Papa për sulmin e Izraelit kundër Hamasit në Katar: "Situata është shumë e rëndë"
R.SH. – Vatikan
Flet për "lajme vërtet të rënda" Papa Leoni XIV, duke iu referuar bombardimeve të Izraelit në Doha, Katar, që vunë në shënjestër krerët e Hamasit. U goditën disa banesa në kryeqytet. Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ndërsa dilte nga Villa Barberini, rezidenca e tij në Castel Gandolfo, ku ndodhej që nga mbrëmja e djeshme. Sot pasdite u kthye në Vatikan.
Të lutemi shumë e të punojmë për paqen
Duke u ndalur për disa çaste me gazetarët para hyrjes kryesore, ndërsa një radhë e gjatë njerëzish duartrokisnin dhe brohorisnin emrin e tij, Leoni XIV, iu përgjigj pyetjeve të Rai Neës dhe shprehu gjithë shqetësimin e tij për ngjarjet në Lindjen e Mesme: "Situata është vërtet e rëndë", deklaroi ai. "Nuk e dimë se ç’drejtim po marrin gjërat; është gjithmonë serioze. Duhet të lutemi fort dhe të vazhdojmë të punojmë, të kërkojmë dhe të ngulim këmbë për paqen".
Urdhri i evakuimit në Gaza
Përsa i përket urdhrit të Izraelit për evakuimin e menjëhershëm të banorëve në Gaza City, në pritje të shkallëzimit të operacioneve ushtarake, Papa shpjegoi se ishte përpjekur të kontaktonte famullitarin e Familjes Shenjte, atë Gabriel Romanelli. "U përpoqa t’i telefonoja famullitarit tani, por nuk kam lajme", deklaroi ai. "Sigurisht, ishin mirë, por pas këtij urdhri të ri, nuk jam i sigurt".
Kthimi në Vatikan
Më pas, Papa Leoni XIV përshëndeti disa nga besimtarët e pranishëm e u kthye në Vatikan. Ati i Shenjtë mbërriti mbrëmë në Castel Gandolfo, ku kaloi ditën e sotme, gjatë së cilës nuk ishin planifikuar audienca.
Në mbrëmje, vetë atë Romanelli njoftoi nëpërmjet kanaleve të tij në rrjetet sociale: "Sot Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, mundi të komunikonte me ne. Na pyeti si ishim dhe si ishte situata. Na dërgoi bekimin e tij dhe u lut për ne dhe për paqen".
"Shumë njerëz na pyesin si jemi pas këtij vendimi të tmerrshëm (të Izraelit). Jemi mirë", sqaron në video famullitari i Gazës, duke nënvizuar se vijon puna për të ndihmuar "fëmijët, refugjatët dhe të sëmurët". Ka njëfarë "ankthi" ndërmjet popullsisë për ngjarjet e fundit. "Nata e kësaj lufte është shumë e errët", shton atë Romanelli, "njerëzit po vuajnë gjëra të papërshkrueshme. Ne na takon të shërbejmë", duke ia besuar Zotit “paqen”.