Ndjeti i lutjes së Papës për shtatorin: bota nuk është problem për t'u zgjidhur, por mister për t'u kundruar
R.SH. – Vatikan
U publikua sot videoja me ndjetin e lutjes së Papës për muajin shtator. Në të, Leoni XIV na fton të lutemi "që, të frymëzuar nga Shën Françesku, të mund të përjetojmë ndërvarësinë tonë me të gjitha krijesat, të dashura nga Zoti dhe të denja për dashuri dhe respekt". Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, i cili është përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e videos, e realizoi atë në bashkëpunim me Dikasterin për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor.
Këtë muaj, Leoni XIV ia kushton lutjen “Marrëdhënieve tona me gjithë Krijimin", pikërisht sepse ndodhemi në të ashtuquajturën “Koha e Krijimit”, periudhë ekumenike lutjeje, që filloi më 1 shtator e do të përfundojë më 4 tetor, në festën liturgjike të Shën Françeskut të Asizit. Kjo Kohë bashkon të krishterët e emërtimeve të ndryshme në lutje dhe veprim për kujdesin ndaj tokës, shtëpisë sonë të përbashkët.
Në video, Papa thotë një lutje të papublikuar më parë, duke iu drejtuar Zotit me fjalët: "Na ndihmo të zbulojmë praninë tënde në të gjithë Krijimin, në mënyrë që... ta ndiejmë dhe ta dimë se jemi përgjegjës për këtë shtëpi të përbashkët në të cilën Ti na fton ta ruajmë, ta respektojmë dhe ta mbrojmë jetën". Vazhdimësia ndërmjet mësimeve të Papës Leoni XIV dhe atyre të Françeskut, autorit të enciklikës “Laudato Si'” (2015), del veçanërisht qartë në fjalët për Shën Françeskun: "Ashtu si Shën Françesku i Asizit, sot edhe ne duam të themi: Lavdi të qoftë ty, o Zoti im!"
Dy përvjetorë, një çast i veçantë
Videoja që shoqëron ndjetin e lutjes së Papës dhe lutja e thënë prej tij, vënë në pah momentin e veçantë të Kohës së Krijimit 2025, që bashkon dy përvjetorë: 800-vjetorin e Këngës së Krijesave të Shën Françeskut të Asizit dhe 10-vjetorin e enciklikës “Laudato Si'” të Papës Françesku. Aspekti françeskan i ndjetit ilustrohet me pamje nga dokumentari "Shën Françesku i Asizit - Shenjë Kontradikte", që i është dhuruar Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës nga kompania amerikane “10th Hour Production”. Përvjetori i “Laudato Si’” është i pranishëm përmes pamjeve nga mesha e kremtuar më 9 korrik nga Leoni XIV në “katedralen natyrore” – siç e quajti ai në homelinë e tij – të Borgo Laudato Si’ në Castel Gandolfo: një Eukaristi sipas rendit të Missa pro custodia creationis (Meshës për mbrojtjen e Krijimit), shtuar nga Papa në Mesharin Romak pikërisht me rastin e 10-vjetorit të enciklikës së Papës Françesku.
Drejtësia mjedisore, nevojë urgjente
Në mesazhin e tij "Fara të paqes dhe të shpresës", për Ditën e 10-të Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, (kremtuar dje, më 1 shtator), Papa Leoni XIV pohon se shkatërrimi i natyrës, pasojë e mëkatit njerëzor, prek më shumë të varfrit. Drejtësia mjedisore, shkruan Ati i Shenjtë, "përfaqëson një nevojë urgjente, që shkon përtej mbrojtjes së thjeshtë mjedisore. Në realitet, është çështje drejtësie sociale, ekonomike dhe antropologjike", si dhe kërkesë teologjike. Meqenëse më të varfrit preken më shumë nga ndryshimet klimatike dhe degradimi mjedisor, "kujdesi për Krijimin bëhet çështje feje dhe humanizmi".
Në gjurmët e Shën Françeskut
Këtë muaj Papa na fton të reflektojmë mbi mënyrën se si ndikojnë në natyrë e në veprën e Zotit veprimet tona; si të kërkojmë një stil jetese në favor të ekuilibrit natyror dhe harmonisë ndërmjet qenieve njerëzore dhe ambientit. Në një botë kaq frenetike, dominuar nga logjika e konsumit, pjesa më e madhe e njerëzimit dëshiron me gjithë shpirt një jetesë më të mirë, më afër natyrës, që e respekton atë. Ka etje për një stil jetese, që na lejon të ndalemi për ta soditur në heshtje Krijimin e Zotit, për të arritur takimin me vetveten, me Hyjin dhe me të tjerët. Shën Françesku mund të na frymëzojë në këtë udhëtim drejt një jete më të thjeshtë, më pak konsumiste; një jete të themeluar mbi marrëdhënie vëllazërore me të tjerët dhe me natyrën, si edhe mbi marrëdhënie dashurie dhe mirënjohjeje me Zotin.
Së fundi, duhet kujtuar se, në kuadrin e Jubileut 2025, Videoja e Papës merr një rëndësi të veçantë, sepse na bën të mundur njohjen e ndjetit të lutjes së Atit të Shenjtë, për të cilin duhet të lutemi edhe ne që të marrim hirin e Ndjesës jubilare.
Lutja e Papës
O Zot, ti e do gjithçka ke krijuar,
dhe asgjë nuk ekziston jashtë misterit të dhembshurisë sate.
Çdo krijesë, sado e vogël qoftë,
është fryt i dashurisë sate dhe ka një vend në këtë botë.
Edhe jeta më e thjeshtë, ose më e shkurtër, rrethohet nga kujdesi yt.
Si Shën Françesku i Asizit, edhe ne sot duam të themi:
“Lëvduar qofsh, o Zoti im!”
Përmes bukurisë së krijimit,
Ti na zbulohesh si burim i mirësisë. Ne të kërkojmë:
na i hap sytë që të të njohim,
duke mësuar nga misteri i afërsisë tënde me të gjithë Krijimin
se bota është pafundësisht më shumë sesa një problem për t’u zgjidhur.
Është një mister, që duhet kundruar me mirënjohje dhe shpresë.
Na ndihmo të zbulojmë praninë tënde në të gjithë Krijimin,
në mënyrë që, duke e njohur plotësisht,
ta ndiejmë dhe ta dimë se jemi përgjegjës për këtë shtëpi të përbashkët,
në të cilën Ti na fton ta ruajmë, ta respektojmë dhe ta mbrojmë jetën
në të gjitha format dhe mundësitë e saj.
Laudato si’, o Zot!