Me ftesën e Papës, të krishterët bashkohen për Ditën e Krijimit, më 1 shtator
R.SH. – Vatikan
Më 1 shtator, të krishterët në të gjithë botën bashkohen për të kremtuar Ditën e Krijimit, e cila shënon përkujtimin vjetor të misterit të Krijimit të Zotit. Pikërisht në Engjëllin e djeshëm të Tënzot, Papa Leoni XIV kujtoi se ishte Papa Françesku ai, që 10 vjet më parë, e shtriu këtë kremtim, filluar nga ortodoksët, edhe në botën katolike, duke themeluar Ditën Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit. Gjithashtu, theksoi se lutja për Krijimin është "tani më urgjente dhe e rëndësishme se kurrë".
"Së bashku me gjithë të krishterët, e kremtojmë atë dhe e zgjasim gjatë gjithë Kohës së Krijimit, që vijon deri më 4 tetor, në festën e Shën Françeskut të Asizit", pohoi Papa Leoni XIV. "Në frymën e Këngës së Vëllait Diell, kompozuar 800 vjet më parë, ta lëvdojmë Zotin dhe të përtërijmë impenjimin tonë për të mos e prishur dhuratën e Tij, por për t'u kujdesur për shtëpinë tonë të përbashkët".
Traditë e gjatë
Dita e Krijimit, e njohur edhe si Dita Botërore e Lutjes për Krijimin, kremtohet nga shumica e Kishave të krishtera pas ftesës së Kishës Ortodokse në vitin 1989. E bazuar në një traditë të lashtë liturgjike ortodokse, që vjen nga shekulli V, ajo është ditë për të lëvduar Zotin Krijues të qiellit e të tokës, për të kujtuar misterin e Krijimit në Krishtin dhe për të frymëzuar të krishterët të kujdesen për botën e krijuar. Këshilli Botëror i Kishave, organ ekumenik që bashkon Kishat Ortodokse dhe Protestante, publikoi këto ditë një video të re rreth historisë dhe simbolikës së ditës.
Ndërsa shumë Konferenca Ipeshkvnore Katolike e festonin Ditën e Krijimit që nga vitet ‘90, Papa Françesku e rithemeloi atë si Ditë Botërore të Lutjes për Kishën Katolike universale në vitin 2015, duke inkurajuar kremtimet vjetore të saj me publikimin e mesazheve papnore.
‘Farat e Paqes dhe të Shpresës’
Papa Leoni XIV vazhdon traditën e paraardhësit të tij këtë vit, duke publikuar një mesazh të veçantë për Ditën e Krijimit 2025.
“Tema e kësaj Dite Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, zgjedhur nga Papa ynë i dashur Françesku, është ‘Fara të Paqes dhe të Shpresës’”, shkruan Ati i Shenjtë. “Në 10-vjetorin e themelimit të kësaj Dite të Lutjes, e cila përkoi me botimin e Enciklikës ‘Laudato si’’, jemi duke festuar Jubileun aktual si ‘Shtegtarë të Shpresës’”.
Papa augustinian shton se “për besimtarët, drejtësia mjedisore është detyrë që lind nga feja, pasi gjithësia pasqyron fytyrën e Jezu Krishtit, në të cilin të gjitha gjërat u krijuan dhe u shëlbuan”.
Kohët e fundit, vetë Ati i Shenjtë botoi rendin e ri të “Meshës për Kujdesin ndaj Krijimit”, për të cilin Dikasteri për Kultin Hyjnor shpjegoi se mund të përdorej “në Ditën e ardhshme Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit”. Është hera e parë, që mesha kremtohet me një format të tillë liturgjik, përtej shërbesave tradicionale ekumenike të lutjes.
Nisma e Ditës së Krijimit koordinohet globalisht nga Këshilli Botëror i Kishave, i kryesuar nga moderatori i tij, peshkopi luteran Heinrich Bedford-Strohm, në bashkëpunim me bashkësi dhe partnerë të ndryshëm botërorë të krishterë.