Leoni XIV, thirrje për armëpushim në Gaza: të respektohet e drejta humanitare
R.SH. – Vatikan
“Përtërij thirrjen për armëpushim, për lirimin e pengjeve, për një zgjidhje diplomatike me bisedime dhe për respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.
Nga Sheshi i Shën Pjetrit, zëri i Papës Leoni XIV u lartua mbi zhurmën e bombave, të cilat po bien mbi Qytetin e Gazës që nga mesnata e mbrëmshme. Në kulmin e asaj, që forcat ushtarake izraelite e kanë quajtur faza "përfundimtare" e rrafshimit të enklavës palestineze, me qëllim asgjësimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve, me mbi 100 viktima tashmë të sigurta, 140 ndërtesa të dëmtuara dhe afërsisht 370.000 civilë në arrati, Ati i Shenjtë, në fund të audiencës së përgjithshme, bëri sërish thirrje për "agimin e paqes" në këtë tokë të martirizuar.
“Shpreh afërsinë time më të thellë me popullin palestinez në Gaza, i cili vazhdon të jetojë me frikë dhe të mbijetojë në kushte të papranueshme, i detyruar me forcë të largohet edhe një herë nga tokat e tij”.
Armëpushim, lirim pengjesh, zgjidhje diplomatike
Dje, ndërsa po largohej nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me "eksodin" e Gazës, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për shumë njerëz, që "nuk kanë ku të shkojnë", si edhe për ata, që dëshirojnë të qëndrojnë. I pari ndër këta të fundit është, pa dyshim, famullitari i Familjes Shenjte, atë Gabriel Romanelli, me të cilin është në kontakt të vazhdueshëm, siç dëshmoi telefonata e fundit dje në mëngjes. Ai, së bashku me murgeshat e bashkësisë famullitare, vazhdon t’u qëndrojë pranë rreth 450 vetëve që strehohen në kompleksin e kishës. "Duhet të kërkojmë një zgjidhje tjetër", tha Papa mbrëmë. Sot, në audiencë, në një shesh të mbushur plot, me ton të vendosur, përshkroi rrugët drejt një zgjidhjeje të mundshme: armëpushimi, lirimi i pengjeve, dialogu dhe bisedimet, respektimi "i plotë" i së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Një agim paqeje dhe drejtësie
Papa Leoni XIV kujtoi se "çdo njeri ka gjithmonë një dinjitet të paprekshëm, për t'u respektuar dhe për t’u mbrojtur". E pohoi këtë – siç tha vetë - "para Zotit të Gjithëpushtetshëm, që urdhëroi 'mos vrit', dhe në dritën e gjithë historisë së njerëzimit". Një paralajmërim për këtë kohë brutaliteti. Më pas, thirrja për gjithë besimtarët e më gjerë.
“I ftoj të gjithë të bashkohen në lutjen time të zjarrtë, që të vijë së shpejti agimi i paqes dhe i drejtësisë”.
Ndërmjetësimi i Shën Stanislaus Kostkës për paqe
Papa u lut për paqen edhe pak më parë, gjatë përshëndetjes për besimtarët polakë. Leoni XIV kujtoi se nesër bie përkujtimi liturgjik i Shën Stanislaus Kostkës, jezuit i ri polak 18-vjeçar, pajtor i atdheut dhe i të rinjve: ai, nënvizoi Ati i Shenjtë, "të jetë shembull dhe frymëzim për brezat e rinj të besimtarëve, që kërkojnë vullnetin e Zotit, në përmbushjen e guximshme të thirrjes së tyre".
“Ndërmjetësimit të tij ia besoj Poloninë dhe paqen në botë”.
Para bekimit të fundit, Papa – emri i të cilit është Robert Francis Prevost - falënderoi ata që i kanë bërë urimet për ditën e emrit, të cilën e kremton sot, në festën e Shën Robert Belarminit. E në shesh, u lartuan vërtet parrullat me urime, ndër të cilat edhe njëra e një fëmije ngritur lart, ku shkruhej "Gëzuar Ditën e Emrit!". Urimet më të mira iu bënë Papës edhe nga lexuesit në gjuhë të ndryshme.
“Para se të përfundoj, dua t'ju falënderoj të gjithëve për urimet, që më bëtë për ditën e emrit. Faleminderit shumë!”