Papa Leoni XIV i inkurajon rregulltarët t’i interpretojnë gjithnjë shenjat e kohës
R.SH. – Vatikan
Papa Leoni XIV i inkurajoi rregulltarët e rregulltaret nga katër kongregata, që i priti sot në audiencë, në Vatikan, të qëndrojnë të rrënjosur në karizmën e tyre, me vëmendje ndaj shenjave të kohërave, duke u kujtuar se themeluesit iu përgjigjën me guxim dhe i shqyrtuan mirë nevojat e kohës së tyre.
Ati i Shenjtë u foli përfaqësuesve të misionarëve të Gjakut të Paçmueshëm të Krishtit, të misionarëve maristë, të Vëllezërve françeskanë të Zojës së Papërlyer dhe të orsolineve të Shën Marisë së Papërlyer të mbledhur në Romë për kapitujt dhe asambletë e tyre.
Jeta komunitare, bindja, hapja ndaj shenjave të kohërave
Leoni XIV u ndal tek rëndësia e jetës komunitare për thirrjen në jetën rregulltare, tek bindja si akt dashurie dhe tek domosdoshmëria që murgeshat e rregulltarët t’ia hapin zemrën e mendjen shenjave të kohërave. Ai kujtoi se historia e tyre është "dëshmi e shkëlqyer dhe e larmishme, që pasqyron shumëllojshmërinë e dhuratave, që Zoti u dha themeluesve dhe themelueseve, të cilat, duke e hapur zemrën për dikimin e Shpirtit Shenjt, interpretuan me sukses shenjat e kohërave dhe iu përgjigjën me mençuri nevojave të reja".
Papa përmendi shembullin e Brigidës së Jezusit - Morello, e cila, në shekullin e shtatëmbëdhjetë, "filloi një nismë për promovimin e dinjitetit të grave, që do të jepte shumë fryt në të ardhmen", por kujtoi edhe Shën Gasprin e Bufalos, i cili kundërshtoi "frymën e shfrenuar të 'mungesës së përshpirtërisë dhe të kundërshtimit të fesë' që e mundonte kohën e tij". Po ashtu, Leoni XIV vuri në dukje atë Jean-Claude Colin, “i frymëzuar në apostullimin e tij nga shpirti i përvujtërisë dhe i butësisë së Marisë së Nazaretit”, por kujtoi edhe se Vëllezërit Françeskanë të Zojës së Papërlyer, janë themeluar “në vitet ‘90, duke ndjekur gjurmët e Shën Françeskut dhe të Shën Maksimilian Kolbes”.
Përgjigjjuni me urti nevojave të reja
Papa theksoi se kjo lloj hapjeje ndaj shenjave të kohërave është jetike edhe sot: “Pa këtë vështrim të hapur dhe të mprehtë para kërkesave të vërteta të vëllezërve dhe motrave tona, nuk do të ishte themeluar asnjë nga kongregatat tuaja”.
“Themelueset dhe themeluesit tuaj”, shtoi ai, “qenë të aftë të vëzhgonin, të vlerësonin, t’i donin njerëzit dhe më pas të niseshin, edhe me rrezikun e vuajtjeve e të dështimeve të mëdha, për t’u shërbyer nevojave të vërteta të vëllezërve dhe motrave të tyre, duke e njohur zërin e Zotit në varfërinë e të afërmit”.
Ndiqni gjurmët e brezave të kaluar për të arritur ideale të larta
Papa theksoi se të ecësh përpara do të thotë ta mbash “gjallë kujtesën e atyre fillesave të guximshme, jo për të bërë ndonjë ‘ushtrim në arkeologji a për të kultivuar thjesht nostalgjinë, [por] për të ndjekur gjurmët e brezave të kaluar që të arrihen idealet e larta, vizioni dhe vlerat, që i frymëzuan ata, duke filluar nga themeluesit dhe themelueset e nga bashkësitë e para’, duke e kuptuar potencialin e tyre, ndoshta ende të pazbuluar, në mënyrë që të përdoret mirë, në shërbim të ‘këtu e tani’”, pra, në shërbim të situatës së sotme. Së fundi, Leoni XIV shprehu mirënjohje për dëshminë e përditshme të jetës rregulltare, duke thënë:
“E di sa të mira bëni çdo ditë në kaq shumë pjesë të botës, të mira që shpesh nuk shihen nga sytë e njeriut, por jo nga ato të Zotit! Ju falënderoj dhe ju bekoj nga zemra, duke ju inkurajuar të vazhdoni misionin tuaj me fe dhe bujari”.