MAP

2025.09.06 Festa della Famiglia

Papa në Ditën e Familjes në Vatikan: "Kemi nevojë për dëshminë tuaj"

Leoni XIV përshëndeti në sheshin e Guvernatorit shumë fëmijë dhe prindërit e tyre, punonjës të Vatikanit, në ngjarjen vjetore, që u kushtohet. "Festojmë gëzimin e familjes, jemi të bashkuar". Ai falënderoi nënat dhe baballarët: "Faleminderit për gjithçka bëni, nganjëherë me sakrifica". Të shumtë ata, që në fund, u mblodhën rreth Papës për fotografi, përqafime dhe bekime

R.SH. – Vatikan

         Flluska sapuni, xhonglerë, lojra, stenda ushqimi dhe hapësira për vizatim e ngjyrosje, muzikë. E pavarësisht nga këto “mrekulli” për çdo fëmijë, ata u tërhoqën më shumë nga Papa Leoni XIV, i cili takoi mbrëmë (6 shtator) në Vatikan, qindra familje të punonjësve të Selisë së Shenjtë, në sheshin përpara Guvernatoratit, për Festivalin e Familjes. Kjo veprimtari, e cila zhvillohet që prej disa vitesh, është bërë gjithnjë e më e larmishme dhe plot ngjyra. Këtë vit, i planifikuar për në maj, festivali u shty për në fillim të shtatorit. Qindra nëna dhe baballarë u mblodhën, së bashku me fëmijët - shumica e të cilëve morën pjesë në Kampin Veror të Vatikanit verën e kaluar - për këtë veprimtari. Ngjarja mori hov të ri kur u duk Papa Leoni XIV, i cili përshëndeti fëmijët, që e pritën me britma, duartrokitje dhe brohoritje.

  (@VATICAN MEDIA)

"Jemi të gjithë familja e Zotit"

"Përshëndetje! Mirëmbrëma! Sa bukur që jemi mbledhur të gjithë bashkë, veçanërisht në këtë festë familjare! Sa bukur që po ju shoh ju fëmijëve: një duartrokitje për të gjithë ju!" filloi Papa. "Ashtu si ju duan nëna dhe babai, ashtu edhe kur jemi të gjithë të mbledhur së bashku, ne e duam vërtet njëri-tjetrin, sepse të gjithë jemi familja e Zotit, me vëllain tonë, mikun tonë më të mirë, Jezusin", pohoi Papa. "Me zemra të hapura, duam ta jetojmë këtë çast shumë të bukur", shtoi ai, duke theksuar "gëzimin e të qenit familje, gëzimin e të qenit të bashkuar, të miqësisë me njëri-tjetrin, të kremtimit të dhuratave, veçanërisht të dhuratës së jetës, dhuratës së familjes, që Zoti na ka dhuruar".

  (@Vatican Media)

Dëshmitë dhe sakrificat e familjeve

"Mirë se vini të gjithë! Faleminderit për këtë pritje!" vazhdoi Papa Leoni XIV, duke iu drejtuar edhe prindërve. "Kjo dëshmi e familjeve është tejet e rëndësishme në botën tonë sot!" deklaroi ai. "Ju falënderoj të gjithëve për këtë dëshmi dhe për praninë tuaj këtë mbrëmje, si edhe për gjithçka që bëni, nganjëherë me sakrifica të mëdha, për të jetuar të bashkuar si familje, duke e përhapur këtë mesazh, duke marrë pjesë kështu në frymën, që na la Jezu Krishti".

  (@VATICAN MEDIA)

Lutja dhe përshëndetja

Së fundi, lutja "Falemi Mari" dhe një bekim i veçantë për gjithë të pranishmit. Pranë Papës ishte guvernatorja, motra Raffaella Petrini, së bashku me dy sekretarët e përgjithshëm, imzot Emilio Nappa dhe Giuseppe Puglisi-Alibrandi. Pas tij, tre kardinaj, të përshkruar nga Papa si "dhuratë e veçantë": dy presidentët e nderit, Fernando Vergéz Alzaga dhe Giuseppe Bertello. I pranishëm ishte edhe kardinali Lorenzo Baldisseri, ish-sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve. Pas përshëndetjes, Papa Leoni XIV u rrethua nga një turmë fëmijësh dhe prindërish. Përqafime, bekime, përkëdhelje, shtrëngime duarsh dhe fotografi mbushën gjithë sheshin për rreth një orë, përfshirë edhe dhuratën e një pice Margherita, ku shkruhej me djathë "Rroftë Papa Leoni XIV". Pastaj, Ati i Shenjtë bëri disa fotografi me animatorët dhe xhonglerët, para se të kthehej në apartamentin e tij. Kështu përfundoi ky çast gëzimi: gëzimi i të qenit familje, së bashku me Papën.

07 shtator 2025, 10:03