazhdojë “politikën që Selia e Shenjtë ka ndjekur për disa vite”, pa pretenduar të “jetë më i mençur apo më ekspert” se paraardhësit. Tashmë prej kohësh është “në dialog të vazhdueshëm me persona të ndryshëm kinezë” dhe po përpiqet të “fitojë një kuptim më të qartë se si Kisha mund të vazhdojë misionin e saj, duke respektuar si kulturën ashtu edhe problemet politike”, si dhe grupin “domethënës” të katolikëve që “për shumë vite, kanë jetuar një lloj shtypjeje ose vështirësie në jetimin e lirë të fesë së tyre pa u rreshtuar”. “Është një situatë shumë e vështirë”, pranon Ipeshkvi i Romës.

Politika e SHBA-së

Në përgjithësi, Papa i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk beson se origjina e tij mund të bëjë shumë ndryshim në dinamikat globale. Shpreson megjithatë që të bëjë ndryshim në marrëdhëniet me episkopatin e SHBA-së, ku janë regjistruar fërkime me papninë e mëparshme: “Fakti që unë jam amerikan do të thotë, ndër të tjera, se njerëzit nuk mund të thonë, siç bënë me Françeskun, ‘ai nuk i kupton Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thjesht nuk e sheh se çfarë po ndodh’”. Leoni e sqaron mirë: “Nuk kam asnjë qëllim të ndërhyj në politikën partiake”. Dhe për marrëdhëniet me Trumpin thekson “se do të ishte shumë më e përshtatshme që udhëheqja e Kishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të angazhohej me të”. Sigurisht që nëse do të kishte argumente specifike “nuk do të kisha asnjë problem ta bëja këtë”. Vetë Trump kohët e fundit ka thënë se nuk ka ndërmend të takojë Papën, ndërsa, shtoi ai, “vëllai i tij është një djalë i mirë”. Një referim për vëllain e madh Louis, i cili u prit në Zyrën Ovale pak ditë pas Konklavës. “Një nga vëllezërit e mi e ka takuar dhe ka qenë shumë i hapur rreth pikëpamjeve të tij politike”, konfirmon Papa Leoni. Për Louis flet edhe në një pasazh tjetër të intervistës, kur, duke përshkruar marrëdhëniet me familjarët (përveç të parit, edhe vëllain e dytë John), Leoni XIV thekson: “Jemi ende shumë afër, edhe pse njëri është politikisht shumë larg”.

Kriza e abuzimeve në Kishë

Një hapësirë e gjerë në bisedë i kushtohet edhe “krizës” së abuzimeve seksuale në Kishë. Një krizë ende e pazgjidhur, thekson menjëherë Papa, duke kërkuar “respekt të madh” për viktimat, shumë prej të cilave mbajnë plagën e abuzimit gjatë gjithë jetës. Leoni XIV citon statistikat që tregojnë se “mbi 90% e personave që dalin dhe bëjnë akuza janë viktima autentike”. Pra, nuk shpikin asgjë. Megjithatë, ka “raste të provuara të disa akuzave të rreme” dhe disa meshtarëve “u është shkatërruar jeta”. Akuza “nuk anulon prezumimin e pafajësisë”, thekson Papa Leoni. Prandaj, edhe priftërinjtë duhet të mbrohen, ose i akuzuari duhet të mbrohet, të drejtat e tij duhet të respektohen. Por edhe ta thuash këtë, ndonjëherë është shkak për më shumë vuajtje për viktimat”. Në çdo rast, shpjegon Ati i Shenjtë Prevost, “çështja e abuzimeve seksuale nuk mund të bëhet thelbi i Kishës”: “Shumica dërrmuese e personave të angazhuar në Kishë, priftërinj, ipeshkvij dhe rregulltarë, nuk kanë abuzuar kurrë me askënd. Prandaj, nuk mund të bëjmë që e gjithë Kisha të përqendrohet ekskluzivisht në këtë temë”.

Mirëpritja e personave Lgbtq+

Nuk mungon gjithashtu një referim për temat e personave Lgbtq+ dhe të grave. Për çështjen e parë Papa shpjegon se nuk dëshiron të promovojë polarizime në Kishë. Flet për dokumentin Fiducia Supplicans, duke theksuar se thelbi i mesazhit të atij dokumenti është “sigurisht, mund t’i bekojmë të gjithë njerëzit, por nuk duhet të kërkojmë një mënyrë për të ritualizuar ndonjë bekim”. Sigurisht Leoni XIV përqafon mesazhin e Françeskut për një mirëpritje për “todos, todos, todos”: “Të gjithë janë të ftuar”, por jo për një “identitet specifik” por sepse të gjithë janë bijë të Zotit. Kjo nuk nënkupton, megjithatë, një ndryshim të Doktrinës: “E shoh shumë të pamundur, sigurisht në të ardhmen e afërt, që Doktrina e Kishës (të ndryshojë) në termat e asaj që Kisha mëson mbi seksualitetin, atë që Kisha mëson mbi martesën”, pohon Papa Leoni XIV. Dhe kjo do të thotë “një familje e përbërë nga një burrë dhe një grua”, “të bekuar në sakramentin e martesës”.

Roli i grave

As mësimi mbi shugurimin femëror nuk do të ndryshojë. Papa Prevost thotë se do të “vazhdojë në gjurmët e Françeskut duke emëruar gra në disa role drejtuese në nivele të ndryshme në jetën e Kishës”. Çështja “kontroverse” është ajo e të ashtuquajturave diakonesha, e ngritur gjatë sesionit të fundit të Sinodit: “Për momentin nuk kam ndërmend të ndryshoj mësimin e Kishës mbi këtë argument”.

Situata ekonomike e Selisë së Shenjtë

Mbi situatën financiare të Selisë së Shenjtë, qasja e Papës është pragmatike: “Po filloj të kem ide të qarta”, siguron ai. Ati i Shenjtë rendit në fakt një sërë çështjesh të detajuara: rezultatin pozitiv prej mbi 60 milionë eurosh të regjistruar në Buxhetin 2024 të APSA-s; Fondin e pensioneve “që duhet të shqyrtohet” (“Një problem universal”); krizën e Covid-it që ka prekur edhe Muzetë e Vatikanit, “një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave për Vatikanin”. “Duhet të shmangim llojin e zgjedhjeve të gabuara që janë bërë në vitet e fundit”, thekson megjithatë Papa, duke përmendur rastin e pallatit të Londrës, në qendër të një procesi gjyqësor, që ka tërhequr “publicitet të madh”: “Sa miliona janë humbur për shkak të kësaj!”. Leoni XIV flet më pas për “hapa domethënës” të bërë gjatë papnisë së Françeskut për kontrolle dhe balanca. Kujdes megjithatë që të mos “relaksohemi e të themi se kriza ka mbaruar”. “Mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim, por nuk më humbet gjumi dhe mendoj se është e rëndësishme të komunikojmë një mesazh tjetër”.

Reformat në Kurien Romake

Në temën e reformave, Papa Leoni paralajmëron “vendime” në Kurien Romake si ajo e “çmontimit ose transformimit të mënyrës së izoluar në të cilën vepron çdo Dikaster”. Një lloj “mentaliteti i ndarjeve” për të cilin, ndonjëherë, kanë munguar dialogu dhe komunikimi. Dhe kjo ka qenë ndonjëherë një “kufizim dhe dëm i madh për qeverisjen e Kishës”.

Mesha në latinisht

Papa thellohet edhe në çështjen e Meshës tridentine. Më shumë se një çështje, është “një problem”, sepse disa e kanë përdorur liturgjinë si “instrument politik”. Një gjë “shumë e pakëndshme”. Së shpejti, thotë Ati i Shenjtë, do të paraqitet mundësia për “të uluar në një tryezë me një grup njerëzish që mbështesin ritin tridentin” dhe ndoshta problemi mund të zgjidhet “me sinodalitet”.

Fake News dhe Inteligjenca Artificiale

Jashtë qarkut kishtar, Papa trajton temën e lajmeve të rreme që janë “shkatërruese” dhe ndalet te Inteligjenca Artificiale, në të cilën investojnë “njerëzit jashtëzakonisht të pasur” duke injoruar plotësisht “vlerën e qenieve njerëzore”. “Kisha duhet të ndërhyjë”, sepse rreziku është serioz që “bota dixhitale të shkojë në rrugën e saj” dhe të gjithë të bëhemi “gurë shahu”. Në këtë drejtim tregon anekdotën e një personi që kishte kërkuar autorizimin për të krijuar një Papë “artificial” në mënyrë që të lejonte këdo të kishte një audiencë personale. “Unë thashë: ‘Nuk do ta autorizoj’. Nëse ka dikush që nuk duhet të përfaqësohet nga një avatar, do të thosha se Papa është në krye të listës”.

18 shtator 2025, 11:23