Papa: nuk ka drejtësi pa dhembshuri, as legjitimitet pa dëgjuar dhimbjen e tjetrit
R.SH. / Vatikan
Falënderimi, kujtimi, apeli. Në videomesazhin e Leonit XIV të shpërndarë dje në mbrëmje, 12 shtator, për prezantimin në Lampedusa të kandidaturës së projektit "Gjestet e mikpritjes" në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, ka një njohje për angazhimin shumë të fortë, nga ana e botës së gjerë të shoqatave dhe institucioneve si civile ashtu edhe kishtare, për t’u ofruar humanitet atyre që mbijetojnë në udhëtimet e shpresës; ka dhimbje të thellë për ata që nuk ia dolën dhe gëzim për ata që, të shpëtuar për një jetë të re, kanë vënë në lëvizje bamirësinë e marrë; dhe ka ende, në kujtim të paraardhësit Françesku - i cili zgjodhi pikërisht ishullin e Lampedusës si destinacion të udhëtimit të tij të parë apostolik - inkurajimin për të shkuar përtej vështirësive, për të vazhduar impenjimin për drejtësinë kundër globalizimit të indiferencës dhe pafuqisë. Kjo e fundit, vëren Papa, është fryt i gënjeshtrës: "nuk ka armiq".
Nuk ka drejtësi pa dhembshuri
Empatia e treguar nga Papa në "përshëndetjen e tij në distancë" - të cilën shpreson ta bëjë së shpejti "në prani, personalisht" - shfaqet që nga fjala e parë "o'scià" (frymë, frymëmarrje), shprehje tipike e dialektit sicilian, të cilën vetë Papa Françesku e përdori kur zbarkoi në këtë vend, tokë në zemër të Mesdheut. Një fillim Papa përmendi Shpirtin Shenjt Zot, dhuratat e të cilit, thotë ai, janë të shumta këtu, në këtë "portë të Evropës", siç e definon Lampedusën dhe Linozën, ku është krijuar një komunitet që ka vënë në veprim një bujari emblematike, "një angazhim të madh mikpritjeje" për migrantët.
"Falënderimin" im, që është "falënderimi" i gjithë Kishës për dëshminë tuaj, zgjat dhe rinovon atë të Papa Françeskut. "Faleminderit" shoqatave, vullnetarëve, kryetarëve të bashkive dhe administratave që kanë ardhur me kalimin e kohës; "faleminderit" meshtarëve, mjekëve, forcave të rendit e sigurisë dhe të gjithë atyre që, shpesh në mënyrë të padukshme, kanë treguar dhe tregojnë buzëqeshjen dhe vëmendjen e një fytyre njerëzore ndaj personave që kanë mbijetuar në udhëtimin e tyre të dëshpëruar drejt shpresës. Ju jeni një bastion i atij njerëzimi që arsyet e shprehura me zë të lartë, frikërat atavike dhe masat e padrejta tentojnë të dëmtojnë. Nuk ka drejtësi pa dhembshuri, nuk ka legjitimitet pa dëgjuar dhimbjen e tjetrit.
Duhet të reagojmë së bashku
Papa Leoni nuk mund të mos kujtojë viktimat e shumta, "sa nëna dhe sa fëmijë!", të fundosur në Mare nostrum, detin e Mesdheut. Kujtimi është për ata që, mes migrantëve, janë varrosur pikërisht në ishull, si fara për një botë të re. Dhe kujtimi është gjithashtu edhe për ata që, pasi kanë mbijetuar nga masakrat e detit, janë bërë vetë operatorë të drejtësisë dhe paqes. Sepse, thekson Papa, nëse e keqja është fatkeqësisht ngjitëse, edhe e mira është, madje më shumë. Madje e mira dëshiron të jetë një stimul i madh ai i Papës sot:
Është e vërtetë, me kalimin e viteve mund të vijë lodhja. Si në një garë, mund të mungojë fryma. Vështirësitë tentojnë të vënë në pikëpyetje atë që është bërë dhe, ndonjëherë, edhe të na ndajnë. Duhet të reagojmë së bashku, duke qëndruar të bashkuar dhe duke u hapur përsëri ndaj frymës së Zotit. E gjithë e mira që keni bërë mund të duket si pika në det. Nuk është kështu, është shumë më tepër!
Historia shkatërrohet nga të fuqishmit, por shpëtohet nga të përulurit
Leoni bën të tijën denoncimin që Papa Françesku bëri tashmë kur kritikoi globalizimin e indiferencës, shprehje e destinuar të përsëritet shumë në fjalimet e tij. Sot, saktëson Ati i Shenjtë Prevost, duket madje e ndryshuar në "globalizimin e pafuqisë". Nuk bëhet fjalë aq shumë, paralajmëron ai, për të mos qenë të vetëdijshëm për dhimbjen e pafajshme, por për të qëndruar "të palëvizshëm, të heshtur dhe të trishtuar, të mposhtur nga ndjenja se nuk ke çka bënë më, se nuk mund të bëjmë asgjë".
Globalizimi i pafuqisë është fryt i një gënjeshtre: se historia gjithmonë ka shkuar kështu, se historia shkruhet nga fitimtarët. Atëherë duket se ne nuk mund të bëjmë asgjë. Përkundrazi: historia shkatërrohet nga të fuqishmit, por shpëtohet nga të përulurit, nga të drejtët, nga martirët, në të cilët e mira shkëlqen dhe njerëzimi autentik reziston dhe rinovohet.