Papa Leoni XIV kremton 70 vjetorin e ditëlindjes
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV mbush sot shtatëdhjetë vjeç. Natyrisht, ditëlindja është ditë, e cila ka në qendër të vëmendjes atë, që e kremton. Por një nga parimet shpirtërore të Papës Bergolio është pikërisht të mos jetë në qendër të vëmendjes, kurrë.
Po, 70-vjetori i Leonit XIV është një ditëlindje që nuk kalon pa u vënë re, jo aq sepse, si për të gjithë, ditëlindja e 70të është, po, arritja e një pjekurie të plotë, por mbi të gjitha ky 70-vjetor i lindjes së Papës Prevost vjen pak muaj pas zgjedhjes së tij në selinë papnore, ngjarje që ka ndezur pritshmëri të mëdha dhe të besueshme në Kishë dhe në botë. Robert Francis Prevost, ky është emri i tij i pagëzimit, ka lindur më 14 shtator 1955 në Çikago, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një familje katolike që i ka transmetuar vlerat e besimit dhe shërbimit.
Vokacioni i tij ndër Etërit Augustinian e ka çuar në një rrugëtim ndërkombëtar: i formuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë, Prevost ka jetuar gjatë në Peru, në Amerikën Latine, ku ka udhëhequr komunitete të shënuara nga varfëria dhe konfliktet sociale, duke pjekur atë ndjeshmëri pastorale dhe njerëzore që ende e karakterizon sot.Në Romë, i thirrur nga Papa Françesku si Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë, Prevost ka ditur të vendosë në qendër logjikën e shqyrtimit dhe shërbimit.
Kur, më 8 maj të kaluar, Konklava e zgjodhi si Papën e ri, duke marrë emrin Leon XIV, profili i tij u imponua menjëherë si ai i një bariu të vëmendshëm ndaj të drejtave të më të dobëtve, si paraardhësi i tij Leon XIII Pecci. Ata që e njohin e përshkruajnë si një njeri të matur, të butë, të pajisur me një dëgjim autentik dhe me një buzëqeshje që thyen distancat, por edhe të vendosur në mbrojtjen e dinjitetit të personit kundër çdo forme shtypjeje.
Që nga përshëndetja e parë ndaj turmës në fillim të pontifikatit, Leoni XIV ka dashur të përcaktojë qartë prioritetet e shërbimit të tij: paqen dhe çarmatimin, drejtësinë sociale, përfshirjen në Kishë dhe në shoqëri, dialogun ndërmjet feve dhe kulturave. Në fjalimet e tij ka theksuar disa herë nevojën për të rindërtuar besimin ndërmjet popujve, duke rilançuar multilateralizmin dhe duke kritikuar logjikat e pushtetit që ushqejnë konfliktet.
Në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, para mijëra të rinjve, Leoni XIV ka folur për "një botë pa armë bërthamore si e vetmja rrugë e mundshme" dhe ka ftuar qeveritë të investojnë jo në sisteme mbrojtjeje, por në edukim dhe shëndetësi. Në të njëjtën kohë nuk ka hezituar të trajtojë çështjet e brendshme të Kishës. Ka kujtuar se përfshirja e personave nuk është një slogan, por një kriter pastoral: hapja e hapësirave reale të pjesëmarrjes për gratë, vlerësimi i të rinjve dhe mos lënia pas e atyre që ndihen të mënjanuar nga shoqëria e në margjinat e komunitetit të krishterë. Në një ndërhyrje të fundit në Akademinë e Teologjisë, Ati i Shenjtë Prevost e ka lidhur ruajtjen e krijimit me sfidat e mëdha të inteligjencës artificiale, duke theksuar urgjencën e një vizioni antropologjik që themelon çdo etikë mbi dinjitetin e paprekshëm njerëzor.
Shenjtëria Juaj,
ne të gjithë, të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin shoqëror, që bashkëpunojmë ngushtë e përditë me shërbimin Tuaj, e shoqërojmë, përcjellim dhe ndjekim me vëmendje, mirënjohje e admirim, e jemi të bindur se është privilegj që kemi mundësi të jemi në një farë mënyre të lidhur e të bashkuar me misionin Tuja në udhëheqje të Kishës së gjithmbarshme. Edhe në emër të dëgjuesve tanë, të teleshikuesve e lexuesve nga e gjithë bota, Ju urojmë e urojmë vetvetes që Zoti të vazhdojë të Ju jap shëndet dhe energji, sepse fjalët e Juaja e vështrimi Juaj, transparencë e vërtetë e dëshmisë së fesë Tuaj, të vazhdon të ndriçojë e ngushëllojë mendjen tona dhe zemrat tona.