Papa: teologjia në dialog me botën për të ruajtur njeriun dhe krijimin
R.SH. / Vatikan
Ju ftoj të kultivoni një teologji të bazuar në takimin personal dhe transformues me Krishtin dhe të synoni ta mishëroni në ngjarjet konkrete të njerëzimit të sotëm. Është fjala për një "teologji të urtë", e aftë të japë përgjigje të mençura edhe ndaj sfidave dixhitale, ajo që Papa Leoni XIV kërkoi të kultivohej nga rreth 130 pjesëmarrësit në Seminarin Ndërkombëtar, promovuar nga Akademia Papnore e Teologjisë, me titull "Krijimi, natyra, mjedisi për një botë paqeje", të pritur sot paradite, më 13 shtator, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik në Vatikan.
Një reflektim përtej çdo barriere
Në fjalën e tij, Papa fillimisht përmblodhi shkurtimisht qëllimet e simpoziumit, i cili u zhvillua të enjten më 11 dhe të premten më 12 shtator në Casina Pio IV, në Kopshtet e Vatikanit, dhe u përqendrua në tema të dashura "edhe për paraardhësit e tij, Shën Gjon Pali II, Benedikti XVI dhe Françesku", si "qëndrueshmëria mjedisore" e "kujdesi për krijimin". Ati i Shenjtë Prevost më pas theksoi se "përpjekja për të përmirësuar kushtet mjedisore dhe sociale të botës sonë" kërkon "angazhimin e të gjithëve". Një nevojë që, sipas Papës, simpoziumi e ka marrë parasysh, duke propozuar një qasje të saktë "ndërkulturore dhe ndërfetare", "një qëndrim solidariteti dhe bashkëpunimi që kapërcen barrierat dhe kufijtë rajonalë, kombëtarë, kulturorë dhe madje edhe fetarë". Një qasje që, vazhdoi Leoni XIV, "është një ogur i mirë për shkëmbime të mëtejshme dhe gjithnjë e më intensive, për iniciativa incizive dhe frytdhënëse".
Teologjia “në dalje”
Papa i cakton teologjisë, e cila është “një dimension konstituiv i veprimit misionar dhe ungjillëzues të Kishës”, detyrën për të vazhduar këtë reflektim. Pikërisht sepse “i drejtohet çdo njeriu në çdo kohë”, teologjia e nevojshme për të përmbushur këtë mision duhet të jetë, me një shprehje të krijuar nga Papa Françesku, “në dalje”, pra e aftë të bashkojë “rigorozitetin shkencor me pasionin për historinë; një teologji e mishëruar, e mbushur me dhimbjet, gëzimet, pritshmëritë dhe shpresat e njerëzimit”.
Modelet Augustini, Toma dhe Rosmini
Papa Leone tregoi modelet historike për një “teologji të urtësisë” të aftë të sintetizojë “këto aspekte të ndryshme”: “Etërit dhe Mësuesit e mëdhenj të Antikitetit”, të cilët “ditën të gërshetojë fenë dhe arsyen, reflektimin, lutjen dhe praktikën”. Midis të gjithëve, Shën Augustini, “shembull gjithmonë aktual”, shpjegoi Papa, i cili kultivoi një teologji të kuptuar jo si “kërkim abstrakt”, por si “fryt i përvojës së Zotit dhe i marrëdhënies jetësore me të”. Ipeshkvi i Hiponës, veçanërisht me ‘Rrëfimet’ e tij, ka propozuar pikërisht një “reflektim teologjik të mishëruar dhe të aftë t'u përgjigjet nevojave shpirtërore, doktrinore, pastorale dhe sociale të kohës së tij”. Shën Toma më pas sistematizoi rrugën “ekzistenciale dhe afektive” augustiniane “me mjetet e arsyes aristoteliane”, duke e kuptuar teologjinë si “sapida scientia”, pra si “urtësi”. Përpunim intelektual i përfunduar më pas nga i Lumi Antonio Rosmini, i cili, siç tregoi Leone XIV, “e konsideronte teologjinë një shprehje sublime të dashurisë intelektuale”.
Teologjia dhe inteligjenca artificiale
Papa më pas tregoi "sfidat dixhitale" si kufirin tjetër të aplikimit të punës teologjike. Dëshmi domethënëse e dijes së fesë në shërbim të njeriut, në të gjitha dimensionet e tij – personale, sociale dhe politike – është Doktrina Sociale e Kishës, e thirrur sot të japë përgjigje të mençura edhe ndaj sfidave dixhitale. Në këtë kërkim përgjigjesh, teologjia është "drejtpërdrejt e ftuar të japë përgjigje" në pikëpyetje, "sepse nuk mjafton një qasje ekskluzivisht etike ndaj botës komplekse të inteligjencës artificiale". Disiplina "e urtë" ka për detyrë të ofrojë edhe një "vizion antropologjik që themelon veprimin etik", shërben, argumentoi Papa, "t'i kthehemi pyetjes së përhershme: kush është njeriu, cila është dinjiteti i tij i pafund, i pakthyeshëm në çdo android dixhital?".
Dialogu me të gjitha disiplinat
Së fundi në fjalimin e tij, Leoni XIV inkurajoi teologët të dialogojnë "përveç filozofisë, edhe me fizikën, biologjinë, shkencat ekonomike, ato juridike, letërsinë, muzikën, për të sjellë majanë e mirë të Ungjillit në kulturat e ndryshme" dhe ta "zhvillojnë dhe mishërojnë këtë teologji të urtë, në shërbim të Kishës dhe të botës".