Papa: ta kap?rcejm? urrejtjen dhe dhun?n, kam besim t? madh n? natyr?n njer?zore
R.SH. – Vatikan
Roli i Papës, impenjimet e tij të shumta, përmasa publike e një telefonate e pastaj, paqja, paqja e kërkuar që nga dukja e tij e parë në Lozhën e Bekimeve në Shën Pjetër, "e vetmja përgjigje" në këtë botë plot konflikte dhe "vrasje të pakuptimta", si edhe thirrja për dialog, sinodalitet - "ilaç" kundër polarizimit. Së fundi, një koment për "identitetin" e tij amerikano/peruvian dhe për tifozerinë gjatë Kupës së Botës.
Këto janë disa nga fragmentet - publikuar paraprakisht nga gazetat Crux dhe El Comercio – marrë nga intervista e Papës Leoni XIV me gazetaren e Crux, Elise Ann Allen, e para e dhënë nga Ati i Shenjtë. Biseda - e regjistruar pjesërisht në Castel Gandolfo dhe pjesërisht në rezidencën e tij në Pallatin e Sant'Uffizio - përfshihet në vëllimin biografik “Leoni XIV: qytetar i botës, misionar i shekullit XXI”, i cili do të botohet në spanjisht nga “Penguin Peru” më 18 shtator. Do të pasojnë botimet në anglisht dhe portugalisht.
Mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perusë
Fragmentet e intervistës u botuan dje, më 14 shtator, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së Papës, i cili ka jetuar ndërmjet SHBA-ve dhe Perusë, prandaj, nënvizon: "Jam amerikan dhe ndihem shumë amerikan, por e dua edhe Perunë, popullin peruvian. Kam kaluar gjysmën e jetës me shërbim në Peru, prandaj, perspektiva latino-amerikane është shumë e çmuar për mua". Leoni XIV pohon se ka ende shumë për të mësuar e se ende mbetet i habitur me faktin se gjithçka bën tani, që është në krye të Kishës, bëhet menjëherë publike, nga telefonatat tek takimet.
Përpjekjet e Selisë së Shenjtë për paqen
Lidhur me impenjimin për paqen, Papa Leoni XIV, duke iu përgjigjur një pyetjeje për luftën në Ukrainë, kujton së pari thirrjet e muajve të fundit, në të cilat ka theksuar shpesh se "e vetmja përgjigje është paqja". “Njerëzit – nënvizon ai në intervistë - duhet të zgjohen e të kuptojnë se ekziston një mënyrë tjetër për të zgjidhur çështjen", që përjashton luftën. Përsa i përket propozimit që Vatikani të ndërmjetësojë në konflikte, duke përfshirë mundësinë e organizimit të bisedimeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Ati i Shenjtë vë në dukje se "që nga fillimi i luftës, Selia e Shenjtë ka bërë përpjekje të mëdha për të mbajtur një pozicion vërtet neutral". Duhet punuar që vetë palët ndërluftuese të thonë “mjaft” e të mendojnë për një mënyrë tjetër zgjidhjeje për divergjencat e tyre. “Kam shumë besim në natyrën njerëzore”, vëren Papa. Pavarësisht nga tundimet, duhet “t’i inkurajojmë njerëzit të shohin drejt vlerave më të larta” e të impenjohen me këmbëngulje për “një botë ndryshe”.
Polarizime, kriza, përçarje
Papa kërkon "dialog". "Në teori", vëren ai në intervistë, "Kombet e Bashkuara duhet të jenë vendi ku trajtohen shumë nga këto çështje. Fatkeqësisht, duket se …e kanë humbur aftësinë për t’i bashkuar njerëzit për çështjet shumëpalëshe". Jetojmë në kohë polarizimi dhe po humbasim vlerat, pohon Leoni XIV: "Vlera e jetës njerëzore, e familjes dhe vlera e shoqërisë. Nëse humbasim ndjenjën e këtyre vlerave, çfarë ka më rëndësi?", vëren ai, duke denoncuar "hendekun në rritje të të ardhurave ndërmjet klasës punëtore dhe më të pasurve": "Drejtuesit ekzekutivë që gjashtëdhjetë vjet më parë do të kishin fituar ndoshta katër deri në gjashtë herë më shumë se punëtorët, sipas të dhënave të fundit që kam parë, fitojnë 6.600 herë më shumë se një punëtor mesatar". Papa përmend faktin se Elon Musk, sipërmarrësi amerikan dhe themeluesi i Tesla dhe SpaceX, "do të jetë trilioneri i parë në botë": "Çfarë do të thotë kjo dhe për çfarë po flasim? Nëse kjo është e vetmja gjë që ka më vlerë, atëherë do të kemi telashe të mëdha..."
Sinodaliteti për të ecur përpara së bashku
Papa i kushton vëmendje në intervistë konceptit të sinodalitetit, që "do të thotë se çdo anëtar i Kishës ka zë dhe rol për të luajtur përmes lutjes, reflektimit… është një proces". "Nganjëherë ipeshkvijtë a meshtarët mendojnë se 'sinodaliteti mund t’u zvogëlojë autoritetin'", por kjo s’është e vërtetë. Sinodaliteti, shpjegon Leoni XIV, është "mënyrë për të qenë bashkësi dhe për të kërkuar bashkimin në Kishë”, që ajo të mos bazohet kryesisht në hierarkinë institucionale, por në faktin se jemi të gjithë së bashku, që e çojmë përpara. Sipas Papës, kjo “nuk ka të bëjë me përpjekjen për ta transformuar Kishën në një lloj qeverie demokratike, sepse, në shumë vende të botës, sot, demokracia nuk është domosdoshmërisht zgjidhja e përsosur për gjithçka. Përkundrazi, ka të bëjë me respektimin dhe me kuptimin e jetës së Kishës ashtu siç është, duke thënë: 'Duhet ta bëjmë këtë së bashku'".
Kupa e Botës 2026
Intervista prek edhe Kupën e Botës 2026. "Për kë jeni tifoz?" pyet gazetarja Allen. "Ndoshta për Perunë – përgjigjet Papa - vetëm për shkak të lidhjeve emocionale, nëse mund të thuhet kështu. Unë jam edhe tifoz i madh i Italisë... Njerëzit e dinë që jam tifoz i White Sox, por si Papë, jam tifoz i të gjitha ekipeve".